11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Shkëlqimi që nuk do të zbehet kurrë

Shkruan: Fahri Musliu

(In memoriam: BEKIM FEHMIU)

Më 15 Qershor të vitit 2010, në 74 vjetorin e jetës, jehoj si bombë lajmi se aktori i njohur me famë botërore, Bekim Fehmiu, ka bërë vetëvrasje në banesën e vet në Lagjen Zvezdara në Beograd. Kjo ndodhi disa muaj pas një gjakderdhje që kishte përjetuar në tru, dhe shërimi kishte përparim, por të pamurit i ishte dobësuar bukur dhe nuk duronte që ta ngarkojë dike për ndihmë, meqë i tillë ishte tërë jetën.

 

E luajti aktin e fundit të dramës që quhet JETË, prapa perdes, pa publik: skenarist, regjisor dhe aktor kryesor i së cilës ishte vet!!!

Dhe serish u kthye në Prizren, prej nga u mis në vjeshtën e vitit 1956, në urnën me hirin e trupit që, sipas dëshirës së tij, të hidhet në lumin Bistricë (Lumbardh), përmes tij të derdhej në Drin e Bunë dhe të arrijë në Detin Adriatik, dhe detet e oqeanet tjera të botës…

ODISEU iu kthye Itakës: UJIT, DHEUT dhe QIELLIT të PRIZRENIT të cilin e ka dashur aq shumë. Nuk deshi që Prizrenit e Kosovës t’i shtohet edhe një varr, se ato janë të stërmbushura me varre, por deshi që hiri i trupit të tij të shëtit anembanë botës, sepse ai edhe i takonte gjithë njerëzimit.
Ishte kjo estetika e jetës dhe e vdekjes së aktorit të madh…

“Atje ku shkel këmba ime, atje është Shqipëri!”

“Unë, megjithatë jam ky, nga kjo baltë dhe nga këta gurë. Dhe duhet t’ju them, krenohem me këtë. Ne jemi popull i vogël, por nuk luan rol kuadratura, madhësia e vendit. Gjëja themelore është njeriu.
E unë mbaj në veten time njeriun tonë, psikologjinë tonë, specifikat tona, i cili me tërë qenien e vet inkorporohet në të përgjithshmen njerëzore, në njeriun në përgjithësi”, thoshte Bekimi, duke theksuar se “atje ku shkel këmba ime, atje është Shqipëri!”

Poeti ynë i madh Ali Podrimja pati shkruar: “Në fund të viteve e ’60-ta, kur nuk dihej asgjë për Kosovën, (ndoshta pak gjë për Shqipërinë, më tepër si toponim gjeografik, ylli i Kadaresë nuk ishte shfaqur ende), në qiellin e filmit botëror kishte filluar të pipëtinte një yll që ngrihej nga Ballkani i errët. Ai quhej Bekim Fehmiu, para të cilit hapeshin portat e producentëve botërorë… Ai ishte fanar që na ka orientuar.”

Bekim Fehmiu ishte sinjifikim i suksesit, i bukurisë, i forcës, dhe i talentit e krenarisë për çdo shqiptar kudo që jeton, sepse secili shqiptar mburrej që ishte shqiptar. Bekimi ia ktheu dinjitetin shqiptarit që deri aso kohe ishin mësuar që të tjerët të trajtonin vetëm për punë të rënda fizike dhe sharrëxhinj.

Në fund të viteve të gjashtëdhjeta dhe fillim të viteve të shtatëdhjeta, Bekimi e shkroi emrin e shqiptarit me shkronja të arta në majat e kinematografisë botërore, dhe ishte shqiptari më i njohur në botë. Refuzoj kategorikisht që edhe një gremë t’i hiqet emrit të tij për shqiptim më të lehtë: “Jo nuk mund ta bëj këtë, se emrin që ma kanë dhënë prindërit ka domethënie jo vetëm për familjen, por edh për kombin tim.” Atë kohë në koktejin e organizuar me rastin e premierës së filmit” Aventurierët”, në hotelin Pjerr, në Nju Jork, ai u paraqit me veshje të improvizuar shqiptare dhe i mahniti të gjithë të pranishmit. Mburreshim të gjithë atë kohë sepse nisem të ndihemi pjesë e civilizimit dhe kulturës evropiane e botërore.

Roli i romit ‘Beli Bora’, në filmin “Mbledhësit e puplave”, në festivalin e Kanës, më 1967, i nominuar edhe për Çmimin “Oskar”, ia hapi dyert e kinematografisë botërore, kurse seria televizive “ODIESU” (1968) e bëri të famshëm, për çka edhe nisi të kërkohej nga regjisorë e producentë të njohur, në filmat e të cilëve luajti role kryesore, bashkë me aktorë më të mëdhenj të filmit të asaj kohe.

