21.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Rikthimi i një miti

Adriano Çelentano, i vetmi këngëtar italian që ka shitur më tepër se 100 milionë albume, është i “dënuar” të mbetet i përjetshëm.

Ai mund të cilësohet si njeriu i historisë së muzikës.

Adriano Çelentano, përveçse një këngëtar i njohur dhe tekstshkrues, është edhe aktor, komedian, regjisor dhe shoumen. Djaloshi i “24 mijë puthjeve” i “Koha shkon”, “Emocioni nuk ka zë” etj., ka mbushur dje plot 78 vjeç. Për shkak të daljeve të tij të pakta publike, të gjithë janë “sy e veshë” nga ai. Kanë qenë të shumta urimet e dedikuara për të nga miqtë, kolegët, të afërmit dhe nga mijëra fansa, të cilët e ndjekin nëpërmjet rrjeteve sociale të dedikuara posaçërisht për të.

Mes urimeve, më i paprituri ishte ai i kolegut të tij, Gianni Morandi, i cili dedikimin për ditëlindje ia shprehu nëpërmjet faqes së tij në “Facebook”, faqe që numëron më shumë se dy milionë fansa. Bashkangjitur me një pikturë të Milo Manara-s, ku këngëtarët paraqiten së bashku, Morandi u shpreh se ai është një nga fansat më të mëdhenj të Çelentanos. “6 janar 2016. Sot është ditëlindja e Adriano Çelentanos. Kam qenë gjithmonë një nga fansat e tij më të mëdhenj dhe ndihem miku i tij. Urime Adriano! Je më i madhi! (Piktura nga Milo Manara)”, tha këngëtari italian, Gianni Morandi.

Çelentano, përveç muzikës së mrekullueshme (teksteve të këngëve kuptimplota), hap shpesh polemika përmes opinioneve që ai ka për politikën, fenomenet sociale etj. Me mbi 70 milionë disqe të shitura, Çelentano vazhdon të mbetet personazhi më i diskutuar italian, i cili pranon se strehëzën më të shtrenjtë ka familjen, gruan Claudia dhe tre fëmijët: Rosita, Giacomo dhe Rosalinda.

Çelentano dhe Mina, album të ri këtë pranverë

Dy artistët e mëdhenj do të bëhen sërish bashkë pas 18 vjetëve që nga triumfi me albumin “Mina Celentano”. Albumi i ri është thënë se do të dalë në pranverën e këtij viti, ndërsa ai do të ketë totalisht këngë të padëgjuara më parë. Artistët, pavarësisht karrierës së gjatë dhe të suksesshme, shohin ende nga e ardhmja, aq sa albumi pritet të shoqërohet me një projekt multimedial, i cili mund të jetë pjesë e një aplikacioni të veçantë. Regjistrimet për albumin e shumëpritur kanë nisur para verës së vitit që shkoi. Sipas mediave italiane, për detaje të tjera, Mina dhe Çelentano kanë preferuar të qëndrojnë të heshtur.

Si nisi karriera e të madhit Çelentano?

Adriano Çelentano lindi më 6 janar 1938 në Milano. Ai është biri i dy prindërve puliezë, të cilët u shpërngulën në Milano, në kërkim të një jete më të mirë. Adoleshenca e gjen atë larg shkollës, i detyruar të bëjë punë të ndryshme për të mbijetuar, ku ai kujton si të preferuar zanatin e orëndreqësit. Megjithatë, ky orëndreqës “i pandreqshëm”, zbulon se kishte talent për muzikë, ndaj dhe për herë të parë debuton në teatrin “Smeraldo”, së bashku me Tony Renis, në një grup muzikor që mbante emrin “Qejflinjtë e ritmit”.

Pas njërës prej shfaqjeve të fillimit, ai takohet me kampionin e muzikës rock-boogie, Bruno Dossena, i cili e fton të marrë pjesë në Festivalin e Rock’n’Roll-it, që zhvillohej në Pallatin e Akullit në Milano. Atje, Adriano Çelentano mori pjesë i shoqëruar nga kompleksi “Rock boys”, ku bënin pjesë artistë që në të ardhmen do të bëheshin emra të mëdhenj të muzikës italiane, si Giorgio Gaber, Enzo Jannacci dhe Luigi Tenco. Megjithëse kishte shumë pjesëmarrës, dukej se i vetmi këngëtar i vërtetë rock ishte ai, “Adriano il Molleggiato” (i përdredhuri) i pari, madje i vetmi në Europë.

Me këngën “Ciao, do të lajmëroj”, ai i shkatërroi krejtësisht konkurrentët e tjerë dhe vetëm pas tri ditësh, nënshkruan kontratën e parë me shtëpinë diskografike milaneze “Saar”, me të cilën prodhon këngët hit “Rip it Up”, “Jaihouse Rock” dhe “Tutti Frutti”. Në vitin 1958, ai është sërish pjesëmarrës në edicionin e dytë të Festivalit të muzikës Rock’n’Roll dhe, për herë të parë shfaqet si figurant në filmin “Të nxituarit”. Data 13 korrik 1959 është dita e Festivalit të Ankonës, ku Çelentano, me këngën “Puthja jote është si një rock”, bëhet fitues dhe njëkohësisht pushtuesi i klasifikimeve muzikore në mbarë Italinë.

