25.8 C
Prizren
E martë, 21 Maj, 2024

Triptik për çlirimin e mendimit

Prend Buzhala, shkrimtarPrend BUZHALA
1.
Në dramën e tj të absurdit “Rinoçeronti” Euzhen Jonesko, përpos metamorfozimit të njerëzve në kreatyra të shëmtuara (shpëton pa u metamorfozuar personazhi kryesor); vë, në replikën e personazheve, edhe dialogun ekskluzivist, aprioristik, përjashtues, të tyre… jashtë caqeve kufijve të të cilave qëndrime e mendime, ata nuk e shohin veten. Ata mbyllen në atë gëzhojë….
Po ne, si e shohim veten KËTU E TASH, në Atdheun tonë të dashur? Ne nuk mund ta shohim veten JASHTË GËZHOJËS SË POLITIKËS, mbasi POLITIKA E SOTME ne nuk na sheh jashtë vetvetes, jashtë sinorëve të saj!!! Nuk ka mjekë, sespe ata tashmë janë QENIE POLITIKE, nuk ka as arsimtarë, as inxhinierë, as sportistë, as solistë, etj, sepse tashmë ata nuk janë të tillë, njerëz të profesionit e të prirjeve të tyre, por njerëz të politikës, qenie politike. Një tirani e re është kjo, që i ka mbërthyer të gjithë, si brigada vullnetarësh të këtij rrethi të dhunës, që nuk përfill dëshirat dhe vullnetin e të tjerëve. Dhe kemi frikë veten ta shohim jashtë saj. Mbyllemi, izolohemi brenda këtij realiteti të frikshëm; mbyllemi e lëvizim vetëm brenda MENDIMIT TONË, TË VËRTETËS TONË, ku ka eksluzivitet, apo përjashtim të tjetrit, apo qoftë dhe mënjanime të llojllojshme… si akte të kësaj tiranie vetjake… dhe politike a kolektive…. Sepse veten duam ta shohim vetëm si qenie politike, domethënë: ke QËNDRIMIN TËND, MENDIMIN TËND APRIORI, një qëndrim të frikshëm e të llahtarshëm aprioristik.

Dhe, të mos harrojmë: jemi edhe QENIE TË VDEKSHME, domethënë: jemi njerëz.
Dhe, që ta mënjanojmë këtë tirani mbi veten, duhet TË MËSOHEMI TË BASHKËBISEDOJMË.
Dhe: jo ajo e moçmja: dhëmb për dhëmb, argument kundër argumentit… sepse, në këso rastesh, ti e ndërton një raport tjetër… ky është hapi i parë i Çlirimit të Mendimit.
Dhe vetvetes.

2.
Si e gjejmë veten në këtë epokë thyerjesh, rëniesh, përmbysjesh, ringritjesh; në këtë epokë të proceseve të mëdha që ndodhën e po ndodhin brenda nesh; dhe të proceseve të mëdha që ndodhën në plan botëror? Në fakt, si jetojmë në këso kohe që quhet dhe EPOKË DIXHITALE, posaçërisht në një Kosovë kaq të varfër dhe ende të pafat, të goditur nga zhgënjimi dhe pakënaqësia, nga HUMBJA E SHPRESËS? Para luftës, kur jetonim nën kushtet e një dhune sistematike, na therte e na dhimbte, fort na dhimbte, kur bota na shikonte me indiferencë. Dhe nuk fliste për ne…. Erdhën çastet kur NE FOLËM dhe EVROPA PERËNDIMORE e SHBA folën… sepse bota (dhe vetë ne), kishim nevojë për vetëndërgjegjësim. Kjo VETËDIJE E RE historike, ishte NJË ÇLIRIM që ndodhi brenda qenies sonë, por ndodhi dhe përreth nesh nga dora e shtrirë e ndihmës…
E sot? A flitet për ne?
E çka i mbetet njeriut?
Të ikë dikah. Të ikë nga bashkëbisedimi! Edhe kur flet me tjetrin, ai flet me mendësinë e apriorizmit të të vërtetave të veta, pra rreshtohet në brigadat e tiranisë. Domethënë: njeriu arratiset nga vetvetja. Nga qenia e tij. Në këso ikjesh nuk ka as mendim! Ka vetëm një qenie-kukull. Ikën të gjejë një strehë jashtë. Tjetri, të gjejë një strehë në shkrim, aty ku së paku, ka një dritë bashkëbisedimi…
Kosovën e izoluar, e vret kjo indiferencë, njësoj si para luftës. Edhe me fajin tonë.
Sigurisht, që të flitet për Kosovën, është e domosdoshme, si buka; domosdoshmëria e vetëndërgjegjësimit, e vetëdijesimit, jo vetëm brenda nesh, po edhe jashtë nesh… rreth nesh. Por jo si reduktim a ngushtim i të folurit në rrethin POLITIK, POR SI MENDIM JETËDHËNËS, SI IDE E GJALLË (hapi i dytë për ta çliruar mendimin, të folurit dhe vetveten). Të folurit politik, po shihet, e bën të pamundshëm dialogun, marrëveshjen me njëri-tjetrin… Dhe, në këso situatash, na kaplon edhe së brendshmi TË MOSFOLURIT, dmth mungesa e të folurit të gjallë, sepse edhe brenda qenies sonë, mendësia e tillë e mbylljes, e apriorizmit, secilin prej nesh (edhe intelektualin e krijuesin) na bën të jemi të pamundshëm!

