Kudo në botë, në atë më të qytetëruarën dhe në atë më pak të qytetëruarën, beteja e Shtetit me Antishtetin është një betejë e përhershme, herë e nëndheshme dhe herë e sipërfaqshme. E kam trajtuar këtë temë me këmbëngulje këto 10 vitet e fundit, në shkrime dhe në emisione tv, por vërej se lënda, qëndrimet e kundërta apo raportimet dramatike në lidhje me këtë betejë janë pashtershmërisht kontradiktore.Është fakt se, këto ditë, kronika e zezë është e tejmbushur me vrasje dhe me një pothuajse ofensivë të Antishtetit për revansh. Revansh ndërklanor, revansh për t’iu imponuar pushtetit të ri, revansh ndaj rendit dhe, kuptohet, revansh ndaj barrierës së tyre natyrale: organeve të Policisë. Personalisht mendoj se beteja e Shtetit, për t’u përballur me Antishtetin, me krimin e organizuar dhe krimin spontan, të segmenteve mafioze që provojnë në mënyrë ciklike forcën e tyre, është një betejë që na prek dhe duhet të na interesojë të gjithëve.Ashtu si edhe në Politikën e Jashtme, ku dhe interesat e partive duhet të unifikohen më së shumti, si ndodh rëndom në vendet e zhvilluara, edhe mobilizimi i Shtetit kundër Antishtetit është mirë për të gjithë, që të konsiderohet një front i të gjithëve apo, më saktë akoma, një front i përbashkët i shumicës absolute të qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre.
Mirëpo asnjëherë, pavarësisht kush është apo kush ka qenë kryeministër, as edhe sot pra, për Policinë dhe drejtuesit e tyre, me të mirat dhe me të metat e tyre, megjithëse gjinden në vijën e parë të luftës së nxehtë me Antishtetin, nuk dëgjohet kurrsesi ndonjë fjalë e mirë inkurajuese.Përkundrazi, shpesh, kolegë dhe politikanë janë të gatshëm të “masakrojnë” publikisht Policinë e Shtetit dhe drejtuesit e tyre, si kryemëkatarët e këtij vendi. Sikur Policia apo Ministria e Brendshme të ishin vetë Antishteti në zemër të Shtetit. Nga ana tjetër, ndodh rrallë ose aspak, ose me ndonjë përjashtim të rrallë, që të denoncohen bandat kriminale, me emër dhe mbiemër, paratë e tyre të pafundme, lidhjet ndërkombëtare, superfuqinë e tyre të joshjes dhe të kërcënimit me jetë.Dhe mirë bëjnë kolegët, sepse risku i tyre do të ishte realisht i lartë, ndërsa kur sulmojnë Policinë, Shtetin pra, është e lehtë, pa pasoja dhe me plot inkurajime politike.Sa herë na ka ndodhur të jemi në dyert e aeroporteve, aty ky i hipet aeroplanit për në Tiranë, që të jemi së bashku me bashkëqytetarë tanët, sidomos ata që punojnë e banojnë në ato vende dhe kemi vërejtur që nuk pipëtijnë, nuk guxojnë të ndezin duhan, flasin me zë të ulët dhe shohin me respekt dhe gati nënshtrim, nëse pranë tyre kalon ndonjë uniformë.
Mirëpo, sapo aeroplani zbret në anën tjetër, ndër tokë tonën pra, shumica e tyre marrin një gjallëri transformuese.Ngrenë zërin me të madhe, shkundin kostumin e disiplinës që befas u rri shumë i ngushtë dhe rendin të thyejnë me tërsëllëm të njëjtat rregulla, në respektimin e të cilave, pak më parë, në aeroportin e mëparshëm, ishin më të zellshmit në vetëkontroll dhe në ligjzbatueshmëri.Po kështu, edhe kur i japin veturës, për shembull, në vendet e huaja, menjëherë vendosin rripin e sigurimit, i ulërasin edhe pasagjerit nga Shqipëria që ta bëjë një gjë të tillë, janë perfektë në zbatimin e rregullave dhe djersiten kur shohin një patrullë policie.Dhe përsëri, po të njëjtit çlirohen sikur hyn në tokën pa shtet kur hyjnë në rrugët tona, në policinë e 2000 apo 5000 lekëshit, ku nuk ndëshkohesh, ku bën pazar apo madje e kërcënon lirshëm policin, nëse ke, dy apo tre numra të rëndësishëm në celular.
Dhe ky është një trend dhe njëkohësisht një fatkeqësi shumëvjeçare e markës sonë kombëtare. Kush thotë të kundërtën, ose bën politikë, ose nuk e njeh fare temën për të cilën po flasim.Por kjo nuk mbaron këtu. Kjo licencë e vetëvendosur, për të thyer çdo rregull, shtrihet si oktapod kudo e në çdo qelizë.Te ndërtimet pa leje, te mijëra metrat katrorë trotuare që pushtohen nga kafenetë apo dyqanxhinjtë, te hunjtë, grremçat apo zinxhirët apo pritat abuzive të parkimeve personale, të cilat dhunojnë në tokë publike mijëra cepa, skuta, kënde apo ish- lulishte banesash, që janë përvetësuar kësisoj.
