Çun Lajçi mund të flasë gjatë për filmin ballkanik. Me një karrierë të nisur në Teatrin Krahinor të Prishtinës, një nga teatrot më të mirë të ish-Jugosllavisë, Lajçi do të largohej nga teatri për t’iu përkushtuar kinematografisë, pikërisht nga një rol në filmin e Peter Brook. Karakteret e interpretuara janë në thelb historia e Kosovës apo Shqipërisë. Portreti i tij, të cilin Sandër Prosi dikur në kafenenë e Teatrit të Prishtinës e krahasonte me Aleksandër Moisiun, e ka bërë Lajçin të jetë i preferuari i regjisorëve sa herë duhet një karakter i vërtetë shqiptar. Në Festivalin Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë që po mbahet në qytetin e Pogradecit, ai ka ardhur bashkë me të shoqen, aktoren Fatime Sefaj. Historia e dashurisë së tyre, që prej vitit 1972 kur janë takuar për herë të parë, është në njëfarë mënyre dhe historia e teatrit dhe filmit në Kosovë. Bashkë kanë kaluar jo vetëm sfidat familjare, por sfidat e një teatri para dhe pas luftës… Më poshtë, Lajçi vjen në një rrëfim për karrierën e tij, por dhe për kinematografinë që bëhet sot në Ballkan…
Vitet ‘70 kanë qenë kohë të arta për teatrin e ish-Jugosllavisë, të cilat përkojnë dhe me fillesat tuaja në teatër. E kujtoni atë kohë?
Fillesat e mia në teatër janë në vitin 1968, kohë kur isha nxënës në Normalen e Prizrenit. Festohej një përvjetor i Skënderbeut dhe studentët e Shkollës së Lartë Pedagogjike po përgatisnin shfaqjen “Trimi i mirë me shokë shumë”, ndërsa ne të Normales po përgatisnim shfaqjen “Plaku i maleve”. Në atë kohë, UDB-ja bëri një fushatë arrestimesh, duke arrestuar të gjithë grupin e aktorëve amatorë. Më pas, unë u ftova të merrja pjesë në këto aktivitete, duke interpretuar rolin e Bajram Currit. Shfaqja u prit mirë në Prizren dhe u ftuam të merrnim pjesë në Teatrin Krahinor të Prishtinës. Drejtor i teatrit në atë periudhë ishte Azem Shkreli, me të cilin kam edhe lidhje farefisnore. Ai më sheh teksa interpretoja atë rol dhe në mbrëmje, pas shfaqjes, më thotë se duhet të vija në Prishtinë për të studiuar për aktrim, pasi kisha të dhëna. Në atë vit, Shkolla e Lartë e Aktrimit në Prishtinë ishte në vitin e dytë të krijimit. Unë i përkas gjeneratës së dytë të kësaj shkolle, në gjeneratën e parë janë emra si Isa Qosja. Kështu fus dokumentet dhe pranohem në Shkollën e Lartë të Aktrimit dhe bëj hapin e parë drejt teatrit ku kam qëndruar deri në vitin 1998, atëherë kur masat e dhunshme serbe dhe vala e përndjekjeve të kohës së Millosheviçit vuri në çdo institucion drejtues serbë. Kështu, unë dhe gruaja ime aktore, dhe një sërë artistësh të tjerë të njohur shqiptarë u larguan nga teatri deri në vitet 2000, pas përfundimit të luftës, ku u ktheva sërish. Por Teatri Krahinor i Prishtinës ka qenë ndoshta një nga teatrot më të mirë të ish-Jugosllavinë. Ky ka qenë një fakt, pasi të gjithë jugosllavët, kudo që shkonin nëpër festivale, e lavdëronin. Aq e artë ka qenë ajo kohë e viteve ‘70-‘98, që edhe pse pjesa më e madhe e aktorëve ishin pa shkollë dhe me kurse, arrinin të impresiononin publikun me lojën e tyre.
Një impresionim të tillë, ky teatër ka lënë dhe në Shqipërinë komuniste, kur pas viteve ‘70, ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Tiranës shfaqja “Erveheja”. Si ishte Tirana e atyre viteve?
