Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar që dy zyrtarët policorë, Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi, që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Një propozim të tillë, e ka dhënë prokurorja Ervehe Gashi, në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ku është dhënë fjala përfundimtare në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tafolli dhe Krasniqi, akuzohen se e kanë liruar një veturë të vetaksidentuar, megjithëse ajo ka rezultuar e pazhdoganuar.
Prokurorja Gashi, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare, kërkoi nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësja Ajser Skenderi, që gjatë marrjes së vendimit të ketë parasysh të gjitha provat dhe dëshmitarët e dëgjuar gjatë këtij gjykimi, të cilët sipas saj, e kanë vërtetuar fajësinë e të akuzuarve në fjalë.
“Në këtë çështje penale, pas administrimit të të gjitha provave, si dhe pas analizimit të këtyre provave, prokuroria konsideron se në veprimet e këtu dy të akuzuarve Tafolli dhe Krasniqi, qëndrojnë elementet e veprës penale. Për më tepër, nëse i analizojmë elementet e veprës penale nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe veprimet e të akuzuarve të ndërmarra në ditën kritike, ato konsistojnë në veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, ka thënë prokurorja Gashi.
Përfaqësuesja e akuzës, ka thënë se në këtë rast të akuzuarit në fjalë, kanë bërë favore në ditën kritike që siç tha ajo, nuk kanë shqiptuar tiketë të kundërvajtjes ndaj drejtuesit të automjetit të pazhdoganuar.
“Fakti se të akuzuarit nuk e kanë ditur së automjeti ka qenë i pa zhdoganuar, gjykata nuk duhet t’ia falë besimin, pasi që në deklaratën e dëshmitarit Flamur Kuqi, thuhet se ai u ka treguar atyre se ajo veturë është e pa zhdoganuar”, ka thënë prokurorja Gashi.
Ajo ka thënë se në ditën kritike të akuzuarit nuk e kanë përmbushur as detyrën e tyre themelore, me të cilën, sipas prokurores, ata kanë dështuar ta bëjnë identifikimin e personit të hasur në vetaksident, i cili sipas shkresave të lëndës nuk ka pasur dokumentacion identifikues, duke e lejuar atë të largohet nga vendi i ngjarjes.
Pas dëgjimit të prokurores Gashi, fjalën përfundimtare në formë të shkruar, e ka dorëzuar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Tafolli, avokati Arben Ramadani, i cili ka thënë se në veprimet e të akuzuarve nuk janë formuar elementet e veprës penale, si dhe nga gjykata ka kërkuar që të merret aktgjykim lirues.
“Gjatë seancave gjyqësore dhe pas analizimit të të gjitha provave, nuk është provuar se i akuzuari Flurim Tafolli, ka kryer veprën penale. I mbrojturi im në ditën kritike i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura që kanë të bëjnë me detyrat e tij zyrtare, në të cilën e ka bërë fotografimin nga vendi i ngjarjes. Në përshkrimin e aktakuzës, mungojnë elementet e veprës penale pasi që në aktakuzë nuk e kemi as të vetmen provë që do t’i bënte përgjegjës ata”, ka thënë avokati Ramadani.
I akuzuari Tafolli, ka thënë se pajtohet tërësisht me fjalët e mbrojtësit të tij, dhe siç ka thënë ai, se të gjitha veprimet që i ka ndërmarrë në ditën kritike, kanë qenë në kuadër të ligjit që e obligon atë.
Në anën tjetër, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Asman Hoxha, fjalën përfundimtare e ka dorëzuar në formë të shkruar, me anë të së cilës ka thënë se në këtë rast nuk ka vepër penale.
“Akuza si e tillë është e pa qartë, dhe e pabazuar, pasi që nuk paraqet asnjë vepër penale e cila është e paraparë me ligj. Këtu nuk kemi vepër penale, në këtë rast duhet të ekzistojë shkelja nga ligjet e posaçme, të cilat shkelje do të përbënin veprën penale të Keqpërdorimit. Prokuroria në asnjë moment nuk ka arritur të precizoj se me cilat veprime të akuzuarit i kanë tejkaluar apo e kanë keqpërdorur detyrën e tyre, andaj kërkoj nga gjykata që në matjen dhe shqiptimin e dënimit, ndaj të akuzuarve të merr aktgjykim lirues”, ka thënë avokati Hoxha.
Fjalën e mbrojtësit të tij, e ka përkrahur edhe i akuzuari Rexhep Krasniqi.
Pas dëgjimit të palëve, gjykatësja Ajser Skenderi, e ka shpallur të përfunduar këtë çështje penale, dhe siç tha ajo, aktgjykimi për këtë rast do të shpallet më 3 prill 2019, prej orës 13:15.
Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 26 shkurt 2018, me të cilën të pandehurit akuzohen se duke vepruar në cilësinë e zyrtarëve policorë, më 12 shtator 2017, kanë liruar një veturë të vetaksidentuar, megjithëse e njëjta ka rezultuar e pazhdoganuar.
Sipas aktakuzës, në automjetin e liruar nga të pandehurit kanë qenë të vendosura tabelat e regjistrimit të një automjeti tjetër, andaj sipas organit të akuzës, ata është dashur ta dërgojnë automjetin në terminal doganor, e jo ta lirojnë. /Betimipërdrejtësi