4.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Shtyhet seanca ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Prizren

Të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, është shtyrë seanca  ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Prizren Nijazi Kryeziu, i akuzuar për korrupsion.

Shkak për shtyrjen e kësaj seance ishte  vendimi i trupit gjykues që ekspertizën e ekspertit financiar Agim Sheqiri të datës 16.12.2019, ta shpallë si provë të papranueshme, pasi që trupi gjykues konsideroi se e njëjta është siguruar duke shkelur procedurat ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht propozim për veçimin e kësaj prove, e kishte dhënë mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Kujtim Kërveshi, i cili po ashtu pretendonte që kjo provë është nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme.

Ndërsa prokurori Mehdi Sefa, paralajmëroi që në plotësimin e procedurës së provave, do të propozoi nxjerrjen e një ekspertize të re financiare në lidhje me këtë rast, pasi që në shkresat e lëndës ekziston i gjithë dokumentacioni, urdhër obligimi për pagesë dhe provat tjera.

Në fund kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, njoftoi se seanca e sotme ndërpritet, ndërsa seanca e radhës u caktua të mbahet me 02 prill 2021 në ora 09:00., ku në cilësinë e dëshmitarit pritet të dëgjohet shefi i prokurimit në Komunën e Prizrenit Isa Osmankaj.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 2 gusht 2019, i pandehuri Nijazi Kryeziu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Nijazi Kryeziu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar – dhjetor 2015, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV Opinion.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Kryeziu, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapsinor të Komunës  Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Kryeziu, gjatë periudhës kohore 01 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV Opinionin, në vlerë prej 600 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 7200 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të KPRK-së.

Ndryshe, Kryeziu është i akuzuar edhe në rastin e njohur “Pronto”, së bashku me ish-shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputetin e PDK-së, Zenun Pajaziti, e të tjerë.

Kurse, muaj më parë, Kryeziu ishte shkarkuar edhe nga posti i tij si këshilltar i kryeparlamentarit Kadri Veseli, pas vendimit të këtij të fundit për shkarkimin e zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që kanë aktakuza. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Pse e ndërpreva seksin për një vit!

“Në mars të vitit 2018, ndalova seksin. Vendosa që për një vit të mos bëj seks apo ndonjë gjë që lidhet me të.” Francisco...

Bëhen të ditura terminet për ndeshjet e dyta të gjysmëfinaleve të playoffit

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka publikuar sot në faqen zyrtare të saj terminet e ndeshjeve të dyta të serive gjysmëfinale të playoffit. Peja, që...

Lajmet e Fundit