0.4 C
Prizren
E diel, 21 Dhjetor, 2025

Politikanët paguajnë për zgjerim të rrjetit në Facebook

facebookNdikimin e rrjeteve sociale nuk po e lënë pa e shfrytëzuar politikanët kosovarë. Tani e një kohë, disa prej politikanëve kanë filluar të paguajnë që faqet e tyre personale të kenë më shumë pëlqime në Facebook, e ndjekës në Twitter.

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, që është ndër politikanët me më së shumti pëlqime në Facebook, mirëmbajtjen e faqes së tij personale ua ka besuar një grupi të të rinjve, derisa jo rrallë herë poston vet.

Sipas zëdhënësit të Pacollit, Jetlir Zymberaj, shpërndarja e faqes nëpërmjet formës së sponsorizimit ka filluar së voni, ndërsa bëhet me mjete financiare të vet zëvendëskryeministrit, transmeton KTV.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, llogarinë e tij në Facebook edhe atë në Twitter e mirëmban vet, e ndonjëherë ndihmohet edhe nga këshilltarët e tij ose kabineti. Të paktën kështu thotë Artan Behrami, zëdhënës i Ministrisë, i cili megjithatë nuk është përgjigjur në pyetjen e KTV-së se kush paguan që ajo të shpërndahet përmes sponsorizimit.

Hoxhaj mbetet larg Pacollit për nga numri i pëlqimeve në Facebook, me vetëm 24 mijë të tilla, derisa Pacolli ka afër 123 mijë.

Faqe të sponsorizuar në Facebook e ka edhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila thotë se kryesisht e mirëmban vet, por nuk di se sa paguhet për të.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjithashtu e shpërndan faqen e tij në këtë mënyrë, derisa postimet e tij janë mjaft të pranishme në faqet e përdoruesve shqipfolës, pavarësisht nëse e keni pëlqyer apo jo. E, për shpërndarjen e faqeve në këtë mënyrë që për synim ka edhe rritjen e numrit të pëlqimeve, paguhet nga 1 deri në 100 euro në muaj.

Me 1 euro, faqja juaj mund të shpërndahet te 10 mijë përdorues, një herë brenda një muaji; e me rreth 100 euro në muaj, ajo mund të shpërndahet te 200 mijë përdorues, deri 60 herë brenda një muaji të vetëm!

Faqet e sponsorizuara u shtuan dukshëm gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale, që sigurisht do të kenë edhe një valë tjetër në zgjedhjet nacionale, që pritet të mbahen në këtë vit.

Më Shumë

41 aksidente e mbi 1 mijë gjoba trafiku për 24 orë në Kosovë

41 aksidente trafiku kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë, ku 16 prej tyre kanë qenë me të lënduar dhe 25...

Ndalohen fishekzjarrët gjatë festave të fundvitit në Prizren

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka nxjerrë urdhëresë për ndalimin e ndezjes së fishekzjarrëve dhe përdorimit të mjeteve piroteknike në hapësira publike...

Lajmet e Fundit