33.4 C
Prizren
E premte, 27 Qershor, 2025

Ritmi i romanit

Ag APOLLONI

Ridvan Dibra është autor postmodernist, i cili fokusohet në tema të vogla, por që te lexuesi ngjallin asociacione të mëdha. Ai i përmbahet parimit të asjbergut, në sipërfaqe nxjerr pak, por leximi i vertikales semantike mundëson të shihet edhe pjesa nënujore, që është e madhe dhe frikësuese. Kjo është edhe arsyeja pse ai sot është një autor që çmohet lart nga kritika, por edhe nga lexuesit që, siç thotë Barthes, kënaqësinë tekstuale, apo orgazmën, atë jouissance (1973: 10) që e shkakton teksti, e kërkojnë jo te tekstet e lexueshme, por tek ato të shkrueshme (1974: VIII-IX).

Narrativa inovative

“Nudo” nga vetë autori ka përcaktuesin kategorial: roman. Mirëpo, i parë në kontekst më të gjerë, ai për nga gjatësia hyn te novela, standardin e së cilës, sipas disa teoricienëve, në letërsinë botërore e caktojnë: Metamorfoza (Kafka), Zemra e errësirës (Conrad), I huaji (Camus), Njerëz dhe minj (Steinbeck), Plaku dhe deti (Hemingway), Gjiri (Roth) etj.

Në anglisht, romani quhet novel, kurse novela quhet novella, të dyja me origjinë të njëjtë te fjala latine novella, e cila shënjon diçka të re. Derisa te italianët novela (novella) domethënë tregim i shkurtër i diçkaje të re, në anglisht novela (novel dhe novella) ka kuptimin narrativë e gjatë që dallon nga tregimi i shkurtër (short story).

Ridvan Dibra e quan veprën e tij roman, jo pse ajo s’mund të quhet novelë, por sepse ndarja mes dy kategorive të narrativës së gjatë gjithmonë tingëllon artificiale. Pra, nëse marrim për bazë strukturën, apo edhe numrin e faqeve, distinksioni i novelës me romanin duket qesharak dhe absurd. Por, nëse marrim në konsideratë origjinën e termit, atëherë romanin e Dibrës mund ta kategorizojmë si novelë, sepse ai është narrativë inovative.

Akti i zhveshjes

“Nudo” është një vepër që trajton temën e pushtimit. Jo të pushtimit në kuptimin tradicional, por të pushtimit erotik. Prandaj, titulli alternativ i kësaj vepre, sipas dëshmisë së autorit, ka qenë Pushtimi i madh, kurse si moto e saj është vënë thënia e filozofit kinez Lao Tzu: Çdo pushtim është një dështim. Tematikisht vepra është provokacion erotik që aludon në një perversitet të madh: skulptori Alfred Boka zgjidhet drejtor i konviktit që ka një mijë vajza dhe, befas, në një cep të trurit i vetëtin ideja për t’i pushtuar të gjitha. Ai së pari provokon duke vënë në mes të oborrit të konviktit skulpturën e tij me trajtë nudoje dhe, pasi vepra e tij bëhet objekt adhurimi, ai nis të thurë plane për pushtim: Ai, drejtori i Konviktit, qe bërë shpirti, nordi i asaj turme! Ajo turmë e adhuronte tashmë, kjo s’kishte pikë dyshimi. Dhe mbi këtë adhurim ai do të ndërtonte dhe do ta zbatonte planin e tij. Ani pse, në vështrim të parë, ai plan dukej absurd, një çmenduri e vërtetë.

Kureshtjen e lexuesit semantik e ushqen përpjekja e skulptorit për t’i shtënë në dorë konviktoret, ndërsa joshjen e lexuesit semiotik e imponon shenjëzimi i koduar në vepër si një apel për aventura semiologjike.