Për herë të parë, “Erveheja” është shfaqur në Teatrin Krahinor më 1967 nën regjinë e Muharrem Qenës, më pas u rivu në skenë, mes të cilave është dhe ajo në Teatrin e Tiranës. Ka qenë një emocion i dyfishtë ardhja në Shqipëri. Publiku u emocionua me shfaqjen tonë, ndërsa ne u tmerruam me ato çfarë pamë në Tiranë. Për herë të parë ne u ballafaquam me ëndrrat tona, për Shqipërinë, që e dinim të lulëzuar. Të gjitha ëndrrat që kishim pasur deri në ato momente për Shqipërinë na u fundosën kur pamë që këtu ishte një mjerim i jashtëzakonshëm e askush nuk guxonte të na e thoshte, përveç një Mihal Luarasit. Më kujtohet si sot takimi me këtë artist të ri atëherë, i cili m’u duk rebel, që një natë më rrëfeu gjithçka. Ndodheshim në zonën e Bllokut, shumë pranë shtëpisë së ish-diktatorit Enver Hoxha kur ai më tregoi të gjitha të zezat e socializmit në Shqipëri. Unë i thosha vetes se si është e mundur që ky njeri jeton këtu në këtë sistem dhe arrin të më rrëfehet mua që isha një aktor i ri. Më vonë mora vesh që ai njeri nuk e ka dashur asnjëherë komunizmin, pastaj ishte arrestuar e kishte vuajtur dënimin në burg. Ardhja në Shqipëri ishte një ballafaqim me ëndrrat, për ne shqiptarët nga Kosova që e kishim ëndërruar atë si Amerikën. Ne u ballafaquam me tmerrin që jetohej në Shqipëri, ndërsa publiku dhe artistët shqiptarë me një teatër avangardë që bëhej në Kosovë.
Si e kujtoni vizitën e Teatrit Popullor të Tiranës në Teatrin Krahinor të Prishtinës…
Ishte viti 1972. Unë po luaja në shfaqjen “Hamleti”, të cilën, delegacioni shqiptar, i përbërë nga Naim Frashëri, Mario Ashiku, Sandër Prosi e ndoqën si spektatorë gjatë vizitës që po bënin në Teatrin Krahinor të Prishtinës. E ruaj edhe sot një letër nga Naim Frashëri, ku më shkruan “mendimin tim për shfaqjen nuk e ndryshoj. Ishe një Hamlet dekadent”. Të mësuar me teatrin socialist, ata nuk mund të pranonin një teatër ndryshe ku aktorët shfaqeshin gjysmë lakuriq dhe Ofelia ashtu, kishte puthje, ledhatime, gjë që nuk mund të mendohej në Teatrin e Tiranës. Të vetmen fjalë që thoshin ishte “dekadent”. Ky ishte roli im i katërt në atë kohë në teatër. Vizita e delegacionit shqiptar ishte në kuadër të bashkëpunimeve kulturore mes Tiranës zyrtare dhe ish-Jugosllavisë. Aktorët e Tiranës m’u dukën kolosë dhe kolosë ishin. Ne nuk kishim parë asgjë nga filmi e teatri shqiptar në atë periudhë. I kemi pritur në mënyrën më të mirë që ekzistonte, pasi dashuria ishte e jashtëzakonshme për çdo gjë shqiptare. Më kujtohet kur, pas shfaqjes, zbritëm në kafenë e teatrit, dhe teksa po pinim një gotë, më thotë Sandër Prosi: “Portret të jashtëzakonshëm paske. Sytë i paske larg njëri-tjetrit. Kështu i ka pasur dhe Aleksandër Moisiu”. Po për shfaqjen nuk më fliste. Asnjë prej tyre nuk guxonte të thoshte se shfaqja ishte e mirë, pasi nuk e pëlqenin teatrin modern. Në atë kohë, ne kishim ecur drejt avangardës, ndërsa ata ishin korrektë me teatrin e soc-realizmit. Dhe shkrimtari i madh Ismail Kadare, kur ka parë veprën e tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në teatrin tonë ka mbetur i befasuar, edhe pse regjisori Pirro Mani e kishte vënë më parë në Teatrin e Tiranës. Në Prishtinë regjia ishte më e lirë….
Çfarë e bënte avangardë këtë teatër?
