1.6 C
Prizren
E martë, 4 Shkurt, 2025

Ramushi, Hoti apo Albini?

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ

Në sistemin demokratik zgjedhjet konsiderohen si një lloj satisfaksioni për popullin, që shumica absolute mendojnë se pas shpalljeve të rezultateve jeta do të ndryshojë në të mirën e tyre. Në fakt, kushdo që do të vijë në pushtet, për qytetarët tanë jeta do të vazhdojë si më parë, pa asnjë ndryshim, përveçse disa militantë të papunësuar do të punësohen, disa zyrtarë do t’i ndërrojnë zyrat e disa tjerë do t’i zënë kolltukët e të parëve, disa deputetë nuk do të jenë kurrë më deputetë e disa të tjerë do t’ua zënë vendet e tyre. E jeta e qytetarëve vazhdon si më parë.

Fushatat iluzioniste të partive

Deklaratat shpresëmëdha të kandidatëve për Kuvend të Kosovës e për poste tjera se me ardhjen e tyre në pushtet çdo gjë do të ndryshojë në Kosovë, janë manipulime që do t’i dëgjojmë gjatë kësaj jave, me qëllim të përfitimit të elektoratit. Premtimet e tyre i tejkalojnë suazat e jetës reale, sepse ato janë të parealizueshme, mirëpo opinioni i gjerë ka dëshirë të besojë e të jetojë në iluzione së pakut për pak kohë. Nuk mundet të ketë fillim të ri me personalitete të njëjta, nuk mund të themi ka ardhur koha për ndryshime me shefa të njëjtë, nuk mund të themi në qershor do të jetë pavarësia e dytë, sepse me këtë thënie ne po e gjuajmë dhe injorojmë luftën për liri të shumë gjeneratave dhe pavarësia po filluaka prej qershorit, nuk mund të themi se filani apo fisteku i duhet Kosovës, sepse askush nuk është i pazëvendë- sueshëm, nuk mund t’i vëmë vetes nofka të personazheve të filmave hollivudianë, sepse me këtë botës i tregojmë se jemi popull primitiv, që besojmë në mite dhe votojmë për personazhe të imagjinuara nga skenaristët e njohur botërorë. Nga të gjitha këto premtime një gjë është e sigurt dhe e pakontestueshme- ndryshimi i jetës në të mirë të atyre që do të fitojnë numrin e mjaftueshëm të votave për t’u bërë deputet i ardhshëm. Jeta e deputetëve do të ndryshojë në shumë aspekte, por më qenësore është që nga rroga mesatare do të fitojnë rrogë të mirë, nga statuti i një individi të zakonshëm do të shndërrohet në VIP… Andaj, ne duhet të marrim si gjë normale kur këta çirren duke bërtitur se nga qershori çdo gjë do të ndryshojë, dhe vërtetë mënyra e jetesës së tyre do të pësojë ndryshime të mëdha, nga një veturë e vogël që kanë do të blejnë xhipa, nga drekat dhe darkat në shtëpi të tyre do t’i kalojnë ditët dhe netët në restorante luksoze, kurse ne do të mbesim ata që ishim dhe nga dreka me speca me gjizë do të kalojmë në gjizë me speca.

Pas këtyre zgjedhjeve, a do të jetojmë më mirë?

