10.2 C
Prizren
E enjte, 6 Nëntor, 2025

Sot 102 vite më parë është vrarë Isa Boletini

Atdhetari shqiptar Isa Boletini, njëri nga organizatorët e lëvizjes për çlirim e bashkim kombëtar, është vrarë 102 vite më parë në Podgoricë.

Isa Boletini lindi në fshatin Boletin të Mitrovicës, në një familje me tradita patriotike. Në moshën 17-vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Përkrahu Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë e qarqeve shoviniste fqinje.

Më 1901-1902 u vu në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi, Rusisë e Austro-Hungarisë në Shqipëri. Udhëhoqi luftëtarët në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtimlje-Carralevë më 1910, mbështeti kryengritjen antiosmane të vitit 1911, udhëhoqi forcat kryengritëse në zonën Drenicë, Mitrovicë, Podujevë dhe Prishtinë më 1912.

Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, u vu në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë. Në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, u ndodh përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku protestoi me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Më vonë, Isa Boletini kaloi përsëri në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë.

Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet të madh si udhëheqës popullor. Isa Boletini e lidhi jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e shprehu me fjalët: “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.

Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre luftëtarë të tjerë./ KultPlus.com

Më Shumë

Vetaksident në autostradën “Ibrahim Rugova”, lëndohet një person

(I plotësuar) Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e një vetaksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova”. Kështu ka bërë të ditur për Klankosova.tv, zëdhënësi...

Rikonstruktimi i shkollës “Besim Ndrecaj” sjell kushte moderne për nxënësit e Malësisë së Re në Prizren

Shkolla  “Besim Ndrecaj” në  Malësi të Re në Prizrenit ka marrë një pamje të re pas rikonstruktimit të plotë të ambienteve të saj. Klasa moderne,...

Lajmet e Fundit