Filmi “Mbledhësi i puplave” në vitin e 50 jubilar, u shpallë filmi më i mirë jugosllav/serb i të gjitha kohëve. Bekimi, më 17 maj të vitit 2017, serish u “gjet” në Festivalin e Kanës, por jo fizikisht, veç me rolin e tij maestral të Beli Boros, në “Mbledhlsit…” tani të modifikuar enkas për këtë rast, që u shfaq në kuadër të programit “Klasikët e Kanës”, bashkë me 16 filma më të mirë klasik të Kanës.

Kurse roli i Uliksit në serinë televiziv “Odiesu”, që e luajti si askush ndonjëherë, ia hapi dyert e kinematografive botërore, kur edhe u angazhua nga kompania më e madhe filmike amerikane “Paramunto”, dhe luajti tre filma me aktor të njohur botëror dhe u bë yll i Holivudit, me çka e realizoj qëllimin që ia kishte shtruar vetes qysh si gjimnazist.

“Odiesu”, po ashtu më 2017, u shpallë seria më e mirë televiziv e të gjithë kohëve në Itali, kurse Bekimi aktor i pazëvendësueshëm.

Një autor ka shkruar: “Ka shqiptarë që i japin kombit të vet, por ka shqiptarë që i japin margaritarë gjithë njerëzimit. Bekim Fehmiu ishte njëri prej tyre, që i dha aq shumë botës kinematografike. Ishte njeriu që nuk bënte pjesë në grupin e atyre që flisnin shumë, ishte i veçantë. Një “rezistues i fuqishëm ndaj padrejtësisë”; “njëri shumë i bukur dhe i talentuar për këtë botë”; “që gjithmonë ishte mbi primitivizmin ballkanik”…I veçantë në skenë, në jetë, kudo… madje, edhe në shuarjen fizike.”

Ndonëse mendimet mbi karrierën ndërkombëtare të Bekimit edhe deri sot kanë mbetur të ndara, është fakt se ai ka qenë njëri nga aktorët e rrallë nga këto hapësira, i cili vërtetë diç ka bërë në botë.

Prandaj, e them me bindje të thellë se Bekimi, do të mbetet një emër, pa të cilin nuk mund të shkruhet historia e filmit shqiptarë, edhe pse nuk ka lozur ndonjë film shqiptar, e në radhë të parë ajo e filmit jugosllav e ballkanik, i cili gjithashtu la gjurmë të thella edhe në historinë e filmit evropian dhe amerikan. Sepse Bekimi ishte dhe do të mbetet tregues i profesionalizmit e perfeksionimit të lartë, i parimeve, i suksesit, i bukurisë, i forcës, i talentit, i mburrjes dhe i frymëzimit për çdo shqiptar kudo që jeton.

Prizreni ishte i Bekimit, por jo edhe ai i Prizrenit!?

Mirëpo, edhe përkundër kësaj fame, bota shqiptare, e veçmas institucionet zyrtare, por fatkeqësisht edhe komuniteti artistik, prore vazhdojnë ta injorojnë këtë mjeshtër të artit të shtatë! Kjo po ndodh se në pushtet janë njerëzit kleptokrat e mediokër, të cilët kanë krijuar një shoqëri tribaliste.

Në shumë qytete të Kosovës rrugët, sheshet e institucionet e ndryshme janë emërtuar me emra të personave që nuk i njeh as mëhalla e vet, por jo edhe me emrin e Bekimit, apo me personalitete tjera të njohura të kulturës, artit, sportit. Ekziston një rrugë në periferi të Prishtinës, në Shtime, në Shirokë të Suharekës, e ndoshta edhe në ndonjë lokalitet tjetër, por jo edhe në Prizren, i cili është mbushur me emra të personave me e pa meritë, me përmendore të luftëtarëve, e me shpalljen e personave të ndryshëm qytetar nderi, por jo edhe me emrat e njerëzve të kulturës, artit, filmit, muzikës, letërsisë…

Bekimin, para tre vitesh e shpalli Shkodra “Qytetar nderi” edhe pse atje jetoj vetëm 3 vjet, por jo edhe Prizreni ku e kaloj rininë, ku i bëri hapat e parë të aktrimit, cilit ia kushtoi një odë në librin e tij autobiografik “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”, çfarë nuk ia ka shkruar askush deri më sot.

Edhe pse ministri i Kulturës së Kosovës, me rastin e transferimit të një pjese të kësaj Ministrie në Prizren , tha më 25.01.2019, ministri aktual tha: “…Nga sot, MKRS-ja është në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në qytetin e Bekim Fehmiut,..”

