8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Tri arsyet se pse së pari duhet të formohet Qeveria e pastaj të bëhet votimi për presidentin

Agron Halitaj

Qëkur kanë përfunduar zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, kanë nisur debatet e dilemat nëse pas konstituimit të Legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, së pari duhet të krijohet Qeveria, apo duhet votuar për zgjedhjen e presidentit.

Është fakt se Kushtetuta e Kosovës nuk ka qartësi lidhur me procedurën që duhet ndjekur në rastet e tilla, por, megjithatë, ekzistojnë tri arsye se përse së pari duhet të formohet Qeveria e më pas të bëhet votimi për presidentin.

E para: Zgjedhjet e 14 shkurtit nuk janë organizuar për shkakun se vendi është pa president të zgjedhur, por për shkak të rënies së Qeverisë si rrjedhojë e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku u tha se zgjedhja e Ekzekutivit të udhëhequr nga Avdullah Hoti është bërë në mënyrë jokushtetuese. Mbi bazën e këtij aktgjykimi, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, më 6 janar nxori dekretin për shpërndarjen e Legjislaturës së shtatë dhe e shpalli datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Votuesit iu drejtuan kutive të votimit, thjesht për t’i zgjedhur përfaqësuesit e një Kuvendi të ri – përkatësisht drejtuesit e një Qeverie të re. Pas përfundimit të këtij procesi, nuk ka sens të pretendohet që zgjedhja e presidentit të futet në procedurë, fill pas konstituimit të Legjislaturës së tetë, duke i paraprirë kështu procesit të votimit të Qeverisë së re. Partitë parlamentare e kanë për obligim që ta jetësojnë vullnetin e qytetarëve, duke e përmbyllur fillimisht procesin e konstituimit të Kuvendit dhe të Qeverisë së re, e më pas që t’i ndërmarrin hapat tjerë në përputhje me përgjegjësitë që i kanë.

E dyta: Zgjedhja e presidentit të ri duhet të bëhet pasi të jenë plotësuar disa parakushte në Kuvendin e ri të Kosovës. Një prej kushteve është krijimi i Komisioneve Parlamentare e që, për rastin konkret, duhet që Komisioni për Legjislacion të jetë funksional. Përgjegjësia e këtij Komisioni është që të verifikojë nëse kandidatët për president (meqë duhet të jenë së paku dy kandidatë që duhet t’i nënshtrohen vullnetit të deputetëve), i plotësojnë kriteret për të qenë kryetar shteti. Kur është emëruar Atifete Jahjaga si presidente, ishte nënkomisioni për mandate dhe imunitete ai që e bëri verifikimin e kritereve, ndërsa në rastin e Hashim Thaçit këtë punë e ka kryer Komisioni për Legjislacion. Çështja është se komisionet parlamentare nuk mund të krijohen pa u zgjedhur Qeveria e vendit. Së pari duhet të dihen ministritë e pastaj të caktohen Komisionet Parlamentare si mbikëqyrëse të sektorëve përkatës.

E treta: Nëse anashkalohen dy arsyet e para dhe nëse zgjedhja e presidentit futet në procedurë para formimit të qeverisë së re, atëherë Kosova futet në një proces të komplikuar – si asnjëherë më parë. Pyetja kryesore që shtrohet në këtë rast është kjo: Çka nëse dështon zgjedhja e presidentit dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, brenda 45 ditësh? A mund të mbetet në detyrë Qeveria Hoti, e votuar nga legjislatura e shkuar dhe e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, e të dhunohet vullneti i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt? Përgjigjja duhet të jetë: Jo! Prandaj, krijimi i institucioneve të reja duhet shkuar sipas kësaj renditjeje: Kuvendi-Qeveria-Presidenti. Ushtruesja e detyrës së presidentit qysh tash mund t’ia japë mandatin për formimin e Qeverisë së re, kandidatit që partia fituese e nominon zyrtarisht për kryeministër. Ajo nuk ka pasë asnjë pengesë që t’i niste procedurat për zgjedhjen e presidentit, fill pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, por nuk e ka bërë këtë. Procedurat nuk janë të komplikuara. “Interpretimet juridike”, sipas interesave politike, janë ato që i bëjnë gjërat më të vështira. /Burimi: AktivPress/

Më Shumë

Guardiola me çdo kusht e dëshiron transferimin e Musialas

Pep Guardiola raportohet se ka vendosur për objektivin kryesor të afatit kalimtar veror për Manchester Cityn. “The Guardian” raporton se City pritet që të bëjnë...

Këta dy shokë krijuan lëkurën nga kaktusi dhe i shpëtuan jetën 1 miliardë kafshëve

Adrian dhe Marte, dy sipërmarrës me origjinë nga Meksika, kanë zhvilluar një 'lëkurë' vegane të quajtur "Desserto" nga Kaktusi. Ky material eco-friendly ngjan shumë me...

Lajmet e Fundit