18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Rugova: LDK ka nevojë për një frymë të re

Naser RugovaNaser Rugova, të cilit udhëheqja aktuale e LDK-së nuk i gjeti vend për ta futur në listën për deputet, ka reaguar për rezultatin e kësaj partie të marrë në zgjedhjet e 8 qershorit.

Rugova ka thënë se LDK-ja pas zgjedhjeve parlamentare ka nevojë për një gjak të ri, por mbi të gjitha për një frymë të re. “Gjëja më e lehtë është që ta kërkojmë ‘kokën e turkut’ dhe që dështimin ta lidhim me një emër të caktuar. Përgjegjësia qëndron në një garniturë të tërë, që në këtë fushatë e përçoi mesazhin e pagjakësisë, arrogancës dhe mendjemadhësisë, logjikës së përjashtimit, vetëkënaqjes, ngufatjes së gjakut të ri dhe bllokimit të brezit të ri dhe të mesëm të partisë”, ka shkruar Rugova në profilin e tij në Facebook.

Deklarata e plotë e Naser Rugoves:

TA NISIM FILLIMIN E RI!

Të gjithë ne e kemi pritur një të hënë ndryshe, një 9 qershor të kthesës, një ditë të shkëputjes nga fryma e keqe që e ka zaptuar këtë vend, por sot jemi aty ku jemi. Dhe jemi shumë larg nga ku do të donim të ishim. Megjithatë, nëse i lexojmë mirë rezultatet e zgjedhjeve, shihet qartë se pjesa më e madhe e elektoratit nuk i beson më Hashim Thaçit, as PDK-së dhe as misionit të tij të ri. Por elektorati nuk tregoi besim as ndaj nesh: Thjesht na dënoi!
Sidoqoftë, kjo ditë nuk është ditë për heshtje zie dhe as nuk është ditë për të ulur kokën. Sot është një ditë për të shikuar drejt të ardhmes dhe për të filluar punën për një të nesërme më të mirë. Sot është një ditë për të reflektuar, sepse elektorati asnjëherë nuk ka faj: Kemi faj ne që nuk kemi ditur ta fitojmë besimin e tyre.
Sot nuk është as edhe ditë për të uruar “fitore të pastër”. Është e vërtetë se rezultati është ky që është (padyshim është fitore e PDK-së), por është larg nga të qenit “fitore e pastër”.
Ta varfërosh popullin dhe më pas të mbledhësh votat në këmbim të “dhuratave të babadimrit” është larg nga diçka që mund të quhet e pastër. T’i kushtëzosh nëpunësit civilë me bukën e tyre të gojës është larg nga diçka që mund të quhet fitore e pastër. Prandaj, për aq sa është korrekte që të urohet fituesi, po aq është edhe fisnike që të përmbahemi nga kualifikimet e tepërta.
Sot, po ashtu nuk është një ditë për të kërkuar fajtor dhe për të filluar valë akuzash ndaj njëri-tjetrit.
Gjëja më e lehtë është që ta kërkojmë “kokën e turkut” dhe që dështimin ta lidhim me një emër të caktuar. Përgjegjësia qëndron në një garniturë të tërë, që në këtë fushatë e përçoi mesazhin e pagjakësisë, arrogancës dhe mendjemadhësisë, logjikës së përjashtimit, vetëkënaqjes, ngufatjes së gjakut të ri dhe bllokimit të brezit të ri dhe të mesëm të partisë. Këto zgjedhje tregojnë se nuk është dënuar LDK-ja, por është dënuar kjo garniturë, sepse elektorati thjesht më nuk beson se këta individë kanë më diçka për të ofruar. Megjithatë, unë nuk jam ithtar i humbjes së njerëzve, kushdo qofshin ata.
Por, ajo çfarë ndodhi tashmë ndodhi. Pyetja është se çfarë do të bëjmë nesër?
Thjesht, duhet bërë atë që e bëjnë të gjitha subjektet e pjekura: Duhet gjetur një tranzicion të shëndoshë dhe të natyrshëm nga një gjeneratë më e vjetër në një gjeneratë më të re. Dhe, kjo është më e rëndësishmja, kjo gjeneratë e re duhet ta japë një shembull ndryshe, një shembull më të mirë.
Prandaj, sot, në vend se të shpallim humbjen në këto zgjedhje, duhet të shpallim ditën e parë të reformimit substancial, të tërësishëm dhe në të gjitha nivelet të LDK-së.
Sot duhet të jetë dita e parë e fillimit të ri. Kjo do të thotë se zgjedhjet në parti duhet të jenë të fokusuara në reformim përmbajtjesor dhe jo vetëm në ndryshim të kuadrove, sepse zgjedhjet e 8 qershorit treguan se presidenti Rugova nuk mund të ngritët nga varri që t’i fitojë zgjedhjet për ne.
LDK-ja ka nevojë për një gjak të ri, por mbi të gjitha për një frymë të re.
Një frymë të fitores.

Më Shumë

Moti sot me diell

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët.   IHK njofton se vranësirat gjatë ditës vende-vende...

Arrestohet një person në Rahovec, pasi në gjendje të dehur kërcënon policët

Një person është arrestuar të hënën në Rahovec, ku dyshohet se në gjendje të dehur ka kanosur zyrtarët policorë. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës,...

Lajmet e Fundit