Dëshirojmë apo nuk dëshirojmë, zgjedhjet demokratike janë një proces që sjellin ndryshime si në rregullimin e sistemit shtetëror, edhe në atë të qytetarit, mirëpo në Kosovë ato ndryshime janë minimale. Ndryshimet që bëhen në sistemin shtetëror janë radikale dhe të dallueshme, sepse aty do kemi deputetë e ministra që standardi i jetës se tyre dallohet nga larg, ku nga një individ me pagë mesatare shndërrohet në milionerë brenda disa muajve, kurse ndryshimet në standardin e jetës sonë janë të padukshme e të paprekshme. Zgjedhjet e reja sjellin kandidatë ambiciozë të rinj, të cilët nga frika e konkurrencës nga pala kundërshtare do të detyrohen të ndikojnë pozitivisht duke shtruar asfalte të panevojshme, të subvencionojnë ndonjë OJQ të familjeve te tyre politike dhe t’u japin tenderë firmave të veta që nuk kanë përfituar nga qeveria e mëparshme. Këto do të jenë investime me të cilat do të krenohen ata që do fitojnë në zgjedhjet e qershorit. Shtrohet pyetja kush do të fitojë postin e kryeministrit? Nëse ua bëjmë këtë pyetje militantëve dhe kryesive të tri koalicioneve secili do përgjigjet në favor të partisë që i takon.

Me çka dallohet Ramush Haradinaj?

Militantët e koalicionit PDK/AAK/NISMA janë shumë të bindur se Ramushi do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës, duke u arsyetuar se kandidati i tyre i ka dhënë dy vëllezër për çlirimin e vendit si dhe luftimet heroike të Ramushit kundër sunduesit serb. Glorifikimi më qesharak që Kadri Veseli ia bën Ramushit është kur i pyet qytetarët a doni kryeministër të fortë a të dobët. Kadri Veseli shquhet për thurjen dhe shtrirjen e rrjetit të SHIK-ut dhe po ashtu arritjes së tij në krye të PDK-së, mirëpo në pyetjen e tij publike, ai e konfirmon se Kosovës i nevojitet një njeri i fortë që ua fut tutën të gjithëve, e sipas tij, Ramushi është njëri prej tyre. Si ka guxim Kadri Veseli të mendojë se Kosovës i duhet një kryeministër i fortë që ia kanë frikën të gjithë ?! A do ta zgjedhim kryeministrin që të rrihet me deputetë e ministra? A po menduaka Kadri Veseli se në mbledhjet vendimtare të qeverisë së qershorit Ramushi do të ushtrojë forcën fizike për t’i bindur ministrat dhe deputetët të votojnë sipas qejfit te tij ?! Nëse Kosova paska nevojë për një njeri të fortë, atëherë mund ta bëjmë kryeministër një individ nga Gjilani, i cili këto ditë para kamerave televizive dhe në prani të publikut ngriti traktorin dhe katundarët e tij hipur mbi rimorkio që të gjithë bashkë peshonin 1600kg. Ne të gjithë e dimë se Ramushi është trim, i guximshëm, luftëtar e komandant i dalluar, por këto nuk janë veti që duhet t’i ketë një kryeministër. Nëse jemi në kërkim të një kryeministri të fortë fizikisht dhe që i ka të njëjtat tipare si të Ramushit do ta kemi vështirë të bëjmë seleksionimin, sepse për këtë post do të kishte konkurruar vëllai i gruas sime që ishte ndër snajperët më të dalluar në UÇK, do kishte konkurruar një shok imi nga Luzhani, i cili mund të vritet, por kurrë të frikësohet, e shumë të tjerë. Mirëpo, Ramushi dallohet prej luftëtarëve të tjerë se është në krye të një partie politike dhe ka mundësi të jetë pretendent kryesor që për herë të dytë të marrë postin e kryeministrit të Republikës së Kosovës. Herën e parë qëndroi vetëm 100 ditë dhe nga fondi i Qeverisë së Kosovës u zhdukën 100 milionë euro pa guxuar askush të kërkonte llogari. Tentativa e dytë e Ramushit për të qenë kryeministër me siguri që do t’i realizohet, por sa do qëndrojë në këtë post do varet nga rrethana të shumta ndërkombëtare, si dhe dallavere të tjera që do të thuren nga PDK-ja, e cila gjithnjë i ka tradhtuar fillimisht shokët e luftës, e pastaj aleatët me të cilët bënin koalicione. Ramush Haradinaj dallohet nga kandidatët e tjerë se ky është vërtet trim dhe njeri i fjalës dhe i besës. Kur Ramushi thotë “Po” duhet të jemi të sigurt se nuk të tradhton dhe e mban fjalën. Pra, Ramushi nuk tradhton, por nuk ka aftësi të nuhat tradhtinë që i vjen nga njerëzit e tij të afërt, të cilët ia rrisin mendjen me lëvdata e më lajka gjithfarësh.