Teatri Krahinor frekuentohej nga regjisorët më të mëdhenj të ish-Jugosllavisë. Nga Lubjana e deri në Shkup vinin për të dhënë shfaqje në këtë teatër. Ardhja e shkollave të ndryshme i rriti aktorët dhe i bëri ata të sigurt për skenën dhe tepër të përkushtuar…
Pavarësisht dashurisë së madhe për teatrin, keni kohë që jeni larguar prej tij. Si ndodhi ky kalim në kinema?
Dashurinë për filmin ma dha Peter Brook. Në Prishtinë po xhirohej filmi “Si të vdiset”, nën regjinë e Miki Stamentoviq, ku unë interpretova një episod të vogël. Brook, në atë kohë, po bënte një përzgjedhje aktorësh në Europën Juglindore. Unë dërgova një foto, hyra disa herë në kast dhe në fund pata fatin të përzgjidhesha mes aktorëve që kishin konkurruar në ish-Jugosllavi. Kështu shkova në Paris më 1976-n dhe nga ai, edhe pse mbahet si babai i teatrit, nisa të mendoj se bota e filmit qenka më e rëndësishme, paska më shumë bujë e sukses se teatri. Kështu rol pas roli, ika nga teatri duke u përqendruar te kinematografia… Filmi të mban më gjatë në kujtesën e publikut dhe kjo është ajo çfarë aktori dëshiron të jetë, sa më shumë prezent te publiku…
Çfarë ndryshoi lufta te Çun Lajçi?
Lufta ishte një ndryshim i madh jo vetëm për mua, por për gjithë Kosovën. Unë nuk qëndrova indiferent, por u angazhova të isha prezent me punën time, për të ndihmuar Kosovën. Pas masakrimit të familjes Jashari, shkrova një monolog, dhe me një trup të vogël aktorësh udhëtoja në vende të ndryshme të Europës, ku jepja shfaqje dhe paratë ia çoja ushtarëve të UÇK-së. Fëmijët dhe gruan i strehova në Tiranë. Më kujtohet një takim i një pasditeje vonë në Tiranë me Kujtim Çashkun, i cili më thotë se “ishalla e fiton Kosova luftën, pasi kanë për të mallkuar nënat kosovare, me monologun që ke bërë”. Kjo, pasi në këtë monolog u bëhej thirrje djemve të luftonin për të mbrojtur dheun e tyre. “Ky dhe as nuk shitet, as nuk falet, vetëm bekohet”, thuhej në një fjali të monologut.
Kanë kaluar vite që atëherë, sot ju luani në filma serbë… ka përpjekje këto vite pas luftës për të bashkëpunuar mes kinemasë në Kosovë dhe Serbi… A ka mundur kinemaja të harrojë të shkuarën?
Për fat të keq, jo. Unë sapo kam përfunduar xhirimet në një prodhim serb dhe e ndiej që prania ime si shqiptar nuk është pritur mirë nga ekipi serb. Skenarët e tyre, ashtu si dhe skenarët tanë në filma vazhdojnë të kenë probleme me gjuhën e urrejtjes, pavarësisht përpjekjeve për ta shuar këtë gjuhë. Inatet e vjetra ballkanike zgjohen në filmat e regjisorëve serbë dhe shqiptarë. Ndoshta do të duhet kohë për të kaluar këtë gjendje.
A ka përparuar kinemaja shqiptare këto vite?
Si aktor, unë ndihem mirë që një pjesë të madhe të roleve i kam realizuar me aktorë të huaj. Nuk besoj se ne s’kemi regjisorë të mirë, por puna me regjisorët e huaj është më frytdhënëse. Ata më kanë orientuar më mirë se regjisorët shqiptarë. Ne ende vuajmë nga teatralizma në filmat tanë. Ne ende nuk e kemi ndarë lojën e teatrit nga ajo e kinematografisë. Edhe tashmë kur shoh filma në këtë festival, shoh që aktorë që ne i mbajmë për të suksesshëm nuk durohen në filma, pasi e bëjnë lojën aktoriale më të theksuar se sa duhet.
Pak më lart folët për lidhje farefisnore me Azem Shkrelin. Si do ta kujtoni kaq vite më pas lidhjen me të?