E saktë, Prizreni ka qenë qyteti i Bekimit i cili nga dashuria e madhe, i është kthyer këtij qyteti. Mirëpo, sa është Bekimi i këtij qyteti, sa ka bërë qyteti dhe institucionet e tij kulturore për Bekimin? Mund t’i numëroj injorimet dhe refuzimet e nismave që kanë të bëjnë me figurën dhe veprën e Bekimit. Më 2012, kërkova me shkrim nga pushteti i atëhershëm i PDK që Shtëpia e Shaip Spahiut, ku Bekimi me familje e ka kaluar rininë, të shndërrohet në muze me artefaktet e tij; që të ngrihet një përmendore përballë Kompleksit të Lidhjes, në fund të Kalasë; që një rrugë apo shesh të marr emrin e tij. Para tre vitesh, në 80 vjetorin e lindjes, as Qeveria qendrore e Isa Mustafës as ajo lokale e Ramadan Mujës, nuk iu përgjigjen projektit për manifestimin treditor kulturor, politik e diplomatik “Bekimi është gjallë”, në Prizren, çfarë nuk është mbajtur ndonjëherë në Kosovë, ku do të merrnin pjesë ministrat e kulturës së rajonit, drejtorët e qendrave kinematografike e teatrore, producent, regjisor, aktor përfshirë edhe Irene Papas, Klaudia Kardinale, Kendis Berger, Li Tejlor Jung…

Kërkesa e fundit (jo me shkrim) i është drejtuar pushteti aktual të Prizrenit që të siguroj një hapësirë të përshtatshme (lokal), në qendër të qytetit, për ekspozitën (galeri) e përhershme të postereve e fotografive të filmave të Bekimit, të librave të tij dhe për te, të DWD të filmave e gjësendeve tjera, e do të shërbente edhe për organizimin e debateve për temat e ndryshme që kanë të bëjnë me figurën dhe veprën e Bekimit, por edhe me kulturën e qytetit në përgjithësi. Një lokal i tillë i përshtatshëm ka ekzistuar, por pushtetarët e kanë pa më të arsyeshme që ai të jepet për veprimtari tjera. Pra pushteti lokal i Prizrenit, për tetë muaj akoma nuk po e siguron këtë hapësirë.

Pushteti i kaluar i Prizrenit kishte marrë vendimin që Teatri profesional i qytetet të bartë emrin Bekim Fehmiu, të cilin nuk do ta pranonte vet Bekimi. Sepse edhe pse ky teatër ka trup shumë profesionale, ai është i vetmi në Kosovë që nuk ka godinën e vet, nuk ka repertor të rregullt, shfaqjet jepen në sallën e Shtëpisë së Kulturës, kurse vizitorët janë shumë të pakt; dhe së dyti, ky teatër është dashur ta barte emrin e Xhemil Dodës, poetit, dramaturgut, pedagogut dhe themeluesit të trupës së teatrit të qytetit qysh më 1945.

Madje edhe çmimi vjetor Bekim Fehmiu për të arritura në film, që e ndanë MKRS e Kosovës, po ndahet veç sa për sy e faqe dhe kur po ju teket zyrtarëve, e jo në datën lindjes a të vdekjes, siç është e parashikuar me ligjin përkatës, dhe si veprohet kudo në botë.

Por edhe një nismë e marrë para dy vitesh, me rastin e shënimit të 7 vjetorit të vdekjes “BEKIMI I PRIZRENIT, BEKIMI I BOTËS”, ka mbetur vetëm dëshirë, e bile as një pllakë me një thënie të Bekimit mbi Kalanë e Prizrenit, e përgatitur në 4 gjuhë, nuk u vendos aty ku ishte paraparë, në fund të kalasë ku do të shërbente si udhërrëfyes për vizitorët.

E gjithë kjo dëshmon se në Kosovën ka vdekur sistemi i vlerave dhe se shqiptarët ta falin çdo gjë, por suksesin JO. Të vetin e vrasin dy herë (të gjallë e të vdekur), kurse të huajin e lartësojnë në majat më të larta!
Por shkëlqimi i figurës dhe veprës së Bekimit nuk do të zbehet kurrë.

Të qoftë i kaltër qielli i Kosovës, BEKIM!

Qoftë e pafund bota e artit tënd!

Qoftë i ndritshëm ylli yt në atë qiell!

KOHA DITORE / Shtojca e kulturës/
(01.06.1936-15.06.2010)

Më Shumë

Në Prizren nis ndërtimi i një parku

Dje nisi përgatitja e terrenit në hapësirën e udhëkryqit mes rrugëve "Reshat Karjagdiu" dhe "Zahir Pajaziti" në Prizren për ndërtimin e një parku. Ky park...

I caktohet masa e ndalimit prej 48 orëve personit që plagosi ish-vjehrrin në Dragash

  Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se të dyshuari me inicialet O.M i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, pasi...

Lajmet e Fundit