Licenca e vetëvendosur për të marrë tokë nga toka e përbashkët publike, për të gdhendur trotuaret apo dhunuar rrugët e qyteteve, për të kafshuar rrugët kombëtare me ndërtime gjithfarësh apo benzinata me sipërfaqe të pamata, apo parqet e kafshuara, të përdhosura e të dhunuara në format nga më të përbindshmet, kanë ndërtuar tanimë panoramën tonë tipike shqiptare, ku shkruhet me germa të mëdha:“Këtu nuk ka Shtet!”Dhe kjo panoramë shtrihet nga Shkodra në Sarandë, nga Durrësi në Pogradec, nga deti, te liqeni, nga rruga, te toka bujqësore, nga toka bujqësore, në troje të vetëvendosura, në kodër apo mal, në fushë apo në moçal, në pyll, pas ferrës, përtej shkurres apo edhe në mes të një parku kombëtar.
Në çdo cep dhe në çdo kënd, barbarisht e me arrogancë, shëmtuar e pa arkitekturë, ndërtuar lirë dhe vjedhurazi, ku zhdukur kanë edhe mure, edhe kalldrëme antike, edhe ndonjë amfiteatër, të cilit i kanë grabitur gurët mijëravjeçarë për të ndrequr ndonjë stallë, Antishteti ka ngritur mbretërinë e vet fuqiplotë.Sepse ndërkohë sharrohen pemë të vjetra dhe shekullore, që më kot mundohet t’i mbrojë arkeologu apo historiani i fshatit apo i krahinës, sepse Akademia, pardon çfarë thashë, po pse mos ka vallë Akademi në këtë vend?!E kështu gërmohen male dhe thërrmohen shkëmbinj në troje antike, merret për ndërtim rëra e plazheve apo zhavorret dekorative të lumenjve, devijohen përrenj nga shtratet e tyre, varrosen varre të vjetra shumëshekullore dhe mbi to ngrihen pallate, si në Durrës për shembull në dhjetëra raste apo në Sarandë, vidhen muzeumet dhe shfaroset çdo vlerë që dikur ish shenjë e një qytetërimi apo e një mrekullie të natyrës.Një peizazh mjeran, në natyrë, në qasjen urbane dhe, si përfundim, një kartolinë tronditëse e shëmtisë.Të gjitha këto shëmtime apo grabitje, e mijëra e miliona të tjera që nuk ka kalem t’i shkruajë, ndeshen pra proporcionalisht ngado dhe janë depozituar proporcionalisht e vit pas viti, 23 vite me radhë.
Të gjitha qeveritë, kush më shumë e kush më pak, kanë premtuar iluzionin se diçka do të ndryshojë në këtë drejtim, por fill më pas, pa zhurmë dhe pa bujë, e mbi të gjitha në harresë, Antishteti ka fituar territor dhe ka vënë në lëvizje makinën e tij të madhe kombëtare, që shfaros pronën publike, grabit krom, bakër, naftë, bregdet, pyje, ujëra, copa hekuri të veprave publike për skrap, kapakë pusetash, gardhe, rërë, zhavorr, amfora, ikona, libra të vjetër, skulptura kishash, e deri ca vite më parë edhe organe njerëzish.Ndoshta fryma e urrejtjes dhe mosrespektit për të vjetrën jo komuniste, një interpretim primitiv i “revolucionit proletar” dhe koncepti barbar i Shqipërisë së Re, që nënkuptonte shfarosjen e historisë së vjetër, për mrekullinë e historisë së re që po krijohej, kjo frymë pra pothuajse shfarosëse, ndoshta u mbart dhe u përzje me kapitalizmin primitiv të të uriturve, plus dekadencën e shtetit dhe të ligjit dhe sot, sot pra, kemi shumë bare dhe restorante luksoze, ngritur mbi një pothuajse shkretëtirë të monumenteve të zhbëra të historisë. Me kryevepra të natyrës dhe të relievit, të shkarravitura dhe të llangosura egërsisht.Po në këto qendrat tona urbane, për fat ende të vogla, po me një pothuajse kaos të plotë, si mundet të gjejmë paqe? Prandaj dhe nuk e kuptoj, se si mundemi që besojmë apo nuk besojmë te kjo qeveri e re, për qindra arsye të shëndosha, apo paragjykime të ndershme, apo paragjykime tendencioze e pra të pandershme sa duhet, që të ngremë berihajin për një sprovë që policia po bën në vendosjen e ca gjobave dhe ca ndëshkimeve në emër të natyrës dhe peizazhit?Le të themi po të duam se janë ca si shumë gjobat! Le të themi gjithashtu se ka edhe ca si shumë ndëshkime e ca si ndëshkime me kapërcime e me shënjestra të caktuara!Ç’duhet të bëjmë?!Të kërkojmë ngritjen në sistem të rivendosjes së rendit duke kërkuar të zbatohen në kohë dhe në hapësirë, në natyrë, në reliev, në mal, në kodër, në fushë dhe në qytet, ligjësitë e duhura dhe të munguara, apo të bëhemi barrikadë, në emër të një frike të papërcaktuar, në rastin e vet më të mirë?Të inkurajojmë pra Shtetin, të veprojë fort, vendosmërisht dhe për të gjithë njësoj, apo të rrimë ashtu si po mësohemi dekadë pas dekade, me Antishtetin?!Më mirë të pranojmë ca lajthitje me histori gjobash, apo të hedhim sytë e të mos shohim këmbë polici rreth e rrotull?
