6.7 C
Prizren
E diel, 2 Shkurt, 2025

Pse Putini e trajton Britaninë me përbuzje?

Shkruan: Anne Applebaum

“Londongrad” është emri me të cilin rusët e pasur e quajnë kryeqytetin britanik. Kjo shprehje nuk paraqet vetëm një vend fizik, edhe pse shumë rusë me të vërtetë jetojnë aty. “Londongrad” është më shumë gjendje e mendjes – duke përfshirë jo vetëm pronarët, jorezidentë të shtëpive të mëdha në Kensington, por po ashtu edhe institucionet britanike, bankat, kompanitë ligjore, kontabilitetin, shkollat private, galeritë e arteve, bile edhe mbledhësit e fondeve të Partisë konservatore.

“Londongrad” mund të jetë vend i kontrasteve bizare. Disa vjet më parë, isha afër një fushe të ragbisë, të një shkolle, duke shikuar djemtë e vegjël duke u kacafytur në baltë. Gjithandej rreth meje ishin fushat e gjelbra të Anglisë; pak më tej lopët ishin duke kullotur. Aty afër, një grup burrash, me gjasë prindër të disa prej djemve të vegjël, bisedonin zëshëm, në rusisht, në lidhje me shuma të mëdha të parave. Po ashtu e çuditshme ishte edhe shëtitja me miqtë në Hemshajrin rural, në një pronë të madhe. Edhe pse e regjistruar në emër të një kompanie të quajtur “Skymist Holdings”, shtëpia në fakt ishte në pronësi të Elena Baturinas, një biznesmene ruse, e cila u bë tepër e pasur, derisa burri i saj, Yuri Luzhkov, ishte kryetar i komunës së Moskës. Banorët lokalë e dinin identitetin e pronarit, meqë e kishin parë Luzhkovin në pab.

Marrëveshja e heshtur

Këto disbalanca ishin rezultat i një marrëveshjeje të heshtur: për dy dekada, establishmenti britanik ishte pajtuar që të mos e çante shumë kokën rreth asaj se ku i merrnin rusët paratë e tyre – sa para ishin vjedhur nga shteti, ishin ricikluar në Perëndim, e më pas ishin përdorur për të sjellë në pushtet Vladimir Putinin dhe ish- kolegët e tij të KGB-së. Në këmbim, rusët shpenzuan një sasi të madhe të parave në Britani, në të mirë të britanikëve.

Në disa raste, ky raport ishte raport i bashkëfajtorëve. Kemi rastin e vitit 2006 në Londër, në lidhje me “Rosneft”, kompaninë e naftës, të formuar nga asetet e vjedhura në një kompani tjetër të naftës, pronari i së cilës ishte arrestuar dhe ishte dërguar në burg, në Siberi. Bile, prospekti ua tërhiqte vërejtjen blerësve potencialë në lidhje me rreziqet: “Krimi dhe korrupsioni mund të krijojnë një klimë të vështirë biznesi në Rusi”. Por, shitja vazhdoi, duke sjellë përfitime për ata që e realizuan, duke krijuar një parim: Mallrat e vjedhura mund të bëhen legale, me kusht që këtë ta aprovojë establishmenti financiar i Londrës.

Tani, kjo marrëdhënie është në krizë. Britanikët mbetën të tronditur pasi zbuluan se operativët rusë tërë Britaninë e trajtojnë si “Londongrad”. Për herë të dytë, duket që rusët kanë përdorur një agjent të rrezikshëm kimik në tentim për ta vrarë një rus në Britani. Të mërkurën, kryeministrja Theresa May kritikoi Rusinë për përdorimin e “agjentit nervor ushtarak”, duke shtuar se do të dëbonte 23 diplomatë rusë dhe shtoi se “qeveria ruse ka demonstruar një përçmim të plotë për seriozitetin e këtyre ngjarjeve”.

Shitja e euro-bonove të “Gazprom”-it

Por, kjo dmth se ajo nuk e kupton thellësinë e problemit – se qeveria e Rusisë e trajton Britaninë me neveri, meqë qeveria e Rusisë mendon se e ka blerë elitën britanike. Edhe më keq, ajo mund të ketë të drejtë. Ditën e fjalimit të kryeministres May, “Gazprom”, kompania energjetike ruse, që kontrollohet nga qeveria, e që është burim i pasurisë për shumë liderë të Rusisë, lëshoi euro-bono për periudhën 8 -vjeçare, me vlerë gati 1 miliard dollarë. Ambasada ruse me anë të një postimi lajmëroi se shitja e bërë nga “Gazprom” ishte stërngarkuar, duke shtuar me sarkazëm: “Biznesi sikur rëndom?” Të premten, vetë qeveria e Rusisë shiti euro-bono me vlerë 7 miliardë dollarë.

Pasditen e ditës së njëjtë, zyrtarët policorë të Londrës filluan hetimin e vrasjes së një rusi tjetër, kësaj here biznesmen dhe kritik i qeverisë. Ka të dhëna se hetimet kanë zbuluar fakte që i njëjti ishte ngufatur.

Edhe pse ende janë të hapura vendvotimet, sipas të gjitha gjasave Putini do të rizgjidhet për president. Që të gjitha këto ngjarje janë të ndërlidhura: institucionet tona, bankat tona, parajsat tona tatimore, kanë ndihmuar në krijimin e këtij regjimi kaq cinik në Moskë, i cili nuk mërzitet aspak për ligjet, apo traditat politike. Dhe, ne ende nuk jemi në gjendje që ta shohim një gjë të tillë.

Në deklaratën e saj parlamentare, kryeministrja e la të hapur mundësinë për sanksione më të rënda financiare. Por, pyetja e vërtetë, për Britaninë, si dhe për Francën, Gjermaninë dhe SHBA-në, është se a duam një përfundim të plotë të raporteve financiare. Ne mund t’i bëjmë të paligjshme parajsat tatimore në Ishujt e Virgjër si dhe në Delaver dhe Nevada; mund ta bëjmë të pamundur blerjen e pronave nga anonimët; mund t’ua ndalojmë kompanive ruse me origjinë të dyshimtë pjesëmarrjen në shitblerjen e aksioneve. Por, kjo do ta kishte një kosto për agjentët tonë financiarë dhe atyre të patundshmërisë, do ta çrregullonte qarkullimin diskret të parave në zarfet e partive politike, duke deprimuar tregun e veprave të artit nga investitorët më të mëdhenj. A e ka guximin kryeministrja May për ta bërë një gjë të tillë? Po, ne të tjerët?

Më Shumë

Nis restaurimi i shtëpisë së familjes Bërlajolli në Prizren, MKRS thotë se po shpëtohet nga rrënimi

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka bërë të ditur se po vijojnë punimet për restaurimin e shtëpisë së familjes Bërlajolli në Prizren. Sipas njoftimit,...

Aliu dhe Nikoloski inspektojnë punimet në rrugën Prizren – Tetovë

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe ministri i Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski, kanë inspektuar punimet në rrugën...

Marshi i hienave

Lajmet e Fundit