9.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Vajtuesit dhe ngushëlluesit e Prizrenit

Blerim Cocaj (1)Blerim ÇOÇAJ

Vajet janë pjesë përbërëse të ceremonive rituale të vdekjes. Me ndryshime të vogla, ato janë të njëjta ndër të gjithë popujt e botës. Për nga mënyra e të shprehurit, vajet kanë më tepër formën e poezisë epike, pasi që përshkruajnë ngjarjen. Edhe pse janë klithma dhembjeje për njeriun që ndahet nga të gjallët, ato në Prizren nga partitë politike, kryesisht opozitare, janë shndërruar në klithma dhembje për njerëzit e gjallë.

Këto parti politike në Prizren, kanë arrit të përvetësojnë rolin e llojit të vajtuesve profesional. Ky lloj i vajeve të profesionistëve, në ceremonitë rituale të vdekjes, në letërsinë popullore, paraqitet si burim ndjenjash spontane, pasi që nuk e qajnë njeriun e tyre dhe si të tilla nuk e ndjenë fatkeqësinë si farefisi i të vdekurit.

Përfaqësuesit e partive politike në këtë qytet, gjatë dhjetë ditëve të parë të fushatës zgjedhore kanë filluar të bisedojnë me qytetarët e vet, sikur vajtuesit profesionist, që bisedojnë me të vdekurin, gjatë riteve mortore.

Dallimi i vetëm i riteve të vdekjes në ceremonitë mortore nga “ritet” e këtyre partive politike, që po i përdorin në kuadër të fushatës zgjedhore është vetëm shpresa për të jetuar. Në vend të premtimeve dhe shpalosjes së programit para elektoratit nga goja e këtyre politikanëve nuk dëgjohet asgjë tjetër, përveç klithma dhe dhembje për “qeverisjen e keqe të Prizrenit”.Konstatimi i tyre,mbase edhe mund të jetë i saktë, mirëpo koha e fushatës zgjedhore nuk duhet të shndërrohet në vaje.

Nuk do të duhej që për të bërë me “inetsrant” fushatën e procesit zgjedhor, të krijojnë ceremoni të “riteve të vdekjes”. Është normale dhe s’ka asgjë të keqe që opozita të përdorë fuqinë e saj. Të përcjellë çdo shkelje eventuale ligjore të pushtetit te qytetarët. Disa parti politike për dy mandate, kanë mundur që të përdorin më shumë fuqinë opozitare në Kuvend.

Një gjë të tillë nuk e kanë shfrytëzuar, prandaj përpjekja e tyre për të “kompensuar” këtë të metë në këtë kohë nuk sjellë ndonjë rezultat zgjedhor.

Nëse nuk kanë pasur guxim që shqetësimet për keqpërdorime të ndryshme