24.3 C
Prizren
E diel, 3 Gusht, 2025

Prizren: Të premten shpallet aktgjykimi ndaj zyrtarit policor, që akuzohet për marrje ryshfeti

Ka përfunduar gjykimi ndaj zyrtarit policor Elmi Krasniqi, i akuzuar për marrje ryshfeti. Në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren, palët në procedurë kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare.

Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, ka kërkuar që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. Ajo ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se i akuzuari në cilësinë e personit zyrtar, ka kërkuar dhe pranuar ryshfet në mënyrë që të mos e kryejë punën e tij zyrtare.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Naim Qelaj, ka deklaruar se me asnjë provë nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprimet që përshkruhen në aktakuzën e Prokurorisë. Sipas tij, edhe vet provat në shkresat e lëndës janë kontradiktore pasi që flasin për dy data të ndryshme se kur është kryer vepra penale. Ai ka shtuar se nga dëshmitarët është vërtetuar se i dëmtuari nuk ka qenë i sigurt me rastin e identifikimit dhe nuk ka bërë përshkrimin e personit që ia ka marrë paratë, para se të takohej me klientin e tij. Andaj, ai ka kërkuar që ai të lirohet në mungesë të provave.

Më pas ka marrë fjalën sërish prokurorja Gashi e cila ka thënë se çështja e datave është gabim teknik dhe një gjë të tillë, sipas saj, e sqaron edhe kallëzimi penal në të cilin shkruan se data e kryerjes së veprës penale është 2 gushti 2016.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i avokatit Qelaj i cili ka thënë se kallëzimi penal nuk është provë dhe se është i bindur se klienti i tij, është intervistuar për herë të parë, rreth këtij rasti, më 1 gusht 2016.

Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, ka shpallur të përfunduar gjykimin në këtë rast penal, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 19 maj 2017, në ora 15:00.

Prokuroria Themelore në Prizren, në fund të tetorit 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Elmi Krasniqi, të cilin e akuzon se ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Sipas aktakuzës, Elmi Krasniqi, në cilësinë e zyrtarit policor, gjatë patrullimit në autostradën “Ibrahim Rugova”, ka ndaluar të dëmtuarin Ismet Gjeliloviq, për tejkalim shpejtësie. Tutje përshkruhet se i akuzuari i ka thënë të dëmtuarit se në rrugën ku lejohet shpejtësia 100 km/h, ka zhvilluar shpejtësi prej 163 km/h dhe se duhet të paguajë 95 euro dënim.

Por, sipas organit të akuzës, i akuzuari Krasniqi, i ka thënë të dëmtuarit Gjeliloviq se mund ta mbyllin çështjen miqësisht, nëse ai i jepte atij 50 euro. I dëmtuari, pasi ia ka dhënë të akuzuarit paratë prej 50 euro, menjëherë ka shkuar në stacionin policor në Malishevë, ku edhe e ka paraqitur rastin./betimiprdrejtesi/

Më Shumë

Dënimi i Pleskoviq: ‘Mi ka myt djemtë’, rrëfehet nëna për vrasjen e binjakëve të saj

Familjarët e binjakëve Daçaj kanë shprehur pakënaqësi pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Millosh Pleskoviqit, i cili u dënua me 15 vjet burgim për krime...

Vrasja e tre civilëve gjatë luftës në Prizren, Millosh Pleskoviq dënohet me 15 vjet burgim

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe dënuar me 15 vjet burgim Millosh Pleskoviqin, i akuzuar për krime lufte në Kosovë. Sipas aktakuzës,...

Jeta me harrimin

Lajmet e Fundit