Deri dje ishin krenarë para fëmijëve për betejat e bëra e tani, pas këtyre publikimeve të listave të veteranëve mashtrues, vërtet fëmijët tanë mund të turpërohen, thonë ishluftëtarët e UÇK-së, të cilëve u ka dalë emri si mashtrues në listat e prokurorisë.
“Sot janë plot luftëtarë të betejave që ata kanë edhe plagë lufte në trup. Por, unë nuk e di kush u mor me këto veprime”, thekson për gazetën “Kosova Sot” sekretari i OVL në Prizren, Isa Berisha. Ai pohon se kjo mund të jetë çmenduria e këtyre dy dekadave.”Ata që në luftë ishin më të devotshmit për fat të keq sot u gjetën në këto lista”, është shprehur ai. Ndërsa Urim Krasniqi pohon nëse dje ishte i dobishëm, pse sot është i tepërt. “Ta lumsha Kosova ime, se një dhuratë të mirë më ke dhënë për ditëlindje”, pohon ai për “Kosova Sot”.
Futën përçarjen në shoqëri Urim Krasniqi, ish-ushtar i dëshmuar, plot pezëm, thekson:”Ju më dhatë emrin si çlirimtar, ndërsa sot më ndryshuat e më thirrin si një ‘tradhtar’! Nuk luftuam për të marrë merita e dekorata, e as për heroizëm të tepruar, ne luftuam për t’ia dhënë emrin shtetit tonë, Kosovës. Nuk jemi plaçka për të veshur e zhveshur, por jemi njerëz me identitet të pastër, e që ju përfituat e abuzuat me emrin çlirimtar! Nuk dua ta mbroj veten dhe shokët e mi, por ta luftoj përçarjen që po ndodh në këtë shoqëri”, theksoi ai për gazetë. Ai pastaj tregon se më 16 shtator e ka pasur ditëlindjen dhe në mëngjes në vend të urimit me rastin e ditëlindjes mori një lajm pikërisht shokues.
“Unë së bashku me shokët, Mirsat Berisha, Ramiz Shehi, Rafet Krasniqi, Isa Berisha, Fazli Shala, Shani Berisha, edhe disa shokë të tjerë, ishim në mesin e veteranëve të rrejshëm. Të them të drejtën nga njëra anë po më vjen mirë, se një iniciativë për verifikim ka filluar, por po shpresoj që ta vazhdojnë këtë deri në fund. E unë publikisht po deklarohem se nëse unë dhe këta shokët e mi jemi veteranë të rrejshëm, jo që do të largohemi nga statusi, por do ta lëshoj edhe Kosovën. Sepse një veteran i rrejshëm nuk duhet të kishte fytyrë të vazhdojë të jetojë më në këtë vend”, është shprehur ai. Janë prekur në ndjenja sublime E sa për këto lista të publikuara, nëse nuk janë zyrtare e publikohen në këtë formë, Krasniqi shprehet se duhet të kërkojnë falje publikisht ose do të përballet me drejtësinë.
“Unë kërkoj nga të gjithë veteranët e vërtetë të UÇK-së që të thirret një protestë simbolike pranë Qeverisë së Kosovës dhe të dalë prokurori, i cili ka e publiku këtë listë dhe të kërkojë falje publike për këtë lëshim që ka prekur ndjenjat më sublime të një çlirimtari”, tregon ai, Mirëpo, shumë i indinjuar ndihet edhe sekretari i OVL-së, Isa Berisha. Ai tregon se pos tij që është në atë listë të çmendur është edhe kryetari i OVL-së, komandant Selim Krasniqi. “Nuk dua shumë të komentoj këtë, por e di se kjo duhet të tejkalohet, sepse na ka krijuar trishtim të shpifur”, tha ai për gazetën. Në këtë gjendje ishin ndier edhe plot luftë- tarë lirie që në luftë ishin shembull e tani dalin në ato lista.
(Kosova Sot)