18.7 C
Prizren
E martë, 8 Korrik, 2025

Prizren,dëshmitari thotë se me urdhër të policit e liroi veturën e pazhdoganuar

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, në seancën e së premtes, ka dhënë dëshminë e tij Xhevat Kabashaj, në rastin ku të akuzuar për keqpërdorim detyre, janë zyrtarët policorë, Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi.

Tafolli dhe Krasniqi, akuzohen se e kanë liruar një veturë të vetaksidentuar, megjithëse ajo ka rezultuar e pazhdoganuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Xhevat Kabashaj, ka dëshmuar në cilësinë e punëtorit të firmës “Xoni”, në Suharekë, e cila është e autorizuar nga policia për bartje të automjeteve të konfiskuara.

Kabashaj, tha se kjo firmë, e ka edhe parcelën ku i vendosin veturat e konfiskuara.

Në pyetjet e prokurores Ervehe Gashi, se me urdhër të kujt ishte liruar vetura, e cila është bartur me mjet, dëshmitari ka thënë se një urdhër të tillë e ka marrë nga i akuzuari Tafolli përmes telefonit.

“Atë ditë kam pasur shumë thirrje telefonike, mirëpo Flurim Tafolli, nëpërmjet telefonit më ka thënë qe ajo veturë të lirohet. Po ashtu edhe Flamur Kuqi, pronari i veturës në fjalë, më ka thirr në telefon dhe më ka thënë që ta lirojë veturën, pasi që sipas tij, ai e kishte kryer punën me policinë”, tha dëshmitari Kabashaj.

Prokurorja Gashi, e ka pyetur dëshmitarin se çka kërkohet të përmbushet atëherë kur kërkohet lirimi i veturës, Kabashaj, tha se në atë moment duhet të jetë nënshkrimi i policit që e liron veturën, e në këtë rast, sipas tij, nuk ka pasur një të tillë.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Tafolli, avokati Arben Ramadani, e ka pyetur dëshmitarin Kabashaj, nëse bartjen e automjetit e ka bërë me kërkesë të personave zyrtarë apo privatë.

“Automjetin e kam bartur me kërkesën e pronarit Flamur Kuqi, i cili më është drejtuar nëpërmjet telefonit, si dhe nuk kam pasur kërkesë me shkrim nga ana e policëve për bartjen e tij”, tha dëshmitari Kabashaj.

Ai tha, se edhe me kërkesë të personave privatë mund të bëjnë bartjen e automjeteve.

Ndërkaq, në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Rexhep Krasniqi, avokati Asman Hoxha, se me kërkesën e kujt e ka liruar veturën, Kabashaj, tha se atë e ka bërë me kërkesën e të akuzuarit Tafolli.

Seancën e radhës, ku pritet të dëshmojnë edhe dy dëshmitarë të tjerë, gjykatësja Ajser Skenderi, e ka caktuar më 12 mars 2019, nga ora 09:00.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 26 shkurt 2018, me të cilën të pandehurit akuzohen se duke vepruar në cilësinë e zyrtarëve policorë, kanë liruar një veturë të vetaksidentuar,  megjithëse e njëjta ka rezultuar e pazhdoganuar.

Sipas aktakuzës, në automjetin e liruar nga të pandehurit kanë qenë të vendosura tabelat e regjistrimit të një automjeti tjetër, andaj sipas organit të akuzës, ata është dashur ta dërgojnë automjetin në terminal doganor, e jo ta lirojnë.

Më Shumë

Moti sot: Me diell dhe vranësira të shpërndara, temperaturat deri në 33 gradë Celsius

Sot mbi Kosovë parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorlogjik të Kosovës, temperaturat minimale do të lëvizin...

Godwin Chibueze Chukwu zyrtarisht te Prizreni

Prizreni ka zyrtarizuar transferimin e mesfushorit Godwin Chibueze Chukwu, i cili i bashkohet skuadrës bardhekaltër pas një sezoni mbresëlënës në Ligën e Dytë. “Godwin Chibueze...

Lajmet e Fundit