10.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Prokuroria kërkon dënimin e Bujar Hasanit

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Mehdi Sefa, të premten, ka kërkuar që të dënohet ish-drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prizrenit, Bujar Hasani dhe inspektorit të kësaj komune, Enver Bytyqi, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Hasani akuzohet edhe për uzurpim të pronës komunale.

Prokurori Sefa, gjatë fjalës përfundimtare, të dhënë para trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Prizrenit, ka thënë se pas administrimit të provave gjatë shqyrtimit gjyqësor, me padyshim është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen.

Prokurori Sefa, tutje ka thënë se është vërtetuar se pronar i lokalit “Fellas” është i akuzuari Bujar Hasani, ndërsa lokalin e menaxhon djali i tij, Gurash Hasani dhe se nuk ka pasur leje lokali për vendosjen e karrigeve pranë lokalit në hapësirë prej rreth 47 metra katrorë, e në asnjë mënyrë nuk ka pasur të drejtë ta mbyllë atë hapësirë me konstruksion metalik.

Ai ka thënë se ish-drejtori i inspektorëve të komunës, Hasani, ka pasur për detyrë që të ndërmarrë masa për largimin e një konstruksioni të tillë metalik për të liruar hapësirën publike që gjendet edhe në zonën e mbrojtur të qytetit, por nuk ka vepruar pasi që i njëjti është biznes familjar.

Prokurori ka kërkuar që të dënohet edhe inspektori komunal, Enver Bytyqi për shkak të mos veprimit të tij në heqjen e konstruksionit metalik të lokalit në fjalë, megjithëse ai dhe ish drejtori Hasani, ishin lajmëruar për një uzurpim të tillë të pronës publike nga ish Drejtori i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Samir Hoxha, në dhjetor 2014.

Në anën tjetër, avokati Hazër Susuri, i cili mbron të akuzuarin Hasani, ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor me asnjë provë nuk është arritur të dëshmohet se i mbrojturi i tij, të ketë kryer veprat penale me të cilat akuzohet.

Susuri ka thënë se hapësira për të cilën prokuroria pretendon se është e uzurpuar, në të vërtetë ka leje për shfrytëzimin e saj dhe se nuk ka pasur asnjë proces të cilësdo drejtori komunale për largimin e tyre. Andaj ai ka kërkuar që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuzat që i ngarkohen sepse organi i akuzës nuk ka arritur t’i provojë ato gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit, Enver Bytyqi, avokati Skender Morina, ka kërkuar që klienti i tij të lirohet nga akuzat sepse nuk është dëshmuar që ai është fajtor për mos largimin e konstruksionit metalik, siç pretendohet nga organi i akuzës.

Morina ka thënë se klienti i tij ka qenë përgjegjës vetëm për inspektimin e ndërtimeve të forta me karakter të përhershëm e jo të atyre me karakter të përkohshëm ashtu siç edhe është konstruksioni metalik i lokalit në fjalë, për të cilin flet aktakuza.

Ish-drejtori, Bujar Hasani, gjatë fjalës së tij përfundimtare ka thënë se nuk i ka mundësuar asnjë favor lokalit të djalit të tij, por se në atë mënyrë punojnë të gjithë lokalet e qytetit, ndërsa për ato hapësira merren leje nga organet komunale andaj nuk ka lidhje me uzurpim.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Ajser Skenderi, ka shpallur të përfunduar këtë gjykim, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 26 shkurt 2018, në ora 14:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 gusht 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Bujar Hasani, të cilin e akuzon se nuk ka vepruar brenda përgjegjësive që ia jep ligji, me qëllim të përfitimit material për vete.

Sipas aktakuzës, Hasani, si drejtor i inspektorateve, nuk ka vepruar për të larguar konstruksionin metalik të lokalit “Fellas”, të ndërtuar kundërligjshëm në Zonën Historike të Prizrenit, e pronar i të cilit lokal është vet ai.

Po ashtu, Enver Bytyqi, akuzohet se duke qenë në cilësinë e inspektorit të ndërtimit, me qëllim nuk ka iniciuar procedurën për heqjen e konstruksionit metalik të lokalit në fjalë, me ç’rast i ka mundësuar përfitim material të akuzuarit Hasani, të cilin e ka pasur drejtor./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Policia shqipton mbi 1 mijë e 300 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1391 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

1 Maji, Kurti thërret për solidaritet dhe organizim sindikal

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ka treguar për rezultatet e qeverisjes së tij në ekonomi, punësim dhe ngritjen e...

Ylli në finale

Lajmet e Fundit