“Nudo”, në thelb, është rrëfim onirik, pasi ai është një tekst i thurur si ëndërr, të cilën Sigmund Freud e identifikonte me dëshirën. Këtu e nënvetëdijshmja del në sipërfaqe, pra bëhet e vetëdijshme, derisa strukturimi tekstual luan me impulsin seksual. Por, “Nudo” nuk është vetëm një dëshirë e zjarrtë për ta zhveshur femrën dhe për ta shfryrë epshin e mashkullit, ajo është vepër që zbulon dëshirën e njeriut për pushtim, për dominim. Meqë, diskursi fallocentrik (Jones 2000: 438) është tipar dallues i veprës, atëherë femrat si seks i dytë, apo gjini sekondare, siç janë konsideruar me shekuj, vihen në shënjestrën e fallosit (gr. fallos – organ gjenital mashkullor), i cili imponon ndjenjat dhe mendimet e personit me pretendime pushtuese.

Natyrisht, përveç aktit të zhveshjes që është synim i protagonistit, romani “Nudo” është po kaq interesant edhe në aktin e veshjes.

Akti i veshjes

Sipas shkrimtarit peruan Mario Vargas Llosa, ka një “ngjashmëri” mes striptizeres dhe shkrimtarit: Të shkruarit e librave është barasvlerës i asaj që bëjnë profesionistet e striptizës kur zhveshin teshat dhe tregojnë trupat lakuriq në skenë. Shkrimtari kryen të njëjtin akt, por në të kundërtën e tij. Për të krijuar një roman, ai kryen të gjitha lëvizjet e të veshurit, duke fshehur lakuriqësinë me të cilën nisi punën (2008: 21). Ky krahasim tregon qartë aktin e dyfishtë të veprës “Nudo”, tema e së cilës sugjeron lakuriqësinë dhe seksualitetin potencial, ndërsa stili mbulon materialin bruto, i cili pa petkun stilistik do të rrëshqiste në banalitet.

Autori nuk lodhet për pasqyrimin e realitetit, pasi ai është shpikës i realitetit romanor. Prototipi i personazhit të tij skulptor nuk është thjesht një njeri i zakonshëm, apo edhe një artist, por secili njeri që diku në skutat e të nënvetëdijshmes ndryn dëshirën që bie ndesh me moralin si konventë sociale. Autori e krijon personazhin e përcaktuar mirë, por nuk e gjykon, sepse postmodernizmi nuk është i papërcaktuar, as zhdukje e gjykimit: ai konteston pikërisht themelet e çdo përcaktueshmërie (historinë, subjektivitetin, referencën) dhe çdo standard gjykimi (Hutcheon, 1988: 57).

Natyrisht, përtej ideve dhe referencave, autori pranon pohimin e Todorovit se personazhi është një emër, veprimi një folje (2000:51) dhe e kthen rrëfimin në një eksperiment gjuhësor që të rrëmben me ritmin e shpejtë që imponon shkathtësia gjuhësore për të cilën dallohet proza e këtij autori.

Ridvan Dibra e vesh veprën me figura të shumta dhe pastaj e tkurr në një figurë të vetme, në një parabolë mbi pushtimin si dështim. Krejt teksti narrativ është një sintezë stilistike, mirëpo ironia si figurë dominuese e diskursit postmodern dhe enumeracioni si figurë që, bashkë me sintaksën poetike, krijon ritmin e romanit, janë dy figurat nëpërmjet të cilave shfaqet autenticiteti i autorit Ridvan Dibra, i cili me veprën “Nudo” injoron romanin tradicional shqiptar dhe ndjek ritmin e romanit postmodern.

Më Shumë

Memli Krasniqi e konfirmon se Shaqir Totaj do të jetë kandidat për kryetar të Prizrenit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, konfirmoi se Shaqir Totaj do të jetë kandidat për kryetar të Prizrenit. Gjithashtu, Krasniqi dha detaje edhe...

12 vjet pa simbolin e qëndresës, Mursel Osmanaj

Në 12-vjetorin e ndarjes nga jeta të Mursel Osmanajt, njërit ndër figurat qendrore të rezistencës kombëtare në rajonin e Prizrenit dhe themelues i celulave...

Lajmet e Fundit