Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë, ka njoftuar se të enjten me datë 22 shkurt me fillimin në ora 14:00, në Qendrën e Dokumentimit Kosovë, do të bëhet promovimi i librit “Proceset e kurdisura kundër shqiptarëve të Kosovës (1999-2001)” nga autori z. Fahri Musliu.
Libri “Proceset e kurdisura kundër shqiptarëve të Kosovës (1999-2001)” përmban informata për proceset e ndryshme gjyqësore individuale dhe grupore, nëpër gjykatat e Serbisë, ku përpunohen në veçanti pesë procese që kanë zgjuar interesimin e opinionit të vendit dhe të atij ndërkombëtar: procesi gjyqësor kundër Flora Brovinës, procesi kundër Albin Kurtit, procesi kundër grupit të studentëve shqiptarë të Universitetit të Beogradit, ai kundër grupit gjakovar prej 145 vetash dhe rasti “Kleçka”- kundër kushërinjve Mazreku.
Kështu thuhet në njoftimin e Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë, të dërguar medieve.
Njoftimi i plotë:
Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë ka kënaqësinë të ju ftoj në promovimin e librit “Proceset e kurdisura kundër shqiptarëve të Kosovës (1999-2001)” nga autori z. Fahri Musliu, në Qendrën e Dokumentimit Kosovë, të enjten, 22 shkurt 2024, në ora 14:00.
Në panel të diskutimit do të jetë autori i librit z. Musliu si dhe avokati i njohur z. Teki Bokshi i cili ka përfaqësuar shumë të burgosur në proceset gjyqësore që shtjellohen në këtë libër.
Libri “Proceset e kurdisura kundër shqiptarëve të Kosovës (1999-2001)” përmban informata për proceset e ndryshme gjyqësore individuale dhe grupore, nëpër gjykatat e Serbisë, ku përpunohen në veçanti pesë procese që kanë zgjuar interesimin e opinionit të vendit dhe të atij ndërkombëtar: procesi gjyqësor kundër Flora Brovinës, procesi kundër Albin Kurtit, procesi kundër grupit të studentëve shqiptarë të Universitetit të Beogradit, ai kundër grupit gjakovar prej 145 vetash dhe rasti “Kleçka”- kundër kushërinjve Mazreku.
Gazetari dhe publicisti i njohur Fahri Musliu, karrierën e tij e nisi në gazetën ‘Rilindja’ në vitin 1968 dhe këtë profesion vazhdoi ta kultivonte deri në pensionim e tij në vitin 2013. Ai studioi Gazetarinë në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, nga ku edhe punoi fillimisht si korrespondent i rregullt i gazetës ‘Rilindja’ dhe bashkëpunëtor i shumë gazetave dhe revistave të tjera shqipe në Kosovë. Ai ka bashkëpunuar me gazetat ‘Borba’, ‘Nasha Borba’ e ‘Danas’ të Beogradit dhe ‘Vjesnik’ të Zagrebit. Ka punuar një periudhë të gjatë si korrespondent i seksionit shqip të ‘Zërit të Amerikës’ nga Beogradi e pastaj edhe ne Radio Televizionin e Kosovës.
Ky libër është botimi i dytë me plotësime i librit me titull ‘Gjykimet e pengjeve’ që autori Fahri Musliu e publikoi në vitin 2002.
Promovimi dhe diskutimi mbështetet nga Konfederata Zvicerane – Departamenti Federal i Zvicrës për Punët e Jashtme dhe National Endoëment for Democracy (NED).