24.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Ramadan Muja nuk di sa para ka

Ramadan Muja 2Kryetari i Komunës, Ramadan Muja, nuk di për shumën e parave që ka. Duket se fundi i vitit e ka zënë në befasi ”plakun” e Prizrenit. Ndonëse në përmbyllje të vitit bëhen bilance, rreth parave të shpenzuara, Komuna nuk e kishte të qartë “fundin e arkës”, një orë para se të kalonte afati i paraparë, për të bërë zotimet e mjeteve të mbetura në fund të vitit. Kjo është parë në mbledhjen e fundit të kryetarit me anëtarët e ekzekutivit, e cila është dashur të pauzojë për disa minuta, në pikën e rendit të ditës, në të cilën shqyrtohej mundësia e dhuratave për fëmijët e dëshmorëve dhe atyre bonjakë, për Vitin e Ri. Në fakt, propozimi i drejtoreshës për Mirëqenies Sociale, Elhame Berisha-Zogaj për të gëzuar këtë kategori të fëmijëve, në prag të ndërrimit të viteve, ndërroi rrjedhën e mbledhjes së qeverisë lokale, kur drejtorët e drejtorive u desh “t’i shkundin xhepat” para kryetarit Muja, për mjetet eventuale të mbetura, me qëllim dhuratat të blihen, siç tha kryetari “jo me borxhe” sikur herëve tjera.

Diskutimi po bëhej pas ndërhyrjes së drejtoreshës për Mirëqenie, kur nga qeveritarët lokalë tashmë ishte marrë konkluzioni, për harxhimin e paraparë të fondit prej 3.900 euro për blerjen e dhuratave dedikuar fëmijëve të nëpunësve të administratës komunale, siç veprohet zakonisht për Vitin e Ri. Propozimi që njësoj të veprohet edhe për fëmijët e dëshmorëve dhe ata bonjakë, qiti në “siklet” jo vetëm kryetarin, por edhe drejtorët, meqë nuk dihej zyrtarisht nëse kishte apo jo fonde të mjaftueshme të mjeteve, që duhet të rezultonin si të zotuara, pasi afati përfundimtar për këtë, sipas rregulloreve të MEF-it ishte ora 14 e 30 minuta e datës 12 dhjetor, vetëm një orë pas kësaj mbledhjeje.

Për më keq, ndonëse ishte dita e fundit për mundësinë e zotimit të mjeteve të mbetura nga subvencionet, në mbledhje nuk prezantoi asnjë përfaqësues i Drejtorisë së Ekonomisë dhe Financave, meqë drejtori i saj prej pesë muajsh është suspenduar nga detyra. Kësisoj, për të shikuar pasqyrën e fundit financiare është dashur, që kryetarit dhe drejtorëve t’u tregojë njëri nga zyrtarët, i cili kontaktoi me telefon sektorin e financave, ndërsa pas disa minutash raportoi se mjete kishte vetëm nga pozicioni i kryetarit, rreth 13 mijë euro, por që rreth 10 mijë ishin paraparë për të ndihmuar Klubin Futbollistik “Liria”.

Për të realizuar ndarjen, mjete u kërkuan edhe nga sektori për shërbime publike, pas njoftimit të drejtorit të sektorit Hasan Hasani se kishte 1.500 euro të zotuara, e që edhe mund të përdoreshin për këtë qëllim.

Pasi kjo çështje më në fund gjeti zgjidhjen, kryetari Muja porositi Zyrën e Prokurimit, që kësaj radhe të jetë e vëmendshme dhe të zbatojë procedurat e parapara të tenderimit, e jo të veprojë sikur një vit më parë, kur një zyrtar i lartë i saj qe arrestuar, pasi hetuesit policorë për krime ekonomike, patën njoftuar se kanë vërejtur se komisioni për vlerësimin e ofertave nga Kuvendi Komunal kishte shpërfillur ligjet e prokurimit në fuqi, në një tender në shumën prej 42.000 eurove, që kishte të bënte me furnizimin e dhuratave për Vitin e Ri për të gjithë zyrtarët komunalë të Prizrenit./zëri/

Më Shumë

Policia shqipton mbi 1 mijë e 960 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1960 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore janë evidentuar...

9 vite pas ndarjes; Zayn Malik kujton fejesën me Perrie Edwards!

Zayn Malik ka folur së fundmi për marrëdhëniet e tij të kaluara nga prishja e fejesës me Perrie Edwards deri te mirëpritja e një...

Lajmet e Fundit