2.6 C
Prizren
E martë, 4 Shkurt, 2025

Qytetarët globalë, bishtnues nacionalë

Shkruan: Dani Rodrik

Tetorin e kaluar, kryeministrja britanike Theresa May tronditi shumëkënd kur degradoi idenë e shtetësisë globale. “Nëse besoni se jeni qytetar i botës, atëherë në fakt nuk jeni qytetar i asnjë vendi”. Deklarata e saj u shoqërua me përqeshje dhe alarm në mediet financiare dhe në mesin e analistëve liberalë. “Forma më e dobishme e shtetësisë këtyre ditëve”, shkruante një analist, “është ajo që i dedikohet jo vetëm mirëqenies së, psh, famullisë së Berkshajrit, por të tërë planetit”. “The Economist” e quajti këtë “kthesë joliberale”. Një shkencëtar e akuzonte kryeministren se shkelte vlerat e iluminizmit dhe tërhiqte vërejtjen për ngjashmëritë me vitin 1933 në fjalimin e kryeministres. E di si duket një “qytetar i botës”: një mostër të tij e shoh çdo ditë, sa herë që shikoj në pasqyrë. Jam rritur në një vend, jetoj në një vend tjetër dhe kam pasaportën e të dy këtyre vendeve. Shkruaj rreth ekonomisë globale dhe puna më çon në vende të largëta. Më shumë kohë kaloj duke udhëtuar në vende të tjera, sesa që kaloj kohë në secilin prej shteteve, pasaportën e të cilave e kam. Pjesa më e madhe e kolegëve të mi në punë po ashtu kanë lindur jashtë shtetit. Më interesojnë lajmet ndërkombëtare, derisa gazetën lokale thuajse nuk e shikoj kurrë. Sa i përket sportit, nuk e kam idenë se si luan ekipi i vendit tim, por jam fans i zjarrtë i një ekipi të futbollit që gjendet në anën tjetër të Atlantikut. Dhe, përkundër kësaj, deklarata e kryeministres May sikur ka një fije logjike. Ajo përmban të vërtetën esenciale, e cila tregon shumë rreth asaj sesi ne, elita botërore financiare, politike dhe teknokrate, e kemi distancuar veten nga bashkatdhetarët dhe e kemi humbur besimin e tyre.

Të gjithë kemi identitete të shumëfishta

Le të fillojmë me vetë domethënien e emrit “qytetar”. Në fjalorin e anglishtes së Oksfordit, qytetari kufizohet si “një subjekt i njohur ligjërisht, apo shtetas i një shteti, apo federate”. Pra, të qenit qytetar, shtetas, nënkupton ekzistimin e një entiteti “shteti, apo federate”. Shtetet e kanë një politikë të tillë, bota nuk e ka. Mbështetësit e shtetësisë globale menjëherë arsyetohen duke thënë se ata nuk e nënkuptojnë domethënien shkronjë-për-shkronjë të fjalës. Ata shprehen në mënyrë figurative. Revolucionet teknologjike në komunikim dhe globalizimi ekonomik i kanë bashkuar shtetasit e shteteve të ndryshme, thonë ata. Bota është bërë më e vogël dhe ne duhet të veprojmë duke pasur parasysh implikimet globale. Dhe, përpos kësaj, ne që të gjithë kemi identitete të shumëfishta, që përputhen midis veti. Shtetësia globale nuk d.m.th. dhe nuk ka nevojë që të grumbullojë përgjegjësitë lokale, apo nacionale. Deri këtu gjithçka mirë, por, çka bëjnë në të vërtetë qytetarët e botës? Shtetësia reale nënkupton ndërveprimin me shtetasit e tjerë, në një bashkësi të përbashkët politike. Ajo nënkupton mbajtjen e vendimmarrësve përgjegjës dhe pjesëmarrjen në politikë, me qëllim të ndikimit te rezultati politik. Gjatë procesit, idetë e mia rreth rezultateve të preferuara dhe mjetet, konfrontohen dhe testohen me ato të shtetasve të tjerë. Qytetarët globalë nuk kanë përgjegjësi dhe të drejta të ngjashme. Askush nuk mban përgjegjësi për ta dhe nuk ka askush të cilit ata duhet t’i japin llogari. Në rastin më të mirë, ata formojnë bashkësi të përbëra nga individët që mendojnë ngjashëm, e që vijnë nga shtete të ndryshme. Homologët e tyre nuk janë qytetarët gjithandej, por ‘qytetarët globalë’ të vetëshpallur në shtete të ndryshme. Natyrisht, qytetarët globalë kanë qasje në sistemet e tyre vendore politike, me qëllim të shtyrjes përpara të ideve të tyre. Por, përfaqë- suesit politikë janë të zgjedhur që të çojnë përpara interesat e njerëzve që i kanë vënë në ato poste. Qeveritë kombëtare duhet të përkujdesen për interesat kombëtare dhe, kjo është e drejtë. Kjo nuk e përjashton mundësinë që ata nuk mund të kenë parasysh pasojat e veprimeve të tyre për të tjerët. Por, çka ndodh kur mirëqenia e banorëve lokalë bie në konflikt me mirëqenien e të huajve, gjë që ndodhë shpesh? A nuk është mospërfillja e bashkatdhetarëve të tyre ajo që të ashtuquajturës elitë kozmopolite ia jep emrin e saj të keq?

