18.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Te Syri i kaltër

Hajdar MallakuShkruan: Hajdar Mallaku

Po i bënin hapat e fundit për të arritur te burimi Syri i kaltër.Vështrimet e tyre së pari shkonin më larg, atje ku përballë tyre shtrihej Mali i Gjërë që zbriste tatëpjetë në të rrumbullakët si ballë i stolisur nuseje.Vazhdonte një kodrinë me një harkore të lehtë si teh brisku, që e priste horizontin dhe i ngjante vetullës. Në rënie përreth rrapët shekullorë renditeshin si çerpikë që nuk ishin mbyllur qëkur dhe linin të shihej pjesa e rrumbullakët e zhveshur nga bimët, që, nga shkëmbinjtë e bardhë, i ngjanin kokërdhokut të syrit.

Dhe qe, ata u gjendën pranë burimit. Horizonti ish rrudhur dhe kish ardhur në një pikë që i ngjante bebes së syrit. Një vorbull uji ngjyrë blu në të zezë ku gufonin në rrathë vrushkuj uji me sumbulla të bardha, fryrë me ajrin që i përcillte. Thuase krejt ai ujë shkërmoçej në pika të veçanta që silleshin rrotull si ashklat e drurit që i nxjerr një turjelë që shpon. E pastaj, pastaj shkriheshin në rrathë koncentrikë dhe humbnin në një sfond të kaltër, mbretëri besnike e qiellit përmbi.

– Hë burrë, ç’u bë?- i tha Altina të shoqit.-Ende po vrapon pas syve të kaltër ?!

-Nuk janë dy sy, por është një, tha Dreni. Vërtet unë kam një turbullim magjik, herë-herë një frikë të ngrohtë dhe herë të tjera bëj një meditim misterioz.

-E, po të ishin dy, ç’do të bëje, më thuaj?

-Po të ishin dy, unë do të fundosësha dy herë në ta, thellë deri në zemër dhe do ta kuptoja hallin e tyre. Kështu do të fundosem vetëm një herë. Desha të të thoja se po të ishin dy, ne fare s’do të vinim këtu. Ajo vajzë do të ishte gjallë atëherë, do të kish jetuar si shoqet e saj, do të ishte plakur dhe vdekur e nuk do të ish ekspozuar amshueshëm këtu, në këtë burim.

– E kujton se për sytë e zi, si i kam unë, janë kënduar këngë ?

– Sytë e zi i kanë shumë vajza, ndërsa me të kaltër janë të rralla. Për këto të fundit janë krijuar dhe legjenda. Madje – madje po vëren se ai sy është metamorfizuar në burim, si është ky këtu para nesh.

– Po, po, ju meshkujt mashtroheni edhe pas syrit në legjendë se lëre pas syve të një vajze të gjallë.

-Si duket po më xhelozon, ë ?

-Jo, aspak. Ty s’të lë të hysh në legjendë. Mos e trazo veten. Kthehu e m’i puth të dy sytë!

Drenit iu kujtuata ta vë në provë edhe më xhelozinë e saj. E mori për krahu, e vendosi para tij, buzë pellgut të ujit, e puthi “ncuk” në buzë dhe i tha:

-Vendosu në vijë me Syrin e kaltër, ta bëj një foto e t’i krahasoj sytë e tu me Syrin e kaltër. Guxo t’i heqësh syzet!

– Nuk i heq dot. Unë fotografohem për qejfin tim. Burimi le të fotografohet pranë meje.

Kur arriti vapa e drekës, vendi u mbush me vizitorë. Djemtë çapkënë kërcenin nga rrethoja krejt afër vorbullës së burimit, ndërsa vajzat laheshin afër bregut, në cektinë. Dikudh tjetër i lante sytë për shëndet, ndërsa një çift që do të martoheshin i ndërruan unazat, si shenjë besnikërie, pastërtie fizike dhe shpirtërore. Një çift tjetër i martuar m’u bë se patën grindje. Djaloshi ia hoqi zyzet dhe ia puthi vetëm njërin sy. Ajo ia mshoi dorës, më pak për ta qortuar pse e bënte në mënyrë publike puthjen e më shumë pse puthja e njërit sy po ia kujtonte Syrin e kaltër që, ku ta di, ai po e mendonte.

“- Kë po e puth ti, sytë e mi apo Syrin e kaltër?”- u dëgjua të ketë thënë gruaja.

I shoqi heshti…

-Duhet të kesh durim ,- i tha Dreni Altinës. Në të kaluarën e largët njerëzit e zhvilluan së pari imagjinatën e pastaj mendjen. E unë së pari po e zhvilloj mendjen e pastaj imagjinatën. Edhe koha moderne mund të krijojë legjenda duke e gërshetuar modernen me klasikën. Unë e di se ky burim ekziston qëkur është krijuar bota. Kam dëgjuar edhe legjenda për krijimin e tij. Po ja se më pëlqen kjo legjendë që ma do mendja dhe ti vlerësoje. Që të lirohemi që të dy nga ky ngërç ku hymë pa nevojë, ta rrëfej zbrazjen në jetë të legjendës për burimin Syri i kaltër.