Kjo këngë e bën Adriano Çelentanon të njohur, pra erdhi momenti i tij. Në vitin 1960, Çelentano shfaqet në një sekuencë të rëndësishme të filmit të famshëm “Jeta e ëmbël”, të regjisorit Federico Fellini, i cili kërkoi ta kishte me çdo kusht, pasi e pa në skenë duke kënduar “Reddy Teddy”. Një vit më vonë, Adriano niset të kryejë shërbimin ushtarak dhe merr pjesë në Festivalin e Sanremos me këngën “24 mijë puthje”. Nuk fiton, sepse renditet në vendin e dytë, por disku shitet në më shumë se një milion kopje. Adriano në skenë këndoi duke ia kthyer shpinën publikut dhe ky veprim bëri aq bujë, sa u kthye në një çështje që u diskutua edhe në Parlament. Ai është i pari që themeloi një shtëpi diskografike, të quajtur “Clan Celentano”, ku do të prodhonte muzikë për vete dhe për këngëtarë të rinj.

Rikthimin në Sanremo, artisti e bën më 1966-n, me një këngë që për herë të parë ngjiti në skenat muzikore europiane temën e ndotjes urbane. Titulli i saj është “Djaloshi i rrugës Gluck” dhe suksesin ia garantuan një milion e gjysmë kopje të shitura në mbarë botën, ku kënga u përkthye në tetëmbëdhjetë gjuhë. Ambicia artistike e Adrianos nuk mbeti vetëm në mbajtjen e statusit si këngëtari i parë rock’n’roll europian, sepse më 1972-shin del singëlli “Prisencolinensinanciusol”, e para këngë rap në historinë botërore.

Amerikanët, që mbahen si zbulues të kësaj rryme, e sollën këngën e tyre të parë në tregun muzikor, vetëm dhjetë vite më pas. Artisti ka pasur gjatë gjithë karrierës dashurinë e pandarë të publikut, por në vitin 1974, pas daljes në kinema të filmit “Yuppi Du”, i shkruar, drejtuar, interpretuar dhe prodhuar nga vetë Çelentano, kritikët e kinemasë thirrën njëzëri: “Ka lindur një Charlie Chaplin i ri!”. Periudha nga viti 1975 deri më 1985-n sjell për Adriano Çelentanon intensitet të pazakontë në aktivitetin si aktor. Filmat e tij janë të parët në historinë e kinemasë italiane, që sjellin të ardhura deri në dhjetë milionë euro. Fillimi i viteve ‘90 e gjen Çelentanon duke projektuar suksese të tilla, si “Mbreti i injorantëve”, “Erdhën njerëzit”.

Një bum artistik i publikut dhe i kritikës, ishte albumi që ai dhe Mina nxorën në treg në vitin 1998, me titullin “Mina & Celentano”. Më 2000-shin del një tjetër album, “Dal rrallë dhe nuk flas shumë”. I tërhequr në jetën familjare, artisti vendos që pas dy vjetësh të risjellë një CD me titull “Përgjithmonë”. Ndërsa provokimi i fundit në daljet televizive “alla Çelentano” titullohet “Situata e motrës sime, nuk është e mirë”. Më 23 nëntor 2007, këngëtari publikon “Fli e dashur, situata nuk është e mirë”, album që ka në kopertinën e tij një pamje të Adrianos si boksier. Ndërkohë që në vitin 2012 ndodhi ajo që pritej. Ai merr pjesë në Sanremo dhe Çelentanos iu plotësua kërkesa për të pasur 50 minuta të veta nga shou i natës së parë në këtë festival dhe duke qenë kështu lajmi i parë në të gjitha mediat. Ndonëse është 78 vjeç, ai vazhdon të mbetet një ndër idhujt e muzikës italiane, i cilësuar si miti i historisë muzikore.

Dashuria e këngëtarit dhe aktorit të famshëm

Adriano Çelentano i vërtetë është Klaudia Mori. Vetëm një femër strikte si Klaudia Mori mund të drejtojë, mbrojë dhe të dashurojë një vullkan si Adriano Çelentano. Klaudia, aktore dhe këngëtare nga Roma, e takoi Çelentanon në sheshxhirimin e filmit “Një tip i çuditshëm” dhe që nga ai moment, ata janë çifti më solid në shoubizin italian. Martesa e tyre u bë shumë sekrete në vitin 1964. Kjo lidhje u solli atyre tre fëmijë: Rosita-n më 1965-n, Giacomo-n më 1966-n dhe Rosalinda-n më 1968-n. Jeta në çift e Adrianos dhe Klaudias ka rrjedhur e qetë dhe shumë e rezervuar për publikun. /Shqip

Më Shumë

E rrahën një person dhe e futën me forcë në veturë, arrestohen katër burra në Prizren

Katër burra janë arrestuar në Prizren pasi që të njëjtit pas një zënke e kanë sulmuar fizikisht një person. Sipas policisë, të dyshuarit e kanë...

Koha dritëplotë

Sahit F. Osmani Koha dritëplotë thellësive të errta shkreptin komunikon me të robëruarit me zërin e dritës u shtrinë dorën që të marrin çelsat e shpëtimit të çlirohen...

Lajmet e Fundit