Prokuroria Themelore në Prizren ka ndërmarrë një sërë veprimesh gjatë 24 orëve të fundit, duke përfshirë ndalime, kërkesa për paraburgim dhe ngritje aktakuzash për disa persona të dyshuar për vepra penale të ndryshme.
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Sipas njoftimit zyrtar, Departamenti i Përgjithshëm ka ndaluar për 48 orë dy persona në dy raste të ndara. Njëri person është ndaluar nën dyshimin për kryerjen e veprave penale ngacmim seksual, posedim i paautorizuar i narkotikëve, si dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë. Personi tjetër është ndaluar për veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj dy personave për shkak të dyshimit për përfshirje në veprën penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës.
Në kuadër të veprimeve të saj, Prokuroria ka ngritur pesë aktakuza ndaj gjashtë personave për vepra të ndryshme penale. Dy aktakuza janë ngritur kundër dy personave për posedim të paautorizuar të narkotikëve; një aktakuzë për dy persona për shmangie nga tatimi; një aktakuzë për një person për rrezikim të trafikut publik dhe një aktakuzë për një person tjetër për kanosje.
Prokuroria Themelore në Prizren vazhdon të ndërmarrë veprime konkrete në funksion të sundimit të ligjit dhe ndjekjes së veprave penale në juridiksionin e saj.