-Dren, ku do të dalësh me këto fjalë s’e di, po thuaje…

-“Në fshatin Krongj, dikur fshat i madh dhe i pasur, që atë kohë sot nuk e prek historia, lindi një vajzë që vuri vulë në kohë. Ishte bijë e derës Llambi, e njohur krahas dyerve princërore të Gjinokastrës dhe Onhezmit (sot Saranda). Kur i hapi sytë dhe e pa botën, e ëma, Sara, u habit dhe tha: ”Me këta sy të kaltër e magjikë do ta trazojë botën. Paska lindur me emër të vet” dhe ia vuri emrin Synë. Kur u rrit vajza, gjithçka nga bukuria e saj mbeti në hijen e syve të kaltër, edhe pse po ta përshkruaje portretin e saj fizik duhej ta praroje me ar çdo pjesë të trupit të saj e lëre më portretin shpirtëror, me të folmen mjaltë, me buzëqeshjen diell, me butësinë e një skofijareje që s’mund të vlerësohet. Kur po merrte ujë në krua, që rridhte me grat dhe si duket banorët e fshatit Krongj i kishin dhënë emrin fshatit si thirrje dhe lutje Zotit për të pasur një krua që do t’ ua shuante etjen, hipur në kalë të bardhë e përcjellë me shembëllanë, u afrua dhe kërkoi ujë, Mirani. Kur ia ktheu bucelën Synës, iu duk se piu nga shpirti i saj dhe humbi në sytë e kaltër si një detar që i është prishur barka dhe ka mbetur në mes të oqeanit. Edhe vajza e depërtoi me shikim, i zgjati duartë me llërë të përvjelura, të bardha si borë bjeshke; e mori bucelën dhe e mbylli e turpëruar shikimin në vetvete, poshtë te këmbët.

Humbën që të dy në sytë e njëri-tjetrit.Vajzën e takoi dhe herë të tjera, e pëlqeu, e kuptoi se e kujt bijë ishte. Po përgatitej ta kërkonte dorën e saj dhe ta fejonte. Edhe babai, edhe nëna e saj nuk i shtinë sy të keq as familjes, as djalit dhe çdo gjë do të shkonte rrugës së uruar, po të mos e kish prerë në mes këtë rrugë Kris Dhëmbi, i ardhur andej nga vinin bajlozët e detit, nga jugu i Onhezmit. Posejdoni, Zot i luftës, e trazoi detin me sfurk trerrembësh, solli një furtunë të madhe dhe e përplasi në breg këtë dragua të së keqës si ta kish përplasur një gjarpër helmues. Endej ky me plot zullumqarë rrugëve, delte për gjah andej nga Mali i Gjërë dhe nga mali i Sopotit, e uzurponte kroin e vetëm dhe i linte banorët pa ujë, dhe ajo më e keqja, i rrëmbente vajzat duke përlyer nderin familjar që ishte vlerë mbi vlerat. Fati i keq deshi që e pa një herë Synën dhe i vuri shenjën. Jo se e pëlqeu këtë vajzë (nuk kishte nder dhe shije djaloshi), por më tepër për ta vënë dhunën në majat e lavdisë. Kish kuptuar që djali që e donte, Mirani, ishte trim dhe do ta vënte në sprovë fuqinë e tij. E shfrytëzoi rastin kur ky nuk ishte në shtëpi (ndodhej me trimat e tjerë në një luftë dhe nuk qe kthyer gjatë sa qenë përhapur fjalë se ishte vrarë), bëri trysni ndër më monstruozet, kërcënime se do ta digjte krejt familjen dhe dashur e padashur familja e pranuan fejesën në heshtje. Edhe vajza e pa ku kish përfunduar, e pati frikë më të keqën dhe iu shtrua një përbindëshi mizor. Dikë mund ta nënshtrosh vetëm duke u nënshtruar. Ëndrra rinore i plasi si bombë ndër duar dhe e shembi. Tri ditët e fundit, kur duhej të bëhej dasma, famkeqi Kris e mori vajzën, që e mbante peng, në shenjë të një përdhune dhe po shetiste në hijet e rrapëve të Krongjit. Mirani ish kthyer nga lufta. Me dhembje në shpirt kuptoi se vajza e dashur e tij ishte fejuar. Nuk i kish kuptuar ende rrethanat e kësaj ngjarjeje që kish ndodhur dhe kur po kalonte andej kah kroi, u gjend ballë për ballë me Krisin, që në shenjë provokimi e shtrëngoi fort për krahu vajzën dhe e tërhoq nga vetja. Dikund, prapa tij, kalëronin dhjetëra zullumqarë të kamufluar. Mirani nuk e kish pasur të fejuar vajzën, i druante pabesisë së zullumçarëve, se do ta vrisnin pas shpine si njerëz pa etikë dyluftimi, nuk ndërmori asgjë dhe vetëm do të kalonte përskaj tyre në rrugë për Gjinokastër. Synën e tradhëtoi vetja, e ktheu kokën kah Mirani dhe ia shkrepi syrin. I bëri shenjë me tre gishtërinj dhe krejt këto ishin kumte: “Në je burrë, eja më merr! Martohem edhe tri ditë”. Se pse e bëri këtë me naivitet, nuk e themi ne, po e thot dashuria. Sado që ta fshehësh, ajo shpërthen dhe duket. Ishte çasti i fundit i takimit me të para martese. Kris Dhëmbi e pa, u xhindos i tëri. Nuk foli as nuk reagoi aty. Erdhi dhe u fry si një shkëmb që i vë dinamitin dhe pasi i është ndezur fitili, akumulon gaz dhe e plas një stenë të tërë graniti. Kur e ktheu nga vetja, e pa që i kishin dalë lotët. E kuptoi pse. Xhelozia me arrogancë u zbrazën në mënyrën më mizore. E goditi me grusht në syrin e majtë, me gishtin e madh si teh çekani, me tërë fuqinë që e kishte. Këtë e fiksoi për një djallëzi që ai e kish dëgjuar se syri i majtë i takonte të dashurit. O tmerr! O Zot ! Syri i plasi dhe i doli kokërdhok, e zbrazi tërë lëngun e së fundi filloi t’i rridhte gjak. Vajzën nuk e ktheu në shtëpi te prindërit, as nuk e la të lirë. Ajo më s’pati çka të humb. Mund ta humbte edhe syrin tjetër, por tash nuk kishte asgjë vlerë te ajo. Ia zbrazi në sy se nuk e donte. “As e vdekur mos çofsha jotja!- i tha..” Klithmat e dhimbjes dhe dhunës e shponin errësirën. Bisha-njeri e tërhoqi zvarrë, e goditi, e poshtëroi dhe si kulm i së keqës s’diti ç’të bënte më. Iu kujtua ajo që s’ish bërë nga askush dhe e hodhi në shpellë.

