Në fshatrat e Prizrenit mund të gjesh ato që njihen si “rrugë e jetës”. Në të kaluarën, familjet i dërgonin fëmijët e tyre të porsalindur dhe i linin në rrugë deri para agimit, kurse kalimtari i parë që e gjen këtë fëmijë e emëron me emrin e vet dhe bëhet kumbarë. Kjo bëhet për të larguar të ligën nga fëmijët e porsalindur. Por, gjurmë të këtyre besimeve kanë mbijetuar edhe në ditët moderne. Ndryshe, në të kaluarën një ndër mitet që qarkullonte në popull është ai për kuçedrën që i ha fëmijët. Kuçedra në mitologji është një qenie me pamje rrëqethëse. Ajo herë përfytyrohet si një grua e thinjur, trupmadhe, me gjoks të varur ose si një gjarpër shumë i madh me 7 gjer më 12 kokë, që nxjerr flakë nga goja. E moshuara Azemine Gashi tregon për “Kosova Sot” se ky është një ritual shumë i lashtë, por që manifestohet aty-këtu edhe në ditët e sotme, shkruan gazeta Kosova Sot.
Ajo tregoi edhe për besimin se patkoi sjell fat dhe mbarësi në familje.
“Kur e hasim patkoin që i ka rënë kalit, mund të kuptojmë se do të kemi apo s’do të kemi fat në të ardhmen”, rrëfen Gashi, duke shtuar se kjo varet nga ajo se në çfarë pozite është patkoi. Nëse është në pozitë të mbarë, patkoi merret dhe ruhet, por në qoftë se është i kthyer mbrapsht, atëherë jo që nuk bën të merret, por as edhe të preket me dorë. Ndryshe, sot e kësaj dite mund të gjendet nëpër fshatrat e rrethit tonë patkoi i varur nëpër dyert e mëdha të oborrit, apo në dyert e shtëpive. “Po, patkoi nëse gjendet në rrugën e mirë, pra në ato rrugë ku vendosen fëmijët, ka më shumë fat”, tregon e moshuara Azemine. Për rrugët e jetës flasin edhe të moshuara të tjera nga ky rajon. “Asaj familje që nuk i jetojnë fëmijët, e dërgojnë foshnjën dhe e lënë deri para agimit. Kalimtari i parë që e gjen këtë fëmijë e emëron me emrin e vet dhe bëhet kumbarë i asaj familje”, tregon Hanëmshahe Berisha nga Brestovci, e cila tash jeton në Prizren.
Vizita e shtatzënave te gurët
Edhe rituali për shtatzënat është i stërlashtë dhe e hasim në trevën tonë. Në këto fshatra malore gjendet një vend me gurë, ku në të ka një shpellë që populli e quan Guri i Hasit, Guri i Gjermanit e kështu me radhë. Këto vende vizitohen shpeshherë nga gratë shtatzëna, të cilave nuk u rrojnë fëmijët ose të cilat lindin para kohe. Te gurët e përmendur shkojnë gratë shtatzëna, të shoqëruara nga një grup vajzash të rritura, që sipas zakonit duhet të jenë shtatë, sepse në popull besohet se numri tek sjell fat. Por, ndodh që me ta të shkojnë edhe gra plaka ose vjehrra. Te Gurët e përmendur qepin këmishë prej shtatë pjesësh të pëlhurës, e këtë ia veshin fëmijës pasi të lindet. Në këtë vend i ziejnë 9 kokrra vezë të freskëta, të cilat shtatzëna i ha, por ndodh që edhe të tjerët të hanë vezë, ngase besohet se do të lindë fëmijën në nëntë muaj.
Po te ky gur ndodh që të marrin tre guralecë dhe t’i qepin në një leckë prej pëlhure, dhe shtatzënës ia lidhin për brezi, e cila atë e bart derisa të lindë fëmijën. Për këtë leckë prej pëlhure në popull besohet se fëmija që do të lindë do të jetë i fortë si gur dhe do të jetojë sa Guri i Hasit ose i Gjermanit. Në këso raste shtatzëna rrotullohet rreth e përqark gurit me nijetin e vetëm, duke thënë: rrnofsh sa ky gur. Praktikohet që te Gurët e përmendur të therin shpend shtëpiak, siç është gjeli, dhe ashtu të therur e lënë aty. Nëse vendosin që fëmijën ta pagëzojnë para se të lindë, atëherë duke u kthyer për në shtëpi njeriun e parë që e takojnë gjatë rrugës, ndalen dhe e pyesin se si e ka emrin. Në pajtim me udhëtarin e rastit, fëmijën e pagëzojnë para se të lindë, e kjo ndodh edhe sot e kësaj dite me ato gra të cilave nuk u rrojnë fëmijët dhe të cilat e praktikojnë këtë lloj rituali. Pasi lind fëmija, atë që e kanë takuar në rrugë e bëjnë kumbarë të fëmijë.
40 ditët kritike të të porsalindurve
Në popull hasen rituale të shumta për fëmijët që nuk i kanë mbushur ditët. Veçanërisht kërkohet kujdes në 40 ditët e para pas lindjes. “Tri vajza të bëshme e të shëndosha apo e ëma së bashku me ta, e marrin fëmijën dhe e çojnë te ndonjë varr i paditur apo i panjohur dhe atë qoftë në fshatin ku jetojnë ose diku afër ndonjë fshati”, tregojnë plakat Azemine Gashi e Fahrije Berisha. Sipas tyre, foshnjën s’duhet lënë vetëm as ditën, as natën, pa i mbushur gjashtë javë, sepse mund të vijnë zanat e ta shitojnë, ta ndërrojnë me fëmijën e vet, e marrin foshnjën dhe e lënë të vetin. Mu për këtë ndër kokën e fëmijës, nën jastëk, vendoset një thikë, një shtambë e mbushur me ujë, si dhe një krehër të shpeshtë, ngase besohet se këto sende e mbrojnë fëmijën nga gjërat e këqija. “Gjatë natës fëmijën e mbulojnë me tesha të zeza, në zinxhirin e zjarrit varin një kusi të zezë. Gjatë natës digjet një dritë, qoftë kandil, qiri, llambë vajguri apo gackë vaji, ngase shpirtligat ikin prej gjërave të zeza si dhe prej dritës”, tregojnë këto të moshuara. Ndërsa, Magjun Gashi, nga Landovica, tregon se ka pasur raste kur fëmijët janë bërë me emra të besimeve të tjera fetare. “Ka rastisur që udhëtari të jetë katolik dhe fëmija, edhe pse me prindër myslimanë, ka marrë emrin e udhëtarit”, na thotë Gashi.
(Kosova Sot)