8.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

Prokuroria kërkon dënimin e Ilir Baldedajt, aktgjykimi shpallet pas dy ditësh

Prokurori Mehdi Sefa, të mërkurën, gjatë fjalës përfundimtare në rastin penal ku ish drejtori i administratës së Komunës së Prizrenit, Ilir Baldedaj, akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka kërkuar që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Prokurori Sefa ka thënë se me provat e administruara dhe nga deklarata e vet të akuzuarit është dëshmuar se i pandehuri ka lidhur në mënyrë të paligjshme, pa procedura te prokurimit, kontrata me televizionet lokale për të reklamuar shërbimet komunale.

Sipas prokurorit, i akuzuari megjithëse e ka ditur se çdo shpenzim komunal që kalon vlerën prej 1000 euro duhet të kalojë përmes procedurave tenderuese, ka kaluar kompetencat dhe me qëllim që t’u mundësojë televizioneve përfitim material, ka nënshkruar kontratat me vlerë prej rreth 17 mijë euro.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Miftar Qelaj, gjatë fjalës së tij përfundimtare, ka kërkuar që i akuzuari të lirohet nga akuza në mungesë të provave dhe se, sipas tij, në veprimet e të akuzuarit nuk formohen elementet e veprës penale me të cilën akuzohet.

Avokati Qelaj ka thënë se klienti i tij në asnjë fazë të procedurës nuk e ka mohuar se i ka nënshkruar kontratat në fjalë por se të njëjtat nuk i ka përpiluar vet dhe se vetëm ka vazhduar praktikën e gjetur nga paraardhësi i tij sa i përket formave të reklamimit të shërbimeve komunale.

Qelaj, tutje ka thënë se i akuzuari këto kontrata i ka pranuar për të nënshkruar nga zyra profesionale që gjendet në kuadër të zyrës së prokurimit të komunës dhe se nuk ka pasur njohuri se ato kontrata nuk janë në përputhje me ligjin, pasi që pagesat janë bërë në shuma prej 200 deri në 500 euro në muaj e jo si tërësi.

Ai ka thënë se kontratat për të cilat akuzohet Baldedaj se i ka nënshkruar në mënyrë të paligjshme, përpilohen nga profesionistët e fushës dhe ata kujdesen që forma të jetë sipas ligjit dhe në fund para se të ekzekutohen pagesat verifikohet ligjshmëria edhe nga zyra e thesarit, andaj të gjitha këto hallka i ka kaluar çdo herë.

Sipas avokatit për një praktikë të tillë të gabuar të ndjekur nga të gjithë drejtorët komunal deri në vitin 2016, është evidentuar në një raport të Auditorit të Përgjithshëm në të cilin është kërkuar që këto kontrata të shkojnë përmes prokurimit dhe se klienti i tij, më asnjëherë nuk ka nënshkruar kësi lloj kontratash.

Për fund, ka theksuar se në këtë çështje penale nuk përmbushet elementi esencial i veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare e që sipas tij, është dashja direkte që me veprimin e tij zyrtare të ketë qëllim përfitimin për vete apo tjetrin, duke shtuar se nga provat e administruar vërehet klienti i tij nuk ka pasur qëllim ta shkaktojë veprën për të cilën akuzohet.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka shpallur të përfunduar shqyrtimin gjyqësor në këtë rast penal, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 25 maj 2018, duke filluar nga ora 09:00.

Ndryshe, Ilir Baldedaj akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prizren, se gjatë periudhës gusht 2015 – dhjetor 2016, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të administratës komunale të Prizrenit, ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale.

Sipas aktakuzës, Baldedaj kontratat i ka lidhur me televizionet lokale pa procedura tenderuese, megjithëse kontratat parashohin pagesa mujore për një vit e që kalojnë shumën prej 1000 mijë euro, deri në të cilën shumë mund të lidhen kontrata pa kaluar në procedura tenderuese.

Aktakuza fillestare pretendonte se i akuzuari televizionit “Opinion” i ka paguar rreth 37 mijë euro, televizionit “Besa” rreth 25 mijë euro dhe televizionit “Prizreni” rreth 10 mijë euro, mirëpo pas ekspertizës së bërë gjatë gjykimit, organi i akuzës e ka reduktuar shumën e paguar ndaj televizioneve në 17.100 euro./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

34-vjetori i Kuvendit të Verrave të Llukës të Pajtimit të Gjaqeve

Sot është 34- vjetori i Kuvendit të Verrave të Llukës të Pajtimit të Gjaqeve. Sado që ai u mbajt në rrethim të plotë nga forcat...

Vetaksident në Prizren- Vetura godet pemën, lëndohet një person

Vetaksidentohet një veturë në qendër të Prizrenit. Si pasojë shoferi i veturës ka mbetur i lënduar. Ai është përplasur me anësoret dhe më pas me...

Lajmet e Fundit