Qytetarët globalë duhet të jenë të kujdesshëm për qëllimet e tyre të larta

Qytetarët globalë shqetësohen mos po dëmtohen interesat e qytetarëve të tjerë globalë, kur secila qeveri ndjek interesat e saj të ngushta. Kjo pa dyshim se paraqet shqetësim në lidhje me çështjet, të cilat me të vërtetë ndikojnë te të gjithë njerëzit në botë, si psh ndryshimet klimatike, apo epidemitë. Por, në shumicën e fushave ekonomike – taksat, politikën tregtare, stabilitetin financiar, menaxhimin fiskal dhe monetar, ajo që ka sens nga perspektiva globale, ka sens edhe nga perspektiva vendore. Ekonomistët na mësojnë se vendet duhet t’i mbajnë kufijtë e hapur, duhet të kenë rregulla të qëndrueshme dhe politika të një punësimi të plotë, jo për shkak se kjo është mirë për vendet e tjera, por për shkak se këto masa ndihmojnë në përparimin ekonomik të vendit. Natyrisht, dështimet politike, për shembull proteksionizmi, paraqitet në të gjitha këto fusha. Por, ato pasqyrojnë një qeverisje të keqe vendore, e jo një mungesë të kozmopolitanizmit. Fshehja pas kozmopolitanizmit në situata të tilla paraqet një zëvendësim të keq ndaj fitimit të betejave me forcat e veta. Dhe, një gjë e tillë zhvleftëson domethënien e kozmopolitanizmit kur kemi nevojë për të, sikur që është kur luftojmë ngrohjen globale. Janë të paktë ata që kanë dhënë shpjegime të thukëta rreth identiteteve tona të ndryshme – lokale, nacionale, globale – sa që ka dhënë filozofi Kwame Anthony Appiah. Në këtë epokë të “sfidave planetare dhe ndërlidhjes midis shteteve”, shkruan ai si përgjigje ndaj deklaratës së May-it, “kurrë nuk ka ekzistuar një nevojë më e madhe për një sens të fatit të përbashkët të njerëzimit”. Është e pamundur që të mos pajtohesh me këtë. Por, kozmopolitët që i takojmë më shpesh, janë sikur ai personazhi nga libri i Fyodor Dostoyevsky-t, “Vëllezërit Karamazov”, i cili zbulon se, sa më shumë që e do njerëzimin në përgjithësi, aq më pak i do njerëzit, në veçanti. Qytetarët globalë duhet të jenë të kujdesshëm që qëllimet e tyre të larta, të mos bëhen arsyetim për tkurrjen e përgjegjësive të tyre ndaj bashkatdhetarëve. Ne duhet të jetojmë në botën të cilën e kemi, me të gjitha ndarjet politike, e jo në një botë të cilën do të donim ta kishim. Mënyra më e mirë që t’u shërbejmë interesave globale, është që të respektojmë përgjegjësitë tona brenda institucioneve politike që kanë rëndësi – atyre që ekzistojnë.

(Dani Rodrik është profesor i politikës ndërkombëtare ekonomike në Universitetin e Harvardit)

Më Shumë

Policia shqiptoi 1742 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1742 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

Pas trajtimit në spital, Gjesti kthehet në Big Brother

Gjesti është kthyer në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, Big Brother VIP. Ai u largua për pak kohë për të vazhduar trajtimin pas incidentit...

Lajmet e Fundit