Qau syri për syrin. Qau syri për jetën. Qau syri për dashurinë që u sublimua në një baladë të paparë.Tërë natën, deri sa dha shpirt, lotët e njërit sy e mbushën atë shpellë dhe në mëngjes ndodhi mrekullia. Shpërtheu ujët në një burim të paparë që ia ka lakmi bota. Vajza humbi mistershëm.

Mirani e kërkoi në shtëpi dhe nuk e gjeti. Mendoi se kishte dhe dy ditë deri te martesa dhe mos e kish kthyer atje. Por, jo! E kërkoi andej kah e kish parë të shetiste dhe prapë nuk e gjeti. Kaloi rrugës pranë shpellës dhe pa një burim me veçanti marramendëse. Ai burim i ngjante një syri dhe ky e njohu. Kush më mirë se zemra e të dashurit i zbërthen misteriozitetet. Ishte syri i Synës. U përul dhe qau. Lotët e tij u tretën me ata të burimit në shtratin lumor praruar me rreze dielli.

Me këtë burim Syna i dha shpirt jetës me ujë të bollshëm, ndërsa syrin ia dhuroi kujtimit për dashurinë, natyrës harmonisë marramendëse që ka syri, ndërsa qiellit kaltërsinë, simbolikë e besnikërisë bashkëshortore.

Krisin më në fund e hëngri dhëmbi i mëkatit të vet, u vra nga dora e Miranit, që e shpëtoi fshatin nga e keqja.

Mbrëmjeve Miranin e shihje të qëndrojë pranë burimit e të qante, veshur me pelerinë krahëve që i fërfërinte. Ajo kishte qarë për të nën tokë shtatë palë dheu, e ky mbi tokë kur nuk e vërente askush. S’donte t’ua prishte dëfrimin vizitorëve që vinin në qifte, e ky vinte vetëm. Qante edhe për fajin që nuk veproi me kohë ta shpëtonte Synën. Uronte, uronte që burimin ta vizitonin të lumturit e botës. Nuk u martua më, luftoi denjësisht për atdhe deri në pleqëri dhe vdiç një mëngjes herët buzë Syrit të kaltër, si eremit i përvuajtur, me besimin e bazuar që do ta takonte në amshim.. Varrin e kish lënë amanet të mos ia bënin publik”.

Kur e mbaroi rrëfimin, Altinës i shpëtuan lotët.

-Ma bëj edhe një foto, Dren! Dua t’i vë sytë e mi në vijë me Syrin e kaltër. Unë po fotografohem tash pranë burimit. Pa syze. I përulem asaj vajze që jeton amshueshëm dhe i thërret qiftet e reja në vizitë. Thuase ngjallet dhe kënaqet me lumturinë e të gjithë atyre që e lidhin jetën me besnikëri. I përulem Syrit të kaltër!

– Kur ta bëj fotografinë, eja të t’i puth të dy sytë!- i tha Dreni. E meriton…

Më Shumë

Moti sot: I vranët e me intervale me diell – temperaturat deri në 22 gradë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se këtë të premte parashihet të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Sipas IHMK-së,...

Dueli i tretë final mes Trepçës dhe Yllit

Trepça dhe Golden Eagle Ylli do të përballen në ndeshjen e tretë të serisë finale të play-offit në Superligën e Kosovës në basketboll. Pas dy...

Lajmet e Fundit