-5.3 C
Prizren
E enjte, 1 Janar, 2026

Prizren: Togeri i Policisë, Habib Morina kërkon që të lirohet nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Togeri i Policisë së Kosovës, Habib Morina në seancën e së premtes ka kërkuar nga trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prizren që të lirohet nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në fjalën e tij përfundimtare, Morina ka thënë se të gjitha veprimet procedurale në natën kritike, ku akuzohet se ka favorizuar një të dyshuar për vjedhje, i ka ndërmarrë në bazë të ligjit dhe kompetencave që ka pasur si udhëheqës i stacionit policor, ndërsa për veprimet që pretendohen si të parregullta, sipas tij, i ka ndërmarrë sipas urdhërave të prokurorit kujdestar.

Tutje Morina ka thënë se në natën kritike, përderisa ai ka qenë i autorizuar të udhëheqë me stacionin policor në Suharekë, në rastin konkret i është përzier në kompetenca një koleg i tij, i cili pa u konsultuar me të u ka dhënë urdhëra policëve në teren, e të cilat kanë qenë në kundërshtim me urdhërat e prokurorit kujdestar dhe ligjin.

Sipas të akuzuarit, organi i akuzës nuk ka arritur të vërtetojë më asnjë provë se ai e ka njohur të dyshuarin Miftar Papaj, për t’i mundësuar favore apo që të tregojnë motivin që ka pasur për ta dëmtuar personin të cilit i është vjedhur çimento.

Ai ka shtuar se sikur organi i akuzës apo Inspektorati Policor i Kosovës, gjatë hetimeve të kishin marrë regjistrat e bisedave telefonike të telefonit kujdestar të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe telefonit të tij, do të vërtetohej pretendimi i tij që nga fillimi i rastit se veprimet i ka marrë në konsultim me prokurorin kujdestar.

Sipas tij, gjatë natës kritike dy herë ka biseduar me prokurorin kujdestar, e të cilat do të dëshmoheshin nga regjistrat e bisedave telefonike, por megjithëse ka kërkuar të merren nga operatori i telefonisë, një gjë e tillë nuk është bërë, andaj ka qenë e pamundur që një fakt të tillë ta provojë në gjykatë, pasi që regjistrat e tillë nuk ruhen për periudha të gjata.

Në anën tjetër, prokurori i rastit, Mehdi Sefa ka deklaruar se gjatë rigjykimit të të akuzuarit, me respektimin e vërejtjeve të Gjykatës së Apelit të dhëna në vendimin për rigjykim, duke dëgjuar disa dëshmitarë dhe duke nxjerrë disa prova, me padyshim është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Prokurori Sefa ka thënë se i akuzuari as gjatë gjykimit të parë e as gjatë gjykimit të dytë, nuk ka arritur të dëshmojë se ka biseduar me prokurorin kujdestar në natën kritike, andaj ka kërkuar nga trupi gjykues të mos i besojnë një mbrojtjeje të tillë dhe ta dënojnë sipas ligjit.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Xheladin Osmani, shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 25 korrik 2018, në ora 9:30.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur ndaj Habib Morinës, të cilin e akuzon se duke vepruar në cilësinë e zyrtarit policor, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare. Sipas aktakuzës, Morina, me qëllim që t’i shkaktojë përfitim material Miftar Papës, ka lejuar që i njëjti të largohet me 39 thasë çimento të vjedhur, me ç’rast i ka shkaktuar dëm Nuhi Bytyqit.

Aktakuza përshkruan se si pala e dëmtuar Nuhi Bytyqi nga Suhareka, kishte lajmëruar rastin në Stacionin Policor të Suharekës, për vjedhjen e 39 thasëve çimento nga oborri i shtëpisë së tij.

Sipas aktakuzës, në të njëjtën kohë, gjatë një pike kontrolli është ndaluar Miftar Papaj, i cili kishte të ngarkuar në automjet 39 thasë çimento, mirëpo rreshteri Morina nuk kishte lejuar që i njëjti të ndalohej dhe të konfiskohej sasia e çimentos së bashku me automjetin.

Përndryshe, i akuzuari Habib Morina, më 29 shtator 2017, ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe ishte dënuar me 2 mijë euro gjobë.

Fillimisht, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Xheladin Osmani, të akuzuarin Morina e kishte dënuar me burgim efektiv prej gjashtë muajsh, por me kërkesë të të akuzuarit, dënimi me burgim prej gjashtë muajsh i ishte zëvendësuar me dënim me gjobë prej 2 mijë euro.

Mirëpo, Gjykata e Apelit duke vendosur sipas ankesës së të akuzuarit Morina, më 30.01.2018, ka vendosur që të anulojë aktgjykimin e shkallës së parë dhe rastin ta kthejë në rishqyrtim dhe rivendosje.

Sipas Apelit, arsyetimi i aktgjykimit të shkallës së parë është në kundërshtim me përshkrimin faktik nga dispozitivi i aktakuzës, sepse në aktakuzë nuk flitet për mos zbatim të urdhrave nga togeri Afrim Sylaj, i cili poashtu nuk është dëgjuar për të vërtetuar gjendjen faktike.

Apeli poashtu ka thënë se për të vërtetuar se i akuzuari ka keqpërdorur pozitën e ti zyrtare, duhet të dëshmohet nëse ka pasur apo jo të drejtë të ndërmarrë veprimet që i ka ndërmarrë në natën kritike apo cilat janë veprimet që nuk i ka ndërmarrë, duke i ndërlidhur  me dashjen e tij për të përfituar dikush apo për të dëmtuar dikë./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Në Prizren sekuestrohen dy armë dhe municion, ndalohen dy persona

Policia e Kosovës ka sekuestruar dy armë zjarri dhe disa paketa me municion, ndërsa ka ndaluar dy persona pas një ngjarjeje me të shtëna...

Plagosja në Duhël të Suharekës, pesë të arrestuar

Pesë persona janë arrestuar si të dyshuar për një rastin e plagosjes që ndodhi dje në fshatin Duhël të Suharekës. Sipas raportit 24-orësh të policisë,...

Lajmet e Fundit