Të rregullohemi vetë e me forcat tona, me të fortët që të presin rrugën me makinat e tyre me cilindrat e tyre ulëritëse dhe plot arrogancë duke të parë me kërcënim në dritë të syrit?E keni provuar të ecni me këmbë rrugëve të qytetit? Sa frikë e tmerr ndeshet herë pas here nga qytetarët, që vendosin t’u besojnë semaforëve jeshilë për kalimtarët apo vijave të bardha?Apo ndoshta shumica e atyre që flasin për këto tema, nuk ecin kurrë më këmbë dhe me fëmijë të zënë nga dora, përpos jashtë Shqipërisë?Mos duhet të besojmë se ministri Saimir Tahiri kërkon verbërisht të fitojë sa më shpejt urrejtjen e njerëzve, duke i gjobitur ata arbitrarisht apo duke mbledhur gjobat e grumbulluara për shumë vite rresht?!Apo duan të vendosin një regjim policor, duke e filluar si hap të parë nga vendosja e gjobave dhe prishjet e ndërtimeve pa leje?! Jetojmë pra në një test, në një para-Diktaturë policore të Ramës?Personalisht më mungon një fantazi e tillë kaq e shfrenuar, ndonëse nuk më mungon pasioni për romanet dhe filmat me konspiracion.Nuk besoj që në Stokholmin apo në Hagën e urtë, qoftë edhe Parisin apo Romën e zhurmshme, policia të akuzohet për grusht shteti, nëse vendos një grusht me gjoba.Që të mos ketë parkime dyfishe, shkelje semaforësh dhe arrogancë të makinave luksoze të drogmenëve, të të fortëve apo të çunave të llastuar të politikanëve dhe biznesmenëve!
Sigurisht mund të bashkohem me skeptikët që dyshojnë se kjo është një valë. Përkundrazi, ne do të donim, që të ishte një rregull i qëndrueshëm dhe, hap pas hapi, një refleksion për të qenë ndryshe. Ashtu si jemi kur kalojmë kufirin e Shqipërisë, nga ajri, deti apo nga toka.Është vonë, porse më mirë vonë se kurrë. Dihet se në çdo fillim qeverisjeje të re ka pasur nisma të tilla. Dhe këto nisma kanë mbetur gjithmonë në tentativë. Ky po që është edhe rreziku i vërtetë, sepse vesi dhe zakonet e këqija thonë që nuk ndreqen e nuk shërohen kurrë, sepse dalin jashtë nesh, vetëm së bashku me shpirtin.Më kujtohet një roman i magjishëm i Leonardo Sciascia-s. Për koincidencë e ka përkthyer në shqip im atë, titullohet “Il giorno della civetta” (“Dita e Kukuvajkës”).
Në një dialog filozofik midis kapiten Bellodit, një polic, nga të paktët policë të ndershëm në botë dhe mafiozit Don Mariano, metaforikisht filozofi i logjikës mafioze.“Në botë ka përgjithësisht fare pak burra… të shumtët janë vetëm gjysmëburrat… por shkallët zbresin me poshtë, te burrecët… pastaj vijnë burrat fëmijë që e ëndërrojnë veten burra, por burra nuk janë… dhe më në fund vijnë kuakuarakuatë, burra që janë si pata moçalesh…’ – thotë, sipas përkthimit tim të shkurtuar dhe të keq, bosi sicilian, Don Mariano. Dhe mjerisht, nëse ju kujtohet filmi i famshëm me të njëjtin titull i Damiano Damianit, komisarët e policisë italiane, që luftonin kundër mafies, më të shumtët e tyre, sipas tij ishin pra thjesht:Kua kua rakua!Kjo pra është beteja e vërtetë edhe në Shqipëri. Shqipërinë e bukur dhe mjerane si Sicilia e Leonardo Sciascia-s.Nëse lufta kundër Mafies dhe Antishtetit ka bërë hapa të mëdhenj përpara në vendin fqinj, kjo ndodhi sepse Shteti dhe të gjitha forcat politike që e përbëjnë atë, ndërtuan një front të vetëm kundër Antishtetit dhe mijëra format që ai shfaqet në të përditshmen tonë.
Përndryshe, “Kua kuarakua!” do të vazhdojë të jetë timbri i shtetit plluq, në të cilin do të rrisim fëmijët tanë edhe në vitet që vijojnë.E mira pra, do të ishte të mos qëllojmë mbi vezët e disa gjërave të duhura, qofshin këto edhe iluzione apo edhe vetëm tentativa.Sepse dikur, se kur, nuk e dimë, besoj jemi dakord, se diçka e rëndësishme duhet të ndryshojë. Për mirë kuptohet.Përndryshe do të mbetemi vetëm:Kua kuarakua!