19.4 C
Prizren
E mërkurë, 18 Qershor, 2025

Prizren: Restaurimi i Xhamisë së Bajraklisë në dorë të agjencisë turke

Kërkesa e Këshillit të Bashkësisë Islame për restaurimin e Xhamisë së Gazi Mehmed Pashës apo Xhamisë së Bajraklisë në Prizren është miratuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore.

Punimet për restaurimin e këtij monumenti të trashëgimisë kulturore parashihet të fillojnë në pranverë të këtij viti, nëse deri atëherë përmbyllen të gjitha procedurat e prokurimit.

Shpenzimet e realizimit të këtij projekti do t’i mbulojë Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Kjo e fundit, në qershor të vitit të kaluar, kishte nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkësinë Islame të Kosovës për restaurimin e kësaj xhamie. Ndërhyrjet e fundit restauruese në këtë monument ishin bërë çerekshekulli më parë.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së QRTK-së në Prizren, Fitore Bytyqi ka konfirmuar miratimin e kërkesës për restaurimin e Xhamisë së Bajraklisë, duke theksuar se sipas projektit të paraqitur “bëhet fjalë për restaurimin e përgjithshëm të kompleksit të Xhamisë së Gazi Mehmed Pashës”.

Ajo ka shtuar se në projekt nuk është prezantuar parallogaria, pasi që ky projekt do të financohet nga TIKA dhe Qeveria e Turqisë, që kanë standarde të unisuara të çmimeve për çdo pozicion si njësi bazë.

“Të gjitha punimet e projektit dhe restaurimit do të mbulohen nga TIKA. Ndërkaq QRTK-ja ka kërkuar që gjatë punëve restauruese të zbatohen të gjitha dispozitat e paraqitura në projekt dhe projekti të realizohet nën mbikëqyrjen e QRTK-së në Prizren”, është shprehur Bytyqi.

Sekretari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Orhan Bislimaj, ka theksuar se Xhamia e Gazi Mehmed Pashës apo Bajraklisë është njëra prej xhamive kryesore të Prizrenit, si në kohën e Perandorisë Osmane ashtu edhe sot.

Më Shumë

Të zhdukurit në Prizren gjenden pas dy ditësh, kthehen në shtëpi

Personat që ishin raportuar të zhdukur më 10 qershor 2025 në Prizren janë gjetur dhe janë kthyer pranë familjes ka njoftuar Policia e Kosovës. Rasti...

Dështon edhe përpjekja e 32-të e konstituimit të Kuvendit të Kosovës

Deputetët vazhdojnë të dështojnë ta konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës edhe katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit,...

Lajmet e Fundit