Ne kemi lidhje farefisnore me Azemin. Fshatrat tanë kanë qenë afër me njëri-tjetrin, dhe Azemin e njoh që në botimin e librit të tij të parë poetik, “Bulëzat”. I lidhur shumë me truallin e tij dhe babain, Azemi ishte i dashuruar përjetësisht me Rugovën. Ai do të mbetet një nga intelektualët më të guximshëm të kohës së vetë. Aq sa e ka dashur Tirana zyrtare, aq e ka çmuar dhe ish-Jugosllavia. Dhjetë vitet kur ai ka qenë drejtor i Teatrit Krahinor, kujtohen ende në qarqet teatrore sot. Sot e kësaj dite shihen ende filmat e prodhuar gjatë kohës së tij. Teatri që ai krijoi ishte një “tërmet” i vogël që lëvizte të gjitha trupat e tjera të ish-Jugosllavisë, kudo ku shkonte. Por Azemi ka qenë dhe një poet lirik i jashtëzakonshëm, një njeri që të jepte besim teksa bisedoje me të.
Kohët me Bekim Fehmiun në Beograd
“Femrat në Beograd çmendeshin pas tij”
Kur ishte student në Shkollën e Aktrimit në Prishtinë, Çun Lajçi ëndërronte të takonte qoftë edhe një herë Bekim Fehmiun. “Kontakti im i parë me Bekimin ka qenë nëna e tij. Ajo jetonte në një banesë të vogël përballë teatrit. Isha djalë i ri dhe e kisha parë Bekimin në rolin e ‘Uliksit’. Të takoja nënën e tij ishte si të takoja madhështinë e tij. Unë e kisha idhull Bekim Fehmiun. Takimi me të ka qenë një ngjarje e lumtur e papritur për mua. Ndodhesha për vizitë te nëna e tij e sëmurë. Bekimi ndodhej me xhirimet e filmit ‘Black sundy’, dhe kishte mësuar se nëna ishte sëmurë dhe niset me avion drejt Prishtinës. Isha në banesë kur hapet dera e hyn ai. Ky moment ishte shumë domethënës për miqësinë tonë të mëvonshme. Bekimi nuk e harroi asnjëherë kujdesin që tregova ndaj nënës së tij, pasi ishte shumë i lidhur me nënën”, tregon Lajçi. Ky do të ishte takimi i parë me idhullin e tij, i cili do të shënonte dhe fillimin e një miqësie të gjatë. I pasionuar pas teatrit, Lajçi do të gjente çdo mundësi për të parë një interpretim të Bekimit në teatër. I kujtohet se një herë, mori trenin e natës në Prishtinë për të udhëtuar drejt Beogradit, pasi të nesërmen do të jepeshin provat gjenerale të shfaqjes “Edipi mbret”, ku Fehmiu luante rolin e Edipit. “U futa në kafenenë e Teatrit dhe takova Brankën, të shoqen. Kur vjen Bekimi, i veshur me rrobat e Edipit, duke bërtitur ‘nuk ka premierë. E ndaluan shfaqjen. E hoqën fare prej kalendarit. Ata nuk më duan Branka’”. Branka i kthehet dhe i thotë se ‘e rëndësishme është që ti u tregove se kush je’. Në atë kohë në vendet komuniste, para se shfaqja të jepej premierë për publikun, dilte para një komisioni i cili vendoste në duhet të jepej apo jo. Dhe ajo shfaqje nuk u dha. “Bekimi kishte një veturë të mirë për kohën. E më kujtohet që hipa në të duke bërë një xhiro rrugëve të Beogradit. Nuk kam për ta harruar sesi femrat serbe hapnin dritaret e veturave dhe i thërrisnin Bekim, Bekim… Por ai nuk i shihte. Ai donte të shkonte te Branka e cila kishte shkuar të bënte pedikyr… kam shumë kujtime nga takimet me të në Beograd. Një prej të cilëve është dhe ai i vitit 1993, kur shkova për të marrë vizën për në Australi. Kaloj nga teatri jugosllav dhe ulem në një stol. Kur kalon Bekimi dhe më sheh. Shkojmë e ulemi në kafenë e teatrit, pasi ai priste Brankën, e cila ishte e angazhuar në një rol, pasi ai kishte dalë në pension. Aty kam parë nga afër atdhetarizmin e Bekimit, i cili diskutoi me një aktor serb, i njohur si mbështetës i madh i Millosheviçit, Aleksandër Berçek, duke mbrojtur serbët. Bekim Fehmiu ka qenë më patriot se politikanët shqiptarë dhe më vjen keq që në vdekjen e tij, Parlamenti i Kosovës nuk mbajti as një minutë heshtje…