Kush është Avdullah Hoti?

Kundërkandidat potencial për postin e kryeministrit e kemi edhe Avdullah Hotin nga lista LDK/AKR/ALTERNATIVA, për të cilin partia e tij e reklamon si ekonomist me aftësi të jashtëzakonshme. Kjo parti propagandojnë se Kosova ka nevojë për një kryeministër si Avdullah Hoti. Shtrohet pyetja, se a kemi nevojë që kryeministri ynë të ketë eksperiencën e Avdullah Hotit? Mendoj se partia e LDK-së ka bërë një gabim shumë të madh duke e zgjedhur Avdullah Hotin në krye të listës. Në fakt, Kosova nuk ka nevojë për një ekonomist të tipit Avdullah Hoti, sepse kemi ekonomistë me aftësi si të tij. Për të pasur njohur më të zgjeruar për kandidatin e LDKsë, për kryeministër opinioni ynë duhet të kërkojë informacione në Google, sepse ky është njeri i panjohur dhe pa asnjë veti që dallohet nga shumë profesorë të universiteteve tona. Informacionet në internet që mund t’i gjejmë mbi këtë kandidat janë disa faqe që asgjë nuk na ndihmojnë të na ndërrojnë mendjen se ky është njeriu që i duhet Kosovës për kryeministër. Sikur LDK-ja ta kishte propozuar Vjosa Osmanin, ose Donika Gërvallën do të kishte pasur më shumë sukses t’u kundërviheshin kundërkandidatëve të tjerë. Cilado prej këtyre dy femrave do të kishte fituar bindshëm, sepse opinioni ynë nuk ka nevojë të interesohet të gjejë informata mbi kandidatin përmes internetit, sepse këto ishin zëri i partisë për disa vjet me radhë. Partia dhe shefat e cilësdo parti duhet të mësohen t’i respektojnë kritikuesit dhe atyre që ua thonë parasysh të vërtetën qoftë ajo e hidhur, e jo t’i vlerësojnë ata që parasysh të lavdërojnë e pas sysh ta bëjnë varrin.

Albin Kurti me premtime iluzioniste

Kandidati tjetër që nuk ka asnjë shans praktike të fitojë pozitën e kryeministrit është Albin Kurti, i listës VV. Premtimet e VV-së së Albin Kurtit janë absurde, që nuk përputhen më realitetin objektiv jo vetëm për situatën e shtetit të Kosovës, por janë objektiva utopiste që nuk munden të realizohen në asnjë shtet demokratik të botës. Filozofia e VV-së së Albin Kurtit është iluzioniste, përmes së cilës dëshiron t’i përvetësojë rininë e Kosovës me iluzione se kur ta marrin pushtetin ata, do të bëhet më mirë. Albin Kurti po sillet sikur shteti ynë të ishte një superfuqi ekonomike dhe ushtarake, siç është Rusia, apo siç ishte dikur Gjermania e Hitlerit dhe, sipas tij, Kosova duhet ta dirigjojë botën e jo Kosova t’i përshtatet politikës globale botërore. Në këto kushte të globalizmit botëror nuk ka më liri të pakufishme të asnjë shteti për të ndërtuar sistem totalitar, siç mendon Albin Kurti, që kushdo që është kundër VV-së t’i ngrehin zvarrë gazetarët dhe kundërshtarët, siç kishte deklaruar pak ditë më herët Dardan Molliqaj. Koha kur kanë mundur t’i vrasin kundërshtarët dhe gazetarët, si Bardhyl Ajetin dhe të tjerët, ka përfunduar, sepse sot secila familje ka guxim ta kërkojë vrasësin e birit të tyre. Koha kur kanë mundur t’i vrasin gazetarët dhe kundërshtarët politikë në emër të gjyqit të popullit si tradhtarë ka perënduar, siç ka përfunduar ndërtimi i sistemeve totalitare. Albini dhe çdo kush tjetër e di shumë mirë se posti i kryeministrit i takon partisë fituese dhe duhet të jetë i panegociueshëm. Sipas të gjitha parashikimeve, dy listat e partive të tjera janë në një garë me shanse gati të barabarta, dhe cilado që do të dalë fituese do kërkojnë aleancë me VV-në, mirëpo posti i kryeministrit mbetet i paprekshëm për fituesin. Pse pra VV-ja e Albin Kurtit e mashtron popullin, se Albini do të jetë kryeministër në qeverinë e qershorit?! Përgjigjja është e thjeshtë, sepse VV-ja do t’i vërë kushte specifike partisë më të madhe për krijimin e qeverisë, e cila po ashtu nuk ka për të pranuar t’ia falë këtë post, sepse do të zhgënjehet elektorati i tyre e do revoltohen personalitetet brenda partisë.

