11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Prokuroria kërkon dënimin e ish-kryetarit të Malishevës, mbrojtja lirimin

 Në seancën e së mërkurës, prokuroria ka kërkuar dënimin e Ragip Begaj ish-kryetarit të Malishevës, i cili po akuzohet për korrupsion, ndërsa mbrojtja ka kërkuar lirimin e tij.

Begaj akuzohet se me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës me rastin e ndërtimit të një shkolle në fshatin Drenoc.

Prokurori special Naim Abazi, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se në bazë të provave të administruara është vërtetuar në mënyrë të plotë gjendja faktike sipas të cilës në veprimet e të akuzuarit manifestohen të gjitha elementet e veprës penale.

Sipas tij, veprimet e kundërligjshme të pandehurit janë paraqitur kryesisht përmes formës së tejkalimit të kompetencave duke e anashkaluar Kuvendin Komunal dhe buxhetin e miratuar nga Kuvendi Komunal.

Tutje ai ka thënë i pandehuri kishte shpenzuar paratë publike duke mos pasur parasysh që ka pasur obligim që të veproj dhe zbatoj Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe Buxhetin e Komunës, me ç’rast kishte filluar ndërtimin e shkollës në pronë private pa ndjekur procedurat e parapara me ligj, në njërën anë duke i shkaktuar dëm pronarit të tokës për shkak të mos kompensimit dhe në anën tjetër duke i shkaktuar dëm komunës për shkak të kompensimit i cili do të bëhej pas përfundimit të procedurës gjyqësore civile.

Sipas tij, ai kishte vënë gurthemelin e ndërtimit të shkollës fillore në fshatin Panorc në Komunën e Malishevës në kundërshtim me ligjin, pa përfillur procedurat ligjore të këmbimit të pronës publike me provë private për interes publik ashtu siç e parasheh ligji.

Prokurori Abazi tha se i pandehuri kishte bërë edhe ndërrimin e lokacionit për ndërtimin e sallës sportive në fshatin Drenoc, ku për këtë objekt Kuvendi Komunal kishte vendosur që salla sportive e cila është financim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të ndërtohet tek shkolla fillore “Visar Krasniqi” në Drenoc, kurse ka bërë ndërrim të lokacionit duke marrë vendim në mënyrë të njëanshme nga ana e tij.

Sipas prokurorit të çështjes, keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe tejkalim i kompetencave është edhe bartja e parasë publike nga një program në programin tjetër si dhe pagesa e shpenzimeve të ndryshme në emër të investimeve kapitale për projektet përkatëse.

Andaj, i njëjti i ka propozuar gjykatës që i akuzuari Begaj të shpallet fajtor, të dënohet sipas Kodit në fuqi dhe të obligohet në kompensimin e shpenzimeve të procedurës penale.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Ragip Begaj, avokati Emrush Kastrati në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor me provat e administruara nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij të ketë kryer veprën penale që i vihet në barrë.

Tutje ai ka thënë se Begaj me ndërgjegje dhe në pajtim të plotë me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale i ka kryer detyrat e tij si Kryetar i Komunës në interes të qytetarëve dhe nxënësve të fshatit Panorc duke ndërtuar objektin shkollor me mjetet buxhetore të planifikuara.

Sipas avokatit Kastrati, pretendimi i akuzës se e ka dëmtuar pronën publike të Komunës nuk qëndron sepse paraprakisht i mbrojturi i tij Begaj bashkë me kryesuesin e Kuvendin Komunal në Malishevë kishte diskutuar me pronarin e pronës private që për shkak të pozitës gjeografike, një pjesë e objektit të shkollës duhej ndërtuar në pronën private të Rexhep Rudit por që paraprakisht ishte marrë pëlqimi i kryefamiljarit Bilall Rudit, që t’i kompensohet ajo sipërfaqe.

“Edhe vet pronari privat ishte i interesuar ngase po të ndërtohej shkolla komplet vetëm në pronën publike do të dëmtohej pronari privat pasi nuk do të kishte qasje dhe mundësi për të kaluar-shkuar në shtëpinë e tij ngase e shfrytëzonte pronën publike për rrugë”, ka thënë Kastrati.

Ai tha se në veprimet e të mbrojturit të tij nuk ka ekzistuar qëllimi për ta kryer veprën penale siç pretendohet dhe ka kërkuar nga gjykata lirimin e tij nga akuza.

Fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij i akuzuari Ragip Begaj e ka përkrahur në tërësi.

Pasi që është dhënë fjala përfundimtare nga palët në procedurë, shpallja e aktgjykimit u caktua të bëhet me 21 mars 2022.

Ndryshe, gjatë seancës fillestare së mbajtur më 5 gusht 2021, Begaj kishte deklaruar se ndjehet i pafajshëm.

Aktakuza në këtë rast ishte konfirmuar në shtator të vitit 2021, ky vendim ishte marr  nga gjykatësja e Departamentit Special e ngarkuar me këtë lëndë, Violeta Namani.

Aktakuza ndaj Begajt ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit të shkuar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 prill 2021, Ragip Begaj po ngarkohet se më 6 korrik 2018 e në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar, respektivisht si kryetar i Komunës së Malishevës, me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Begaj, më 7 nëntor 2018, ka caktuar lokacionin për ndërtimin e shkollës në fshatin Panorc, ku i kishte premtuar të dëmtuarit që të hyjë në marrëveshje për shkëmbimin e tokës me qëllim të ndërtimit të kësaj shkolle.

Siç thuhet në aktakuzë, një pjesë e objektit të kësaj shkolle ishte planifikuar të ndërtohej në pronë private, në kundërshtim me vendimin e Kuvendit Komunal të 4 majit 2018, i cili vendim kishte për qëllim që të ndërtohej aneks i shkollës “Visar Krasniqi” në fshatin Drenoc të Malishevës, i cili aneks nuk ishte ndërtuar asnjëherë.

Po ashtu, i njëjti po ngarkohet se në tetor të vitit 2018 kishte nxjerrë aktvendim për bartjen e mjeteve financiare nga një program në tjetrin, në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Sipas aktakuzës, mjetet financiare nga kodi investime kapitale pa miratimin paraprak të MF-së i ka bartur në kodin mallra dhe shërbime e pastaj këto mjete i kishte përdorur për pagesën e detyrimeve financiare të komunës ndaj personave të tretë pa miratimin e Kuvendit Komunal.

Për këto veprime, Ragip Begaj po ngarkohet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal lidhur me nenin 81, ku dënimi parashihet me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Policia shqipton mbi 1 mijë gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1082 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Nektari i luginës së harruar

Enver Sulaj Unë nuk mund të hyj në vetminë tënde As në trishtimin tim në ditën e kryqëzimit Kur turma ulërinte drejt qiellit skëterrë. Unë nuk mund ta...

Lajmet e Fundit