8.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

TIKA e Turqisë restauron dy xhami të vjetra në Prishtinë e Prizren

Ministria e Kulturës dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) kanë nënshkruar memorandum për restaurimin e Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë dhe Xhamisë së Sulltan Mehmetit në Prizren.

Sipas kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, këto janë xhamitë më të vjetra në Kosovë.

Për nënshkrimin e marrëveshjes është mbajtur konferencë për media ku ka folur kreu i BIK, ambasadorja turke Kivilcim Kiliç, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës Veton Firzi dhe Drejtori i TIKA-s për Kosovë, Hasan Burak Ceran.

Ky i fundit tha se shuma që do të ndahet për restaurimin e dy xhamive nuk është e përcaktuar por do të jetë në bazë të nevojave të projektit.

Ndërsa, myftiu i Kosovës Naim Tërnava tha se dita e nënshkrimit të restaurimit ka rëndësi të madhe.

“Mbrëmë ishte natë e madhe—ishte Nata e Kadrit. Siç po shihet edhe kjo ditë është një ditë e bereqetshme dhe ditë e madhe edhe për ne ngase po vijmë deri te nënshkrimi e këtyre memorandumeve për restaurimin e dy xhamive më të vjetra në Kosovë”, tha ai. Po ashtu Tërnava kërkoi që Ministria e Kulturës ta bëjë më të lehtë punën për  restaurimin e xhamive në Kosovë.

“Është një e vërtetë e madhe se Bashkësia Islame e Kosovës po has në disa pengesa të pajustifikueshme në raport me restaurimin e xhamive të ndryshme në Prishtinë dhe në qytete të tjera, derisa xhamitë e vjetra janë në gjendje të mjerueshme”, u shpreh ai.

Mirëpo u shpreh se pret që Ministria të angazhohet në mënyrë që restaurimi të bëhet në një afat të shkurtë.

“Megjithatë besoj se me një angazhim edhe të Ministrisë së Kulturës, që e ka për obligim ta bëjë këtë—t’i lehtësojë punët—ne do të arrijmë të fillojmë punën edhe me këto tri xhami brenda një muaji apo një muaji e gjysmë”, tha ai duke iu referuar tri xhamive të tjera në Prishtinë.

Ambasadorja e Turqisë, Kivilcim Kiliç në Kosovë tha se monumentet mund të shprehin lidhje në mes të popujve.

“Shpresojmë që këto monumente të lidhjes sonë të përbashkët të jenë një lidhje e fortë në mes të dy popujve tonë”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, sekretari i MKRS, Veton Firzi tha se Ministria do ta bëjë mbikëqyrjen e ndërtimit dhe mbikëqyrjen e  aspekteve procedurale.

“Në bazë të memorandumit të nënshkruar sot obligimet e Ministrisë së Kulturës janë që të sigurojë që pjesa e procedurave administrative dhe mbikëqyrjes së zbatimit të projekteve të bëhet konform Ligjit për Trashëgimi Kulturore”, u shpreh ai.

Më Shumë

Moti sot me diell dhe vranësira

Moti sot parashihet të jetë me diell dhe vranësira, të cilat gjatë ditës pritet të shtohen, ku ka mundësi të sjellin ndonjë reshje të...

12 vite nga vdekja e shkrimtarit arbëresh, Ernesto Sabato

Sábato ka lindur në Rojas, provincia de Buenos Aires në Argjentinë më 24 qershor, 1911. Nëna e tij Juana Maria Ferrari rridhte nga një...

Lajmet e Fundit