“Hasi Jehon” çel siparin, mbrëmë nisi nata e parë e festivalit treditor në Gjonaj

Mbrëmjen e së premtes, në fshatin Gjonaj të Hasit, filloi edicioni i 37-të i festivalit tradicional folklorik “Hasi Jehon”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Të pranishëm në këtë mbrëmje ishin një numër i madh qytetarësh, si dhe përfaqësues institucionesh dhe ansamblesh nga troje të ndryshme shqiptare.

Kjo ngjarje artistike, si çdo vit, nisi me defileun e ansambleve pjesëmarrëse, si dhe me një performancë muzikore me kavall nga përfaqësuesit e SHKA “Malësori”, në nder të kolegut të tyre të ndjerë, instrumentistit dhe valltarit hasjan, Besnik Osmanollaj.

Në vazhdim, anëtarët e kësaj shoqërie, rapsodët Përparim Brati dhe Avni Metalia, të përlotur në skenë, interpretuan një këngë kushtuar artistit të ndjerë.

Ndërkaq, një fjalë rasti për të pranishmit mbajti kryetari i SHKA “Malësori” dhe drejtuesi i festivalit “Hasi Jehon”, Haziz Hodaj.

E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prizren, Ajlin Shishko, e cila theksoi se “Hasi Jehon” nuk është vetëm një aktivitet artistik, por një zë i gjallë i traditës shqiptare – një jehonë nga e kaluara që vazhdon të frymëzojë të tashmen dhe të ardhmen tonë.

Gjatë ceremonisë së hapjes, Hodaj ndau mirënjohje për rapsodët Përparim Brati dhe Avni Metalia, si dhe për miqtë e festivalit nga Shqipëria për mbështetjen e tyre të vazhdueshme: Avni Hafuzi, konsull nderi i Shqipërisë në Hungari, dhe Sejmen Gjokoli, drejtues i festivalit folklorik “Aulona Interfolk Festival” në Vlorë, të cilët dhuruan edhe disa dhurata domethënëse për organizatorët.

Prej 37 vitesh, SHKA “Malësori” organizon festivalin folklorik “Hasi Jehon”, me qëllim ruajtjen e kujtesës historike dhe përcjelljen e mesazhit të pajtimit, unitetit dhe vlerave kombëtare te brezat e rinj.

Ky aktivitet kulturor shërben si një homazh i përhershëm për një nga momentet më domethënëse të historisë së afërt të shqiptarëve./TV Prizreni/

bashkëlojtarit (90+5’).

Marketing

Më Shumë

Totaj pret përfaqësuesit e EBRD-së, diskutohet projekti 5 milionë euro për efiçencë energjetike në Prizren

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pritur Drejtoreshën Menaxhuese të European Bank for Reconstruction and Development për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Charlotte Ruhe, së...

Arrestohen tre persona në Suharekë, dyshohen për rrëmbim dhe sulm ndaj dy personave

Të shtunën janë arrestuar tre persona të dyshuar, pasi dyshohet se më 29 prill, rreth orës 21:32, kanë sulmuar fizikisht dy viktima. Sipas informacioneve nga...

Lajmet e Fundit