Sot (e hënë) në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) me seli në Hagë, fillon procesi gjyqësor kundër ish presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarëve të tjerë të Kosovës, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, njoftojnë se më 3 prill 2023, do të hapet gjykimi kundër Hashim Thaçi dhe të akuzuarve të tjerë.
“Është planifikuar që deklaratat hyrëse të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill, duke filluar prej orës 9:00 të mëngjesit. Seancat gjyqësore mund të përcillen në tri gjuhët e gjykatës, shqipe, serbishte dhe anglishte përmes funksionit të transmetimit në faqen e DHSK-së në internet, me një vonesë 45-minutëshe”, thuhet në komunikatën e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i Aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Kjo është aktualisht aktakuza në fuqi në këtë çështje gjyqësore.
Sipas njoftimit në Aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-ës, ka shprehur shqetësimin lidhur me kohëzgjatjen e prokurorisë, e cila ka paraparë 700 orë për çështjen e saj.
Përndryshe dje në Prishtinë, platforma “Liria ka emër”, organizoi Marsh qytetar dhe solidarizues në mbështetje të luftës së drejt të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë.
Në marsh morën pjesë mijëra qytetarë nga qytetet e Kosovës, nga Shqipëria dhe hapësira të tjera të viseve ku banojnë shqiptarët.
Radio Televizioni i Kosovës (RTK), ka dërguar ekip special, ku nga afër do të raportojë për zhvillimet rreth fillimit të gjyqit në Hagë.