Cili është më i duhur për Kosovën?

Duke u bazuar në punën që kanë bërë gjatë këtyre viteve tre pretenduesit për postin e kryeministrit, do të shohim që secili prej tyre ka anët negative dhe pozitive. Duke u bazuar në faktin se shefat partiakë propozimet për këtë post i kanë emëruar jo në bazë demokratike, populli ynë nuk ka tjetër alternativë, përveç këtyre tre kandidatëve, njëri prej të cilëve do të jetë kryeministri ynë i ardhshëm. Nga tre kandidatë Ramushi është më i përshtatshëm për të marrë vendime për demarkacionin, për ‘Zajednicën’ dhe për gjëra të rëndësishme që i duhen Kosovës. Pra, aktualisht Kosova është kthyer në të njëjtën kohë kur duhej vendosur për flamurin, për himnin e Kosovës. Asokohe kishte shumë propozime që të ishte flamuri i punuar nga stafi i Ibrahim Rugovës, të cilin turpërisht e dogjën disa, dhe e pranuan flamurin të cilin e kemi aktualisht, kishte propozime të bëhej himni kombëtar, dhe në fund shefat e luftës e refuzuan himnin e punuar nga Ilir Shaqiri. Asokohe shefat e luftës u bashkuan për ta pranuar një himn që nuk është himn, dhe një flamur që as Azem Vllasi nuk do ta kishte lejuar. Ju kujtohet koha e AzemVllasit kur sistemi i Milosheviqit në marsin e vitit 1989, kërkonte ndryshime në Kushtetutë dhe ndryshim në flamur. Asokohe personalitetet politike u bashkuan dhe e ndryshuan flamurin duke ia vënë yllin në cep, por nuk ia hoqën shqiponjën. Shefat tanë të luftës e të pa luftës Kosovës ia lanë një flamur pa asnjë shenjë kombëtare dhe një himn që i ngjan më shumë një muzike klasike të Mozartit apo Betovenit pa asnjë tingull shqiptar.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Malishevë: U shënua 35-vjetori i rënies së dëshmorëve Hisni Mazreku dhe Ali Kryeziu

U shënua 35-vjetori i rënies së dëshmorëve Hisni Mazreku dhe Ali KryeziuSot, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në kuadër...

Hyrja në fuqi e listës së çmimeve të barnave Vitia thotë janë të vendosur që ta zbatojnë këtë ligj

Nga nesër (01.02.2025) në Kosovë do të hyj në fuqi dhe do të nis së zbatuari Lista e çmimeve të barnave në vend. Ministria e...

Lajmet e Fundit