Për shkak të një defekti në pompën e naftës së kalldajës dhe mungesës së energjisë elektrike, sot dhe nesër nuk do të zhvillohet procesi mësimor në shkollën “22 Dëshmorët” në Randobravë, pasi nuk ka ngrohje në objekt.
Ndërkohë, shkolla “Hysen Rexhepi” në qytetin e Prizrenit po punon me orar të shkurtuar për shkak të disa punimeve për ndërtimin e sallës së edukatës fizike, ku ndodhet edhe ngrohtorja e kësaj shkolle.
Sipas drejtorit të shkollës “22 Dëshmorët” në Randobravë, Hazer Shala, mësimi nuk ka mundur të zhvillohet sot dhe do të shtyhet edhe për ditën e nesërme, për shkak të defektit në pompën e naftës dhe mungesës së energjisë elektrike. Drejtori konfirmoi për TV Prizreni se procesi mësimor do të rifillojë vetëm pasi të zgjidhen këto probleme teknike.
Në shkollën “Hysen Rexhepi” në lagjen Ortakoll, ka pasur gjithashtu probleme me ngrohjen për një periudhë kohore. Drejtoresha e shkollës, Lumnije Rakaj, njoftoi se mësimi po zhvillohet me orar të shkurtuar për shkak të punimeve për ndërtimin e sallës së edukatës fizike, ku ndodhet ngrohtorja e shkollës. Ajo theksoi se aktualisht po punohet për kalimin në një sistem ngrohjeje me pelet, çka do të mundësojë zhvillimin normal të mësimit që nga dita e hënë.
Kjo situatë është konfirmuar edhe nga Drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj-Gutaj, e cila theksoi se problemet do të zgjidhen shpejt dhe nga e hëna mësimi në këto dy shkolla do të kthehet në normalitet. Ajo shtoi se përveç këtyre dy shkollave, nuk ka pasur raporte për telashe me ngrohjen në institucionet e tjera arsimore të komunës së Prizrenit./TV Prizreni
Marketing
Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”