Prandaj, është borxh, jo vetëm i intelektualëve dhe krijuesve, që ta rikthejnë mendimin e gjallë, idetë e gjalla, të folurit e gjallë, që dialogun politik ta kthejnë në vatrën e bashkëbisedimit autentik, jetësor, të gjallë, të të vërtetës. Aty është edhe triumfi i të vërtetës. E ky rikthim, do të thotë KTHIM TE VETJA, sepse ekziston bashkëbisedimi, të folurit a dialogu jashtëpolitik pikërisht për tema edhe të jetës politike.

3.
Te e fundit, kudo në botë DHIMBJA NJERËZORE E KA VETËM NJË GJUHË, ashtu sikundër HUMANIZMI E KA VETËM NJË GJUHË – NJERËZOREN. Sepse atëherë veprojmë “jashtë programit” që përhap zhgënjim. Dhe, të bashkëbisedosh, të bësh dialog, ti je në anën e kundërt të këtij realiteti tiranie. Nuk është e habitshme, pse kultura përpiqet t’i thyejë këta kufij të tiranisë brenda nesh, por edhe brenda hapësirës ballkanike, kurse ajo të sulmohet që në hapat e parë. Pra, NJERIU I MBYLLUR (argat i vetëtiranizimit e i tiranisë), nuk do dialog, kurse dialogu e thyen këtë skemë. Tirania që na ka kapluar, na detyron që të kapitullojë dhe shpirti ynë. Një shpirt shkatërrimtar i kësaj tiranie brenda nesh, që na e arratis dhe kulturën e trashëgiminë e saj në barbarizëm e në regres kulturor; sado që prej viteve ’90 e këndej, u krijua një traditë e re e përkujtimit të vlerave tona, e integrimit të të mënjauarve brenda hapësirës kulturore e politike…

E kemi dëgjuar atë shprehjen: MENDIM I HAPUR. Në letërsi ekziston dhe përkufizimi i shkrimit letrar si VEPËR E HAPUR (Umberto Eco), ku depërtimi te shtresat e veprës bëhet nëpërmes shumë rrugëve e çelësave… Në realitetin e hapur ka shumë çelësa për zgjidhje (ky është hapi i tretë për çlirim të vetes, mendimit dhe dialogut nga tirania). Në të mbyllurin duhen shifra, “norma”, rregulla…e ku ka moskomunikim, shtim të tiranisë. Në këtë HAPJE, krejt interpretimet, krejt rrugët, krejt çelësat, janë të rëndësishëm, janë të barabartë. Prandaj në këso rastesh nuk nevojitet çelësi për ta zbërthyer ndonjë gjëegjëzë. Rrugët janë të hapura…

Më Shumë

Rahoveci e bën hapin e parë drejt finales

KH Rahoveci e ka bërë hapin e parë drejt finales së plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll. Në “Mizahir Isma”, Rahoveci e mposhti Trepçën...

Ramadani: Isha në rrezik për jetë, më trajtuan si fëmija i presidentit

Ylber Ramadani e kaloi një rrezik të madh për jetën disa javë më parë. Mesfushori i Lecces u përball me një problem shumë të...

Lajmet e Fundit