7.7 C
Prizren
E diel, 8 Shkurt, 2026

Totaj konfirmon autoritetin e tij mbi drejtorët, përfshirë edhe ata të Nismës

Shaqir Totaj tha sot se është shefi i vetëm i të gjithë drejtorëve komunalë, përfshirë edhe atyre të propozuar nga partneri qeverisës i Nismës Socialdemokrate.

Në një paraqitje para mediave, e cila i pasoi një mbledhjeje të kreut të ri të Komunës së Prizrenit me drejtorët komunalë, Totaj vlerësoi se do të ketë autoritet të madh mbi vartësit e tij.

“Këta janë drejtorë të komunës. Ky është ekip i cili do të punoj për të ardhmen e qytetit pa dallim partie dhe prejardhje. Këta njerëz këtu nuk e kanë asnjë shef jashtë kësaj ndërtese”, u tha Totaj, gazetarëve.

 

Megjithatë, vlerësimi i kryetarit të ri të Prizrenit nuk vlen në rastet e mundshme të shkarkimit dhe zëvendësimit të drejtorëve të Nismës, bazuar në një deklarim të Zafir Berishës, shefit të Nismës Socialdemokrate në Prizren.

Berisha, i tha Paparacit të mërkurën se ekziston një pajtim mes tij dhe kryetarit të Prizrenit për konsultime para nxjerrjes së vendimeve për shkarkimin apo zëvendësimin e drejtorëve të Nismës.

“Nëse eventualisht ndonjë drejtorë nuk është në përputhje me kryetarin, atëherë ai konsultohet me kryetarin e kësaj partie për të ardhur në përfundim lidhur me shkarkimin e mundshëm”, tha Berisha në një bisedë telefonike për Paparacin.

Megjithatë, ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme tha se nuk e vë në pikëpyetje autoritetin e Totajt si shef i komunës.

“Përndryshe unë nuk e vë në pikëpyetje autoritetin e kryetarit, i cili i ka kompetencat e bazuara në ligj për ushtrimin e detyrës së tij”,

Kësisoj, Berisha tha se askush nga Nisma Socialdemokrate nuk do të ndërhyjë në kompetencat e kryetarit të ri të komunës.

“Procedurat i udhëheq kryetari i Komunës. Normalisht drejtorët dhe shkeljet e tyre ndryshe merr masa kryetari i komunës. Këtë gjë e di, që tre drejtorët e komunës janë njerëz të padjallëzuar, profesionistë dhe të ndershëm”, u shpreh Berisha.

Shefi i ri i Prizrenit, emëroi të martën udhëheqësit e drejtorive komunale. Ndërkaq, të hënën, kreu i ri i Prizrenit emëroi Kujtim Gashin, nënkryetar të komunës.

PDK-ja në Prizren ka lidhur koalicion bashkëqeverisës me Nismën Socialdemokrate dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Nisma do të udhëheq me tri drejtori. /Paparaci.com

Më Shumë

Policia ndalon një të ri në Prizren, i gjendet substancë narkotike gjatë kontrollit

Një kontroll rutinë i policisë në komunikacion ka rezultuar me procedim penal ndaj një të riu në Prizren, i cili dyshohet për drejtim të...

Ylli nuk ndalet, prezanton tjetër transfer me përvojë nga NBA

Tjetër transfer është prezantuar sot nga Golden Eagle Ylli. Brenda dy ditëve therandasit kanë nënshkruar me lojtarin e tretë të huaj. Bëhet fjalë për organizatorin...

Lajmet e Fundit