2 C
Prizren
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Prokuroria tërhiqet nga propozimi i sigurimit të video-incizimeve në rigjykimin ndaj ish-rektorit Vataj

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, në rigjykimin ndaj të akuzuarit Ramë Vataj, ish-rektor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, prokurori Shahadin Destani është tërhequr nga propozimi për sigurimin e audio dhe video-incizimeve nga mbledhja senatit të UPZ-së, pasi të njëjtat nuk janë siguruar. Këtë e ka kundërshtuar mbrojtësi i të akuzuarit Vataj, avokat Yll Zekaj, i cili thase pa këtë provë dëshmia e dëshmitarit Artan Dermaku, mbetet spekulim.

Në fillim të seancës, gjykatësi Fatmir Krasniqi ka deklaruar se nga zyra ligjore e UPZ-së është njoftuar se për shkak të kalimit të kohës së gjatë, audio dhe video-incizimet nga mbledhja e Senatit të këtij Universiteti, të mbajtur më 13 janar 2017, nuk kanë mundur të sigurohen.

Lidhur me këtë, prokurori Destani deklaroi se heq dorë nga propozimi i sigurimit të audio dhe video-incizimeve, meqënëse të njëjtat nuk kanë mundur të sigurohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por, këtë e ka kundërshtuar avokati Zekaj, me arsyetimin se dëshmia e dëshmitarit Dermaku mbështetet në atë provë.

“E kundërshtojmë heqjen dorë nga ajo provë, sepse nëse nuk gjendet ajo dëshmi, e gjithë dëshmia e dëshmitarit është spekulim. Aktakuza është e mbështetur në atë CD”, ka thënë Zekaj.

Në këtë seancë, është bërë dëgjimi i dëshmitarit Artan Dermaku, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Shahadin Destani, ka treguar se në UPZ ka punuar në vitet 2010-2011 dhe prej 2014 deri më 2017.

Dermaku ka thënë se gjatë periudhës sa kishte qenë dekan i Shkencave Kompjuterike në këtë Universitet, në vazhdimësi ka marrë pjesë në mbledhje të Senatit.

I pyetur se a kishte qenë prezent në mbledhjen e Senatit të UPZ-së, më 13 janar 2017, Dermaku e ka pohuar një gjë të tillë.

“Po, kam qenë edhe në këtë mbledhje, por edhe në të gjitha mbledhjet paraprake dhe të mëvonshme”, ka thënë Dermaku.

Po ashtu, dëshmitari ka thënë se prezent në mbledhje kishte qenë edhe i akuzuari Vataj, ndërsa nuk kishte qenë prezent i dëmtuari Vehbi Miftari.

Dermaku ka treguar se me të akuzuarin Vataj ka patur mospajtueshmëri sa i përket trajtimit jo të drejtë ndaj rastit të të dëmtuarit Miftari. Sipas tij, nga i akuzuari Vataj ka dëgjuar disa herë se të dëmtuarin Miftari nuk do ta marrin në punë për arsye morale.

“Në disa mbledhje tjera që ne i kemi pasur jashtë Senatit, në mbledhjet e kolegjiumeve të dekanëve të fakulteteve pranë UPZ, në të cilat mbledhje ka marrë pjesë edhe rektori Ramë Vataj, është thënë disa herë nga rektori Vataj atëherë që këtë profesorin shokun tënd, është fjala për Vehbiun, nuk do ta marrim në punë…”, tha Dermaku.

Sipas tij, një gjë e tillë, por në një formë më të butë, është thënë edhe në mbledhjen e Senatit të UPZ-së, për profesorin Miftari, por që Dermaku aty kishte reaguar, duke thënë se jeta private e askujt nuk duhet të jetë pengesë për punësim.

Dermaku ka thënë se rektori ka gjithmonë të drejtë të mos e nënshkruajë një vendim të Seantit, nëse ka bindje se është jashtëligjor.

Në pyetjen e të dëmtuarit Miftari se a ka qenë qëndrim personal i të akuzuarit Vataj apo në emër të kolegjiumit të UPZ-së ka deklaruar se nuk do punësojë Vehbiun për shkaqe morale, Dermaku ka thënë se për këtë më së miri është të jetë incizimi në CD.

Dëshmitari ka shtuar se Kodi i Etikës vlen vetëm për stafin e brendshëm të Universitetit.

Dëshmitari Dermaku, është pyetur nga i dëmtuari Miftari se a ka pasur vërejtje nga anëtarë të komisionit të studimeve, për çka tha se njëra anëtare ka pasur vërejtje lidhur me vendimin e anëtarëve të tjerë të komisionit, duke e cilësuar si vendim të gabueshëm e që edhe pas kësaj nuk ka pasur reagim nga i akuzuari Vataj.

Avokati Zekaj, ka reaguar ndaj dëshmitarit Dermaku, me ç’rast ka kërkuar nga gjykatësi i rastit, Fatmir Krasniqi që të mos lejojë dëshmitarin Dermaku të konsultohet me telefon.

