Gazeta prestigjioze angleze The Guardian e ka pranuar gabimin e rëndë që ka bërë në një shkrim për hetimet e EULEX-it rreth rastit Bllaca 4, ku e akuzon kryeministrin e Kosovës për “lidhje familjare me porositës të vrasësve me pagesë”.
Në artikullin e botuar më 7 nëntor The Guardian në titull shkruante: “Dyshime për lidhje të familjarëve të kryeministrit të Kosovës me vrarës me pagesë”. Në këtë artikull gazeta e quante Azem Sylën si daja i Hashim Thaçit.
Atë ditë stafi i kryeministrit dhe një komunikatë e Zyrës së Kryeministrit sqaruan se ky ishte një artikull tendencioz, me qëllim njollosjen e personalitetit të kryeministrit Thaçi dhe shtetit të Kosovës.
E si duket se këtë e ka kuptuar edhe The Guardian dhe e ka ndryshuar artikullin, duke hequr pjesën për familjarë të kryeministrit dhe duke ndryshuar titullin në “Dyshime për lidhje mes politikanëve të lartë dhe vrasëseve”.
Ndërsa, në fund The Guardian shkruan se “ky artikull është ndryshuar pasi një element i tij po hetohet për verifikim”.