Policia e Kosovës ka uruar nxënësit për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2019/2020.
Po ashtu, institucioni i sigurisë u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të kenë kujdes në qarkullimin e automjeteve afër shkollave.
“Me rastin e fillimit të gjysmë vjetorit të dytë të vitit shkollor 2019/2020 në shkollat fillore dhe të mesme, Policia e Kosovës ju uron një vit të mbarë dhe të suksesshëm të gjithë nxënësve, prindërve dhe personelit arsimor, si dhe me këtë rast u bënë thirrje të gjithë pjesëmarrëseve në trafik për shtimin e kujdesit gjatë lëvizjes në rrugë”, thuhet në komunikatën zyrtare të lëshuar nga PK’ja.
“Kjo thirrje për rritjen e sigurisë në rrugë, në radhë të parë iu drejtohet shoferëve që të kenë parasysh prezencën e nxënësve në rrugë veçanërisht në zonat afër objekteve shkollore, të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut në mënyrë që të rritet siguria për nxënës gjatë lëvizjes nga shtëpia në shkollë dhe anasjellas”, thuhet tutje në deklaratë.
Policia gjithashtu kërkon nga prindërit që, për siguri të fëmijëve, të shoqërojnë fëmijët e vegjël nga shtëpia deri në shkollë.
Kjo është komunikata e plotë:
KOMUNIKATË PËR MEDIA
“Fillimi i gjysmë vjetorit të dytë të vitit shkollor 2019/2020”
Me rastin e fillimit të gjysmë vjetorit të dytë të vitit shkollor 2019/2020 në shkollat fillore dhe të mesme, Policia e Kosovës ju uron një vit të mbarë dhe të suksesshëm të gjithë nxënësve, prindërve dhe personelit arsimor, si dhe me këtë rast u bënë thirrje të gjithë pjesëmarrëseve në trafik për shtimin e kujdesit gjatë lëvizjes në rrugë.
Kjo thirrje për rritjen e sigurisë në rrugë, në radhë të parë iu drejtohet shoferëve që të kenë parasysh prezencën e nxënësve në rrugë veçanërisht në zonat afër objekteve shkollore, të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut në mënyrë që të rritet siguria për nxënës gjatë lëvizjes nga shtëpia në shkollë dhe anasjellas.
Nga nxënësit dhe këmbësorët e tjerë gjithashtu kërkohet kujdes dhe vëmendje e shtuar dhe këshillohen që mos të ecin nëpër shirita qarkullues por të ecin nëpër trotuare, ndërsa për kalimin e rrugës të shfrytëzojnë vendkalimet e shënuara për këmbësorë.
Në ato pjesë të rrugës ku nuk ka trotuare, këmbësori duhet lëvizë pran skajit të rrugës në anën e majtë të drejtimit të lëvizjes, të mos bartin kufje në vesh dhe të jenë të kujdesshëm gjatë ecjes.
Duke pas parasysh se ndodhemi në sezonin dimëror kur mbizotërojnë temperaturat e ulëta të cilat mund të përcjellën me reshje bore dhe ngrica në rrugë, rrjedhimisht këta faktor kanë ndikim në shtimin e aksidenteve dhe vështirësive në qarkullim.
Për siguri të fëmijëve udhëzohen prindërit që t’i shoqërojnë fëmijët e tyre të vegjël nga shtëpia deri në shkollë dhe anasjellas si dhe të kenë kujdes që veshja e fëmijëve të jetë e përshtatshme për këtë sezonë dhe të përmbaj materiale reflektuese për tu vërejtur më lehtë nga pjesëmarrësit tjerë në trafik.
Në rast se transporti i nxënësve bëhet me automjete, të mos pengohet qarkullimi i trafikut me ndalje të parregullta në rrugë apo në hyrje-dalje të shkollave, por t’i shfrytëzojnë hapësirat e përshtatshme apo ndonjë vend parkim në afërsi të shkollës.
Policia e Kosovës do të ndërmarr masa ligjore ndaj atyre të cilët bëjnë shkelje të ligjeve dhe rregullave të trafikut dhe me veprime të tilla i rrezikojnë pjesëmarrësit apo e pengojnë qarkullimin e trafikut.
Me respekt
Zyra për informim e PK -së
/Express/