“Nuk lejohet me u konsultu me telefon, dëshmitari nuk mundet me asnjë SMS me u konsultu, ndalen telefonat e dëshmitarit, po e kuptoj shumë mirë se është një dëshmi për një rast shumë të rëndësishëm”, ka thënë Zekaj.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Zekaj, Dermaku ka thënë se rektori nuk ka rol në komisionin recenzues dhe komisionin e studimeve.

Sipas tij, në këto komisione është thënë se kandidatët tjerë të propozuar i plotësojnë kushtet më mirë se i dëmtuari Vehbi Miftari, e që këto vendime Dermaku tha se janë atakuar në Senat nga ai dhe të tjerë.

Avokati Zekaj e ka ballafaquar dëshmitarin Dermaku me procesverbalin e mbledhjes së 13 janarit 2017, lidhur pjesëmarrësit e asaj mbledhje, në të cilin procesverbal Dermaku tha se nuk gjendet emri tij, me arsyetimin sepse janë mbajtur disa mbledhje të Senatit dhe se nuk i mban mend datat.

I njëjti ka theksuar se ka qenë pothuajse në të gjitha mbledhjet kur është debatuar për dëmtuarin Miftari, por për këtë tha se ua lë incizimeve të CD-së.

Po ashtu, Dermaku tha se nuk i kujtohet se a ka qenë prezent në mbledhjen e komisionit të ankesave, por se ka qenë kur është refuzuar rasti i të dëmtuarit Miftari.

Dëshmitari Dermaku, pas leximit të procesverbalit të 13 janarit 2017 ka thënë se profesori Samedin Krrabaj ka qenë ushtrues detyre, kjo është pasi që ai kishte dhënë dorëheqje dhe se kjo vërteton që nuk kishe qenë prezent në mbledhje.

Në fund, ai ka shtuar se gjatë kohës sa kishte qenë Vataj rektor, janë humbë 5-6 profesora që kanë studiuar në Gjermani dhe se ka punësuar persona që kanë studiuar në Tiranë e Shkodër. Ai shtoi se këtë e thotë në mënyrë emocionale, ngase kishte qenë njëri ndër anëtarët themelues të UPZ-së.

Seanca e radhës për rast është caktuar të mbahet më 6 prill 2023.

Me aktgjykimin e shpallur më 10 dhjetor 2021, Gjykata Themelore në Prizren e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Vataj, duke e dënuar me 1 mijë e 500 euro gjobë.

Ndryshe, Gjykata e Apelit me aktgjykimin e 23 gushtit 2022, e ka kthyer çështjen në rivendosje me arsyetimin se shkalla e parë nuk e kishte vlerësuar mirë të drejtën materiale

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 10 maj 2020, ngarkon Ramë Vatajn se nga 30 shtatori 2017, e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, duke vepruar në cilësi të rektorit të Universitetit, ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e zbatonte vendimin e Sektorit të Inspekcionit të Arsimit në Prizren të 14 shtatorit 2017, përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e 1 gushtit 2016, me nr. të protokollit 01-236, të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedhë komision recensues të veçantë për çdo fushë, vendim i cili në mënyrë të plotë nuk është zbatuar nga i pandehuri.

Me këtë rast, thuhet se të dëmtuarit Vehbi Miftari ia ka mohuar apo kufizuar të drejtën në punësim në kushte të njëjta me personat tjerë pjesëmarrës në konkurs.

Andaj, me këtë i akuzuari ngarkohet se ka kryer veprën penale “Cenim i të drejtave të punësimit dhe papunësisë”, nga neni 219, par.1 dhe 2 të Kodit Penal, për të cilën është paraparë dënimi me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Përmes një bisede telefonike të dhënë për “Betimi për Drejtësi”, Vataj kishte deklaruar që kjo aktakuzë ishte ngritur për qëllime politike. Ai kishte deklaruar se gjatë kohës sa ishte rektor, ka marrë letra kërcënuese dhe është tentuar t’i bëhet shantazh nga Vehbi Miftari, mirëpo që këto letra do t’i bëjë publike.

Po ashtu, Vataj kishte deklaruar se nuk ka qenë përgjegjës për punësimet të cilat janë kryer në Universitet, sepse procedura ka kaluar në organe të tjera të Universitetit duke përfshirë Senatin e Universitetit, Komisionin recensues dhe në instanca të tjera të Universitetit.

Ramë Vataj ishte rektor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, nga viti 2014, deri në vitin 2018. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Nënshkruhet marrëveshja Kosovë-Shqipëri për Lojërat Mesdhetare 2030

Kryeministri Albin Kurti dhe homologu i tij shqiptar Edi Rama në emër të qeverive respektive nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për organizimin e Lojërave...

Zafir Berisha garën për deputet e fillon nga vendlindja

Kandidati për deputet i koalicionit Nisma-AAK, Zafir Berisha, ka filluar betejën politike për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 nga fshati i lindjes, Billushë. “Ky është...

Lajmet e Fundit