14.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Sot përfundon DokuFest

Është mëngjesi i fundit i këtij DokuFesti, ndërsa sot në mbrëmje do të shpallen edhe fituesit – më të mirët prej më të mirëve në këtë edicion të 14-të të Festivalit.

Janë shitur mbi 10 mijë bileta për rreth 240 filma të metrazhit të gjatë e të shkurtë, dokumentarë e kujtime, dhe disa programe të veçanta të cilat na çojnë edhe në vendet të cilat nuk kemi menduar kurrë se do t’i shohim.

“Dokufesti është ëndërr. Absolutisht magjik”, tha dje Vasif Kortun, themelues i “SALT Istanbul” dhe shkrimtar e kurator në fushën e artit vizual modern. Gjatë një ligjërate të cilën ai e dha dje tregoi mbi ndryshimet urbane dhe artin në këto hapësira urbane e alternative.

Ipe, misteri i Bijelo Dugmes

Lost Button është një film biografik emocionues rreth Goran Ipe Ivandic, bateristi tragjik i rok-grupit më të madh të ish-Jugosllavisë – Bijelo Dugme. Famës së tij i erdhi fundi kur policia gjeti hashash në daullet e tij dhe e dënoi atë me dy vjet e gjysmë burg. Ky dënim brutal e shkatërroi atë emocionalisht dhe mendërisht.

Pasi doli nga burgu Ipe kaloi nga një krizë në tjetrën. Ai mori borxhe nga fajdexhinj të egër, la ndërmarrjet dhe humbi gjithçka, dhe i dha fund jetës së tij në rrethana misterioze në Beograd. Sekreti i vdekjes së tij nuk u sqarua kurrë. Zyrtarisht, Ipe vrau veten duke u hedhur nga kati i tetë i Hotel “Metropolit” në Beograd. Jo zyrtarisht, Ipe ishte vrarë.

Ipe ka ardhur mbrëmë në ekranin e DokuFestit – me dokumentarin e realizuar nga Renato Tonkovi?, Mario Vukadin dhe Robert Bubalo.

Pos Ipes, në këtë grup dikur ka bërë pjesë edhe Goran Bregoviç. Ai ka fjalë të mira mbi grupin.

“Jemi katandisur keq me grupin. Patëm shumë para por edhe shumë harxhime, dhe dikur e pashë se ndoshta ishte e kotë të investohej brenda grupit. Për mua gjithmonë mbetet mister vdekja e Ipe-s, e sidomos kur e gjetën me 3 kilogramë kokainë”, tregon Bregoviç brenda dokumentarit.

Në dokumentarin i cili vjen në kategorinë “Balkan Dox”, janë prezantuar edhe emrat si Alen Islamovic – pjesë e Bijelo Dugmes dhe Petar Popovic – kritik i rokut dhe i muzikës së grupit në veçanti. Dokumentari është xhiruar nga viti 2009 e deri në vitin 2014, në Sarajevë, Vjenë, Budapest, Beograd, Londër, Zagreb dhe Vares.

“Flotel Europa” – anija shtëpi e boshnjakëve drejt Danimarkës

Vladimir Tomic është regjisor 34 vjeç nga Bosnja. Kur ishte 12 vjeç, për shkak të luftës në Bosnjë, dy dekada më vonë, Vladimir Tomic na merr në një udhëtim për të na treguar për rritjen e tij në këtë anije të mbushur me jehona të luftës – dhe gjëra të tjera që e përbëjnë një adoleshencë.

Me kampe të refugjatëve të mbushura tërësisht, Kryqi i Kuq tërhoqi një anije gjigante në kanalet e Kopenhagës.

“Ky është një tregim universal, mbi të gjitha, sado që është në vetvete një tregim specifik mbi Bosnjën dhe lidhjen e saj me ‘Flotel Europa’. Megjithatë, refugjatët sot janë kudo dhe ndoshta në kushte shumë-shumë të vështira. Tregimi im duhet të dalë para syve të botës dhe ndoshta të ndërmerren masat e nevojshme”, tregon Tomic.

“Filmi im tregon në 70 minuta çka ka ndodhur në anijen ‘Flotel Europa’, një lloj hoteli dhe një anije që kishte brenda saj gjithçka, kushtet më të mira që dikush mund t’i mendojë. Unë isha shumë i ri dhe me familjen time na thanë të hynim në të, drejt Danimarkës. Nëna ime ka xhiruar pamje të familjes dhe ato ia ka dërguar babait. Vite më vonë këto xhirime i kam marrë në duart e mia dhe i kam gjetur edhe të tjera nga të tjerë banorë të ‘Flotel Europa’ dhe i kam miksuar në këtë film. Janë xhirimet më të bukura të asaj kohe, aty ku shumica gjetëm dashurinë, familjen, punën dhe largimin nga lufta”, tregon Tomic për “Zërin”.

Roku turk e gjerman

Cem Kaya – regjisor i filmit “Remake, Remix, Rip-Off” – është lindur e rritur në Gjermani, me origjinë nga Turqia. Filmi i tij flet mbi Turqinë.

“Turqia në vitet 1960 dhe 1970 ishte një nga prodhuesit më të mëdhenj të filmit në botë. Televizori u bë ngadalë një komoditet në dhomat e ndejës turke që nga mesi i viteve 70, kështu që kinemaja bashkë me radion ishin të vetmet mas-media që mund t’i përballonte secili. Në anën tjetër industria turke e filmit “Ye?ilçam”, ishte e dobët edhe në aspektin struktural edhe financiar. Filmat i ekspozoheshin një bordi të rreptë censure dhe kushtet e punës ishin të rrezikshme dhe shpesh vdekjeprurëse”, pohon Kaya.

Në film ai tregon edhe për shkatërrimin e teatrit “EMEK”, por edhe për një shitore për shitjen e videove që i përkiste babait të tij. Gjithçka është e përfshirë në dokumentarin 110-minutësh, i cili numëron çmime në “Rotterdam Film Festival”, “IndieLisboa” e “Istanbul Doc”. /Zëri/

Më Shumë

Propozimi i PDK-së për zgjedhje: 30 qershori ose 7 korriku

Mbrëmë janë takuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi. Gjatë këtij takimi, ndër të tjera u diskutua...

Policia shqipton mbi 2 mijë e 155 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 2155 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore janë evidentuar...

Lajmet e Fundit