19.8 C
Prizren
E premte, 12 Shtator, 2025

“Thaçi i iki Speciales”

Situata politike në Kosovë është “ekstremisht e tensionuar”, dhe qeveria në Prishtinë do të përballet me një sfidë serioze kur Hashim Thaçi do të kandidojë për President të Kosovës, ka thënë lideri i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq.

“Në shikim të parë, duket se qeveria në Prishtinë ka numrat e mjaftueshëm dhe se nuk ka probleme ta shtyjë tërë mandatin deri në fund, por ajo do të jetë një sfidë serioze për t’u përballur, tani kur Hashim Thaçi po kandidon për President të Kosovës”, ka thënë Ivanoviq në një intervistë për gazetën serbe “Politika” para kthimit të tij në paraburgim, njofton Klan Kosova.

Presidenti i Kosovës zgjedhet nga parlamenti, por pyetja e madhe është nëse Thaçi, i cili është ministri aktual i Punëve të Jashtme të Kosovës, mund të sigurojë numrin e nevojshëm të votave edhe brenda partive në koalicion, ka deklaruar Ivanoviq.

Ai ka thënë se Thaçit vetëm Uashingtoni mund t’ia garantojë zgjedhjen President i Kosovës, dhe nëse kjo ndodh, ai nuk do të jetë nën hetime nga ana e Gjykatës Speciale për krimet e supozuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Prandaj Thaçi do të duhet të udhëtojë për në Uashington”, ka thënë Ivanoviq, duke shtuar se “mbështetja e kandidaturës së Thaçit për President nga SHBA-të në të njëjtën kohë do të thotë edhe se ai është hequr nga lista e atyre që do të gjenden nën hetimin e Gjykatës Speciale për krimet e UÇK-së”.

“Kështu jo vetëm që shfajësohet një nga figurat kyçe të UÇK-së, por edhe vë në pikëpyetje kuptimin e krijimit të kësaj gjykate” shtoi Ivanoviq.

Ai po ashtu pohoi se arsye e vërtetë e bllokadës parlamentare në Kosovë është Gjykata Speciale, “sepse shumë veta në bllokun opozitar me arsye kanë frikë se ata mund të gjejnë veten në bankën e të akuzuarve”.

Ivanoviq ka thënë se për këtë arsye do të vazhdojnë protestat e opozitës, sepse, siç thotë ai, ajo nuk ka mjete të tjera për të rrëzuar qeverinë.

“Në kushte të tilla, kur zgjerohet hendeku në Prishtinë ndërmjet qeverisë dhe opozitës, dhe brenda vet qeverisë, zëri i Serbisë bëhet shumë i rëndësishëm” tha Ivanoviq.

Ai theksoi se as Thaçi dhe as ndonjë politikan aktual shqiptar, nuk e gëzojnë besimin e serbëve.

Oliver Ivanoviq është dënuar me nëntë vjet burg për krime lufte të kryera gjatë viteve 1998-99.

Oliver Ivanoviç

Më Shumë

Si u rishkrua “Lahuta e Malcisë”, në vitin 1986, u kopjuan me shkrim dore 30 këngët e veprës të ndaluara nga komunizmi

Në letrën e shkruar në vitin 1986 nga Nike Toma në Fishtë të Lezhës janë kopjuar 30 këngë të “Lahutës së Malcisë” në 730...

Emin Bajrami largohet nga Rahoveci pas tre barazimeve radhazi

Trajneri Emin Bajrami ka njoftuar largimin e tij nga drejtimi i klubit Rahoveci, pas tre ndeshjeve të para të sezonit që përfunduan me barazime,...

Lajmet e Fundit