Revista prestigjioze e muzikës “Rolling Stone” ka renditur këngëtaren Dua Lipa në mesin e 10 artisteve që duhet të njihen.
Këngëtarja nga Kosova që jeton në Londër është listuar krahas Blackpink, Noname, Young M.A, Survive, Mija, Old Blood, Sarah Potenza, etj.
Kjo revistë amerikane që del çdo dy javë, e themeluar në San Francisko, ka shkruar për prejardhjen e këngëtares, jetën e saj, fillet e karrierës dhe preferencat në muzikë duke ua prezantuar lexuesve portretin e artistes nga Kosova, që po bën nam në botë, shkruan KultPlus.
Shkrimi ku renditen edhe këngëtarët tjerë nis me Dua Lipën duke theksuar se kënga e saj “Hotter Than Hell” tashmë është një hit në Mbretërinë e Bashkuar përderisa paralajmërohet një turne që këngëtarja do ta nisë së shpejti.
Artikulli i “Rolling Stone”, përkujton se në moshën 15 vjeç, Dua Lipa u kthye në qytetin e Londrës pasi jetoi me familjen e saj në vendlindjen e prindërve në Kosovë.
“Kjo ishte kur unë me të vërtetë vendosa për të marrë fatin tim në duart e mia dhe kur thashë mirë, unë tani dua të bëjë këtë “, kujton Lipa kohën kur ka marr vendimin për t’i hyrë karrierës së gjatë në muzikë.
Në sajë të një menaxheri që ajo gjeti përmes mediave sociale, Lipa kaloi pesë ditë në javë në studio krahas një pune që kishte në restorant, thekson revista “Rolling Stone” e cila shton se tani 21-vjeçarja është gati për lansimin e albumi të saj debutues, që do të dalë në shkurt 2017.
Lipa për këtë revistë, ndër më të njohurat në botë në fushën e muzikës, deklarohet se gjithmonë ka qenë një fanse e muzikës pop dhe se është adhuruese e flaktë e Amy Winehouse, Nelly Furtado, Jessie Ware.Ajo thotë se albumin e parë që e ka ble ka qenë TheWhoa, Nelly! nga Nelly Furtado. Ajo thotë se ka pasur ëndër që të bëhet si këto këngëtare.
Ajo thekson se e do veçanërisht mënyrën si Pink është ngritur në karrierën e saj. dhe e admiron atë shumë . Lipa thekson se ndoshta për shkak se i ka dashur shumë këto këngëtare sa ka qenë e re, ato i kanë lënë gjurmë të thella që e frymëzojnë në atë çfarë bën tani ajo në fushën e muzikës.