Siguria në Prizren nuk është e kënaqshme Ky ishte konstatimi i përgjithshëm i përfaqësuesve të organeve të drejtësisë në debatin “Ballafaqim” të Forumit Transparenca.
Pjesëmarrës të debatit ishin: Ymer Hoxha, kryetar i Gjykatës Themelore në Prizren, Hazir Berisha, zëdhënës i PK-së, Vesel Gashi rreshter në PK dhe Nexhat Çoçaj, drejtor në DKA.
Zëdhënësi i Policisë në Prizren Hazir Berisha dhe rreshteri Vesel Gashi, thanë se policia është duke ndërmarrë masa konkrete për të siguruar një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët.Ndërkaq, për punë efikase të Gjykatës u prononcua edhe kryetari i saj, Ymer Hoxha, duke thënë se ky institucion i drejtësisë nuk është i ndikuar nga politika.
Në anën tjetër, anëtarët e Forumit Transparenca dhe përfaqësuesit nga partitë opozitare në Prizren nxorën në pah fakte të shumta që e bënë evidente sigurinë e ultë në Komunën e Prizrenit.
Gjendje e brishtë e sigurisë është vlerësuar nga zyrtari i VV-së, Artan Abrashi. Ai fajësoi edhe institucionet e rendit, të drejtësisë por edhe pushtetin lokal të Prizrenit, transmeton TVPZ.
Presioni nga politika për mbyllje të rasteve sa i përket rasteve të zyrtarëve, mos ndëshkimi i autorëve të dyshuar,infrastruktura ligjore e zbehtë karshi ndëshkimit të autorëve të veprave penale, armëmbajtja nëpër shkolla, rrahja, siguria politike, korrupsioni, etj, ishin fokusi i debatit të sotëm, e që ishin edhe shqetësime të organizatorëve të këtij debati.
Drejtori i Arsimit, Nexhat Çoçaj, tha ndërkaq se gjendja e sigurisë nëpër shkolla nuk është në nivelin e kënaqshëm,ndërsa tha se për të gjithë ata që janë të përfshirë në incidente të ndryshme në mungesë të infrastrukturës ligjore po mungojnë masat ndëshkimore. /PrizrenPress.com/