13.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Rexhep Qosja: Gegërishtja nuk mund të jetë standard, ka komb shqiptar, jo kosovar

Rexhep QosjaRexhep Qosja

Po ku ndodhet Klani uzurpues i ASHAK-ut për konfliktin e interesit dhe korrupsionin? Po të lodhej dhe po të frikësohej prej shkeljes së ligjit dhe të Kushtetutës së Kosovës nuk do ta çonte përfaqësuesin e vet në Qeverinë e Kosovës për të pyetur se cilin anëtar të Partisë Demokratike do të donin t’ua pranonin anëtar të Akademisë? Dhe shakasë që zyrtari i Qeverisë do të bëjë me këtë të dërguar, Kryesia e Akademisë do t’i përgjigjet me një konflikt të ri të interesit: me pranimin e Arsim Bajramit anëtar Akademie edhe pse ai është deputet i ngarkuar edhe me një varg detyrash të tjera qoftë në Kuvendin e Kosovës, qoftë në Partinë Demokratike të Kosovës, qoftë në një varg fakultetesh, ku e shpjegon “drejtësinë” e sotme demokratike në Kosovë e në Shqipëri!

Po të lodhej për konfliktin e interesit Klani preshevar në fjalë nuk do ta bënte “përkthyese” të vet pikërisht një banore të Luginë së Preshevës dhe nuk do ta privatizonte banalisht edhe Katedrën e Kimisë, Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare me farefis të vet, bija e dhëndurë të grupit të sipërpërmendur!
7.
Rexhep Qosja nuk është pajtuar dhe vazhdon të mospajtohet me refuzimin e ASHAK-ut që të bashkëpunojë me Institutin Albanologjik të Prishtinës, për çka është protestuar sa e sa herë si në Institut ashtu edhe më gjerë. E refuzon udhëheqja e Akademisë këtë bashkëpunim për hir të interesave afatgjata personale, të personave të Klanit preshevar, por edhe për të keqen shkencore, artistike, kulturore dhe politike të Kosovës!
NË TË NJËJTËN KOHË KRYETAR I ASHAK-UT DHE KRYETAR I KUVENDIT TË KOSOVËS
8.
Rexhep Qosja nuk është pajtuar me rizgjedhjen e Nexhat Dacit kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, jo vetëm pse ai nuk ka cilësi shkencore për të qenë anëtar, prandaj as kryetar i Akademisë, por edhe pse në të njëjtën kohë ishte edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, i vendosur në atë pozitë në bazë të vendimit të kryetarit të LDK-së, fqinjit të tij të parë, Ibrahim Rugova. Në atë mbledhje zgjedhore iu thashë kolegëve akademikë: është jo vetëm jodemokratike, është jo vetëm joligjore, por edhe qesharake që kryetari i Kuvendit të një vendi, në këtë rast i Kosovës, të zgjidhet njëkohësisht kryetar i Akademisë. Këso zgjedhje, kolegë, historia nuk ka shënuar as në komunizmin sovjetik, as në demokracinë evropiane a amerikane, as në feudalizmin mesjetar.

Kot! Të gjithë akademikët votuan për të! Mbas votimit të tillë u thash kolegëve: këtë turp të Akademisë sonë do ta ndreqin përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Dhe, e ndreqën. Mbas disa muajsh ata e shkarkuan Nexhat Dacin nga detyra e kryetarit të Akademisë dhe, për shkak të sjelljeve të tij skandaloze dhe korruptive, për çka është shkruar mjaft në gazetat tona, e shkarkuan edhe nga detyra e kryetarit të Kuvendit. Kur ndodhi shkarkimi i urdhëruar i Nexhat Dacit prej detyrës së kryetarit të ASHAK-ut, iu drejtova kolegëve të mi në Kuvendin e ri zgjedhor: si po shihni, kolegë të dashur, ndodhi ajo që ua kam thënë unë – Nexhat Dacin e shkarkuan të tjerët prej detyrës së paligjshme që ia dhuruat ju! Nuk e di a e ndieni veten sadopak të penduar dhe sadopak të turpëruar për atë zgjedhje të paligjshme dhe kundërdemokratike!

Reagimi im i këtillë ndaj shkarkimit të Nexhat Dacit nga detyra e kryetarit të ASHAK-ut nuk do të kalojë, natyrisht, pa fyerje që do të më bëhet prej një pjesëmarrësi në mbledhjen e Kuvendit – prej kryetarit të tanishëm të ASHAK-ut, të vetëportretizuar besnikërisht në 55 pyetjet.
9.
Rexhep Qosja nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet me gjykimet e kohëpaskohshme inferiore që kanë shprehur dhe vazhdojnë të shprehim disa pjesëtarë të udhëheqjes partiake LDK-iste të ASHAK-ut për bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Në një prej mbledhjeve të Kuvendit të ASHAK-ut, menjëherë pas Luftës çlirimtare të UÇK-së, unë pata propozuar: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës do të bënte mirë që t’i propozonte Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që të krijohet një Këshill i përbashkët i dy akademive tona, i cili do të merrej si me hartimin e Programit të veprimtarisë kërkimore shkencore dhe profesionale njëvjeçare të akademive ashtu edhe me hartimin e Programit shumëvjeçar dhe të merret me hartimin e këtyre programeve për dy arsye kryesore: e para që të caktohen me program prioritetet kërkimore shkencore dhe profesionale të të dy akademive dhe, e dyta, që të mos përsëriten të njëjtat punë kërkimore shkencore dhe profesionale në Shqipëri e në Kosovë.

Janë, u pata thënë, edhe disa çështje të tjera, me të cilat mund të merret ky Këshill i përbashkët i dy akademive, dhe këto janë hulumtimet e përbashkëta në arkivat e shteteve ballkanike, përzgjedhja me kritere më të sigurta kombëtare të kandidatëve që do të propozohen e që do të zgjidhen anëtarë të Akademive tona. E të tjera. Reagimi i disa anëtarëve të Kryesisë së Akademisë ndaj këtij propozimi ishte vrazhdë refuzues.

PRODHUESIT E URREJTJES BRENDAKOMBËTARE
E dija atëherë dhe e di sot se më përpara se dy akademitë tona të bashkohen në Kosovën e bashkuar me Shqipërinë, duhet të formohet Këshilli i përbashkët që kam propozuar menjëherë pas Luftës sonë çlirimtare. Por, nuk mendoj se kundërshtimi i krijimit të këtij Këshilli do të shuhet. Jo. Kundërshtarët e këtij Këshilli përbëjnë sot Grupin ideologjik brenda ASHAK-ut, i cili me veprimtarinë e vet nëntokësore e mbitokësore nxit propagandën e disa vetjeve, disa medieve të shkruara dhe disa medieve elektronike për ndryshimin e bazës së gjuhës së njësuar kombëtare letrare, domethënë për krijimin e gjuhës së veçantë standarde të Kosovës shtet, në njërën anë dhe për krijimin e kombit të veçantë kosovar, në anën tjetër!

Nuk ka dyshim se si kjo ideologji feudale ashtu edhe propaganda e saj, që tashmë kanë filluar të prodhojnë, siç po shihet e po shkruhet kur e kur, një shovinizëm brendakombëtar, ani ku se, në kryeqytetin e Kosovës demokratike, sado të përkrahura, ndoshta edhe të stimuluara prej disa qendrave ballkanike dhe evropiane, do të shuhen, pa dyshim fort të komprometuara dhe do t’i bëjë të shuhen ashtu populli shqiptar i Kosovës, në shpirtin e të cilit nuk është shuar kurrë ideja e madhe për bashkimin me Nënën Shqipëri ashtu siç nuk është shuar kurrë kjo ide e madhe as në shpirtin e Shqipërisë.

I ftoj lexuesit, e ftoj Kuvendin e Kosovës, Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë për Arsim, Shkencë e Teknologji të Kosovës që të zgjedhin: e duan ASHAK-un pa dukuritë, shkeljet e ligjit, falsifikimet, shpërdorimet, korrupsionin, privatizimet e familjarizimet në institucionet e uzurpuara, zgjedhjet e anëtarëve të ASHAK-ut duke u bazuar në përkatësinë e tyre partiake, zgjedhjet korruptive duke rënë në konflikt të interesit, zgjedhjet e zyrtarëve të Rrahman Morinës e të Millosheviçit, refuzimin e bashkëpunimit me Institutin Albanologjik, mentalitetin primitiv feudal dhe politikën e mëhallës në ASHAK, që kritikon Rexhep Qosja apo ASHAK-un me këto dukuri izoluese, feudaliste, komprometuese, shkatërruese të tij, që përkrah Pajazit Nushi me punëdhënësit e tij të Klanit preshevar!

MENTALITETI FEUDAL DHE POLITIKA E MËHALLËS
10.
Ta përfundoj këtë shkrim duke cituar e, mandej, duke thënë pak fjalë për të, paragrafin përmbyllës me të cilin pedagogu dhe psikologu Pajazit Nushi e përfundon shkrimin e nënshkruar dora vetë! Dhe kjo fjali fatale është:
“Raportet e individëve të ASHSH-së me individë e grupe joformale, kudo që të jenë janë çështje të tyre, por në raportet me ASHAK-un është e nevojshme të evitohen sjelljet emocionale, mësimet ideologjike etj. ndaj Akademisë sonë dhe udhëheqjes së saj, mbi bazë të superioritetit të rremë dhe përgjithësisht të sjelljeve paternaliste, të cilat e rrezikojnë seriozisht raportin e bashkëpunimit, për çka ASHAK-u nuk mund të mbajë përgjegjësi”!!!

Kjo fjali me përmbajtje antikombëtare, që e prodhojnë si mentaliteti dhe politika e mëhallës, ashtu edhe mendja vetanalizuese dhe vetëpërshkruese e autorit të 55 pyetjeve, tregon qartë se sa pak, se sa aspak e dëshiron bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë Grupi i akademikëve inferiorë që predikon kur belbëzueshëm e kur zhurmueshëm krijimin e kombit kosovar dhe të gjuhës së tij standarde gegërishte! Është e sigurt se fjalia e sipërcituar nuk e shpreh disponimin e numrit më të madh të akademikëve të ASHAK-ut në lidhje me bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Dhe, nuk e shpreh disponimin e tyre sepse ata nuk ndihen inferiorë afër kolegëve të tyre nga Shqipëria siç po shihet se ndihen anëtarët e Grupit në fjalë.

Jam takuar shumë e shumë herë dhe kam biseduar më gjatë a më shkurtër me numrin më të madh të studiuesve, të shkrimtarëve dhe të krijuesve të tjerë shqiptarë nga Shqipëria shtetërore. Jam takuar dhe kam biseduar në Shqipëri e në Kosovë me figurat e shquara intelektuale shkencore, letrare e artistike: Eqrem Çabej, Aleks Buda, Arben Puto, Mahir Domi, Dhimitër Shuteriqi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Kristo Frashëri, Luan Omari, Ylli Popa, Eduard Sulstarova, Alfred Uçi, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Nasho Jorgaqi, Vehbi Bala, Zija Xholi, Myzafer Korkuti, Myzafer Xhaxhiu, Jup Kastrati, Jorgo Bulo, Pëllumb Xhufi, Stefanaq Pollo, Mentor Petrela, Jorgji Gjinari, Jani Thomai, Xhevat Lloshi, Anastas Dodi, Emil Lafe, Mehmet Çeliku, Seit Mansaku, Ali Xhiku, Enver Hysa, Floresha Dado, Ethem Lika, Gjovalin Shkurtaj, etj.; jam takuar dhe kam biseduar më shkurt a më gjatë me figurat e shquara politike të Shqipërisë, shumica e të cilëve janë edhe figura të shquara intelektuale e krijuese: Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Edi Rama, Ilir Meta, Skënder Gjinushi, Sabri Godo, Fatos Nano, Kastriot Islami, Neritan Ceka, Ethem Ruka, Petro Koçi, Preç Zogaj, Sabit Brokaj, Fatos Klosi e të tjerë. Dhe kurrë, në asnjë rast dhe në asnjë çast, asnjëri prej tyre nuk ka provuar të ndikojë “ideologjikisht” në mua, asnjëri prej tyre nuk ka treguar “superioritet të rremë”, si thotë Pajazit Nushi, a superioritet të vërtetë ndaj meje e, jam i sigurt, as ndaj ndonjë shqiptari tjetër të Kosovës.

Jo. Intelektualët dhe politikanët e Shqipërisë, qoftë edhe Sali Berisha i hallakatur, kudo e kurdo tregojnë mirësjellje dhe modesti të theksuar ndaj nesh, shqiptarëve të Kosovës, që është virtyti gjithnjë i dukshëm i kulturës së tyre dhe i bashkëbisedimit të tyre me të tjerë – shqiptarë a jo shqiptarë. Unë mund të them se prej tyre, sidomos prej baballarëve të historisë dhe të kulturës shqiptare, kam mësuar shumë edhe si drejtor i Institutit Albanologjik, edhe si studiues shkencor a krijues letrar. Dhe për këtë u jam mirënjohës përjetë. Ata, të gjithë, qoftë studiues, qoftë shkrimtarë, qoftë krijues të tjerë, qoftë politikanë, qoftë publicistë, qoftë gazetarë janë vetje me kulturë të gjithanshme, me dije enciklopedike, me qytetari përshtypjebërëse, me dhunti të jashtëzakonshme shkrimi e gojëtarie.

I kemi dëgjuar si flasin në tubime shkencore, i kemi dëgjuar dhe po i dëgjojmë si flasin në institucionet shkencore, kulturore dhe politike, qoftë meshkujt, qoftë gratë. Fjalimet e tyre, diskutimet e tyre janë shprehje e një gojëtarie të mrekullueshme me shumë dije, me shumë erudicion historik dhe kulturor. Dhe, e gjithë kjo është e kuptueshme. Shqipëria është shtet tani e njëqind vjet dhe gjatë këtyre njëqind vjetëve ka pasur kohë e mundësi që të krijojë klasën e lartë politike dhe klasën e lartë intelektuale: mendoj të lartë me kulturë, me dije, me dhunti të jashtëzakonshme gojëtarie. Dhe, kjo ne nuk duhet të na dëshpërojë, siç e ka dëshpëruar dhe kompleksuar udhëheqjen LDK-iste dhe lokaliste të ASHAK-ut. Kjo ne duhet të na gëzojë, shumë të na gëzojë. Dhe kjo lartësi e tyre intelektuale, mendore, kulturore, politike nuk duhet të na bëjë të trillojmë “superioritetin e rremë dhe përgjithësisht sjelljen paternaliste” të tyre.

Jo. Këtë frikë prej superioritetit të tyre jo të rremë po real, objektiv, shumë qartë të dukshëm, mund ta vuajnë vetëm ata që e kanë shkruar dhe nënshkruar fjalinë e sipërcituar kundërkombëtare, ata të cilëve inferioritetin shkencor dhe, në përgjithësi, kulturor, nuk mund t’ua kompensojnë pozitat në Kryesinë e shtëpisë së tyre private të quajtur ASHAK! Unë dhe, jam thellësisht i bindur, numri më i madh i shqiptarëve të Kosovës e çmojmë, e lakmojmë dhe e duam atë superioritet shkencor, letrar, artistik, publicistik, kulturor, politik, qytetar dhe televiziv të vëllezërve tanë në Shqipëri.

Dhe, e duam, dhe e lakmojmë, dhe e çmojmë duke bërë përpjekje që ta arrijmë: që ta arrijmë duke tejkaluar kufizimet që zhvillimit tonë ia kishte vënë pozita e pakicës së shtypur kombëtare gjatë njëqind vjetëve në Jugosllavinë një kohë mbretërore e mandej socialiste, por gjithnjë kërcënuese, shtypëse e nënçmuese ndaj nesh.

Më Shumë

Lajmet e Fundit