18.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Prizen: Nuset e reja më nuk e duan traditën e kanës

Në Prizren, tradita e organizimit të dasmave vazhdon të mbetet e gjallë si dikur, por me modernizimin e tyre ka humbur edhe një pjesë e traditës së kësaj ceremonie.

Më të vjetrit ankohen se në dasmat e sotme shqiptare, shumica e riteve janë të huaja, të huazuara nga vendet e perëndimit apo të lindjes, kurse traditat shqiptare kanë filluar të rrënohen si pasojë e kopjimit nga popujt e tjerë. Një prej traditave të hershme është edhe lyerja me kanë, që njihet edhe si Nata e kanës. Ritet e dasmës prizrenase janë një traditë e hershme, e kultivuar me shekuj, e bartur brez pas brezi, duke futur elemente të reja. Ritet e dasmës prizrenase dikur ishin: fejesa e djalit dhe vajzës, apo si njihej ndryshe si “dhënia e dorës”, pastaj vetë përgatitjet për dasmë, caktimi i kohës së dasmës i njohur si “vade”, dërgimi i rrobave për nusen dhe niqahu etj. Edhe dita kryesore e jetës së një çifti, pra dita e dasmës së tyre kishte ceremonitë e veta. Një prej këtyre ceremonive ishte edhe vënia e kanës për nusen që do të martohej. Kjo traditë tregohet me mall nga gratë e Prizrenit.

“Nata e fundit ishte ajo kur vajzës i ngjitej kana. Kana atëbotë që përdorej ndryshe quhej edhe Kana e Çabes. Kjo ndoshta edhe për shkak të prejardhjes së saj, por ndoshta edhe për shkak të besimit që duhej ta bënte sa më të madh besimin e kanës”, tregon Nexhmije Veselaj nga Prizreni.

Kurse, e moshuara Hanife Berisha tregon se ishte krijuar një traditë se çika që njëherë ngjiste kanën, ajo më kurrë s’kishte arsye për të ngjitur kanë së dyti.

“Edhe nëse fati i saj i shkon me u martue edhe ndonjëherë tjetër për shkak të vdekjes së burrit ose ndonjë arsye tjetër, ajo më nuk mund të ngjiste kanën”, thotë Berisha.

Hasi e ruan traditën

Tradita e kanës shoqërohej edhe me një thellësi artistike. Kana e nusërisë ishte me tipare të ndryshme. Ajo kryesisht ngjitej me pika të kuqe, që do të thotë se në familjen e saj dëshironte ta linte respektin e dashurinë për familjen e babës. Ajo kanë në dorën e nuses rrinte deri në tri javë.

Berisha rrëfen se tash kanën e përdorin kryesisht më të moshuarat për ngjyrosjen e flokëve në ndonjë festë edhe për t’ia bërë ndonjë pikë në dorë si shenjë kujtimi për të kaluarën apo për ripërtëritjen e një tradite të dikurshme.

“Kanën tani po e zëvendësojnë edhe ngjyrat e ndryshme”, thotë Berisha, duke shtuar se kana e duarve ose kana e Çabes ka pasur një traditë shumë të gjatë në Prizren.

Por, kjo traditë tashmë vazhdon, ende të ruhet në disa lokalitete. Kështu, si vend që e ka ruajtur këtë traditë është lokacioni i Hasit.

Xhemilje Çoçaj tregon se kjo traditë vazhdon ende tek secila vajzë.

“Atje ruhen edhe plot këngë. Këngët e kanës kanë më shumë një dhembje të vajzës së shtëpisë”, thotë ajo.

Kana e Çabes ruhet si një traditë e besnikërisë Ngjitja e kanës është ruajtur si një traditë e lashtë, sepse vajza që po martohej me duart me kanë duhej ta linte një shenjë në familjen e vajzërisë. Dikur ka pasur raste kur vajza është kthyer në shtëpi edhe pas një viti ose edhe më gjatë, kurse shenja në derë të shtëpisë është ruajtur me kujdes, si shenj se prindërit mund ta kujtonin atë duke e parë shenjën sa herë hynin në shtëpi. Edhe tani disa nga vajzat e reja preferojë që të ngjallin disa nga traditat e vjetra edhe në kohët moderne. Ato nuk i japin rëndësinë që i jepej dikur kësaj tradite, por duan që dasmat e tyre të jenë njëkohësisht mondane dhe tradicionale. Kjo traditë u ka rënë në sy edhe artistëve të rinj, të cilët duan që këtë traditë t’ia prezantojnë botës. Kështu edhe revista me renome kanë shkruar për traditën e zbukurimit të duarve dhe fytyrës së nuseve shqiptare të Hasit.

Megjithatë, për më të moshuarat, asgjë nuk mund të zëvendësojë traditën e bukur që ka ekzistuar dikur dhe gjithçka mbetet vetëm një imtim i dobët i asaj trashëgimie të pasur.

“Dikur ajo duhej ta zbukuronte pak a shumë dorën, sepse kalonte më shumë se një muaj dhe nusja në shtëpi të burrit duhet të merrte temenanë, e zbukurimi dorës me kanë ia jepte kuptimin më shumë temenasë”, tregon Shahe Gashi.

Kjo traditë ishte përqafuar nga ë gjitha familjet shqiptare pa dallim feje.

“Po kështu ishte traditë edhe tek vajzat e besimit katolik, sepse tradita e dikurshme për nusëri ishte njëjtë pa marrë parasysh besimin”, tregon Roza Lekaj.

Por, sipas studiuesve, duket se modernizimi i dasmave ka bërë që një pjesë e traditës të mbetet më tepër si relikt i kohës.

“Për shkak se ajo kanë nuk hiqet kur të duash, shumica e vajzave as që e përdorin. Kjo tregon se një pjesë e traditës po vdes”, tregon Arbnore Kolgjerja, etnologe. /Kosova Sot/

Më Shumë

Jose Mourinho kërkohet nga skuadra e Arabisë Saudite Al-Qadsiah

Jose Mourinho është shfaqur si objektiv i skuadrës saudite të Al-Qadsiah. Ish-trajneri i Chelsea dhe Manchester United është gati të rikthehet në menaxhim pasi u...

Kuvendi i Kosovës miraton disa marrëveshje ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës ka miratuar shumicën e marrëveshjeve ndërkombëtare, ratifikimi i të cilave kishte mbetur pezull që një kohë për shkak të mungesës së...

Lajmet e Fundit