13.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Pritet fushatë e tensionuar

partit politike 2Fushata elektorale e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ka nisur sot, ndërsa në mungesë të ideve dhe programeve konkrete, përfaqësuesit e partive politike kanë ashpërsuar gjuhën e dialogut. Fyerjet në drejtim të rivalëve janë bërë modë e ditëve të fundit, ndërsa sipas analistëve, e gjithë kjo po ndodh në mungesë të respektimit të Kodit të Mirësjelljes. Pas përplasjeve të shpeshta ndërmjet PDK-së e LDK-së, analistët e konsiderojnë të nevojshme që Presidentja e Kosovës, të organizojë një takim me liderët e partive politike dhe nga ta të kërkojë fushatë pa sharje dhe të pranojnë epilogun e votimeve.

Eksperti për çështje zgjedhore, Xhavit Shala, ka thënë se në çdo fushatë ka retorikë të nxehtë, po kjo retorikë nuk po bëhet për gjëra parimore, programore apo për sundim të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Por më shumë, siç tha ai, po bëhet për aspekte personale por edhe nga frika se mund ta humbasin garën.

“Disa kandidatë me akuza të stilit bombastik, po tentojnë të duken së pari brenda listës së partisë politike dhe t’i amortizojnë kundërshtarët, sepse rivalë politikë ka edhe brenda listave zgjedhore”, ka thënë Shala.

Sipas tij, për të mos pasur fjalor të ashpër në fushatë, presidentja e Kosovës, është dashur ta organizojë një takim apo tryezë të përbashkët dhe të gjitha subjektet politike ta nënshkruajnë Kodin e Mirësjelljes gjatë fushatës në mënyrë që të organizohen zgjedhje të lira dhe të pranohen rezultatet e zgjedhjeve.

“Tensionet mund të ngrihen kah fundi i fushatës kur subjektet politike do ta shohin se nuk kanë aq mbështetje sa kanë pritur, edhe përfshirja e njerëzve me probleme me ligjin në lista zgjedhore, si dhe gara në mes veti mund ta ngrejë pak temperaturën elektorale.. Ajo që mund ta krijojë një hipertension politik mund të ndodhë nëse do të ketë përpjekje për manipulim në zgjedhje”, ka thënë Shala.

Megjithatë, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se PDK-ja ka agjendë pozitive dhe konkurruese, e jokonfrontuese me asnjë subjekt tjetër politik. Sipas tij, kjo parti konkurron me ofertë dhe jo me ofendim apo denigrim të kundërshtarëve politikë. “Ne konkurrojmë me ide, projekte dhe punë konkrete dhe jo denigrim apo ofendim të të tjerëve. Ne respektojmë çdo oponent politik dhe do të kontribuojmë në fushatë të qetë, konkurruese, të lirë dhe demokratike”, tha ai.

Vjosa Osmani nga LDK ka thënë se ashpërsimi i fjalorit ka filluar nga partitë që i frikësohen epilogut të zgjedhjeve, për shkak të afrimit të tyre. “Me siguri është për shkak të afrimit të zgjedhjeve, por mendoj që LDK-ja si parti institucionaliste, si parti që i çmon vlerat e familjes dhe vlerat e shtetit, nuk do të përdorë sjelljet e papranueshme”, ka thënë ajo.

Nga ana tjetër, Arbër Vllahiu nga Zyra e Presidentes së Kosovës, i pyetur nëse presidentja do t’i ftojë subjektet politike për të nënshkruar Kodin e Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore, ka thënë se presidentja do t’i respektojë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës me qëllim të garantimit të një procesi të rregullt, të qetë, gjithëpërfshirës dhe të drejtë zgjedhor. “Presidentja do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet në përputhje me ligjet e Kosovës për të garantuar një proces të pranueshëm zgjedhor”, ka thënë ai.

Driton Selmanaj nga KDI-ja ka thënë se partitë politike duhet të kursehen nga fyerjet dhe tensionet eventuale. “Në momentin kur do të fillojë zyrtarisht fushata, partitë politike duhet të tregojnë maturi politike, vlera konkurruese, të kursehen nga fyerjet dhe tensionet eventuale, të cilat mund të shkaktojnë incidente në popullatë”, ka thënë Selmanaj, duke kërkuar nga partitë që t’i respektojnë ligjet, sidomos Kodin e Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore./zeri/

Më Shumë

Sot mot me diell dhe vranësira – priten shkarkime rrufesh e breshër

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të cilat vende- vende do të...

“Ec për qytetin” – nismë e re e buxhetimit me pjesëmarrje në Komunën e Rahovecit, takimi me qytetarët më 30 korrik

“Ec për qytetin”  është nisma  më e re për t’i përfshirë sa më shumë dhe drejtpërdrejt qytetarët e komunës së Rahovecit në procesin e...

Lajmet e Fundit