Pas marshit të zhvilluar të dielën në sheshet e Prishtinës, një protestë do të zhvillohet sot në Hagë.
Shqiptarë të shumtë nga vende të ndryshme të Evropës kanë marrë rrugën për në Hagë, që t’u dalin në përkrahje ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj të cilëve sot nis gjykimi.
Shumë prej tyre me vetura, e të tjerë edhe me organizime të bëra përmes linjave të autobusëve janë duke udhëtuar tashmë për në Hagë.
Numri më i madh i shqiptarëve që po mblidhen për këtë marsh janë nga Gjermania, Zvicra dhe Austria.
Në disa fotografi të bëra publike shihet se shumë prej tyre veçse janë bërë bashkë për marshin e sotëm.
Ndryshe, sot nis gjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për katër akuza për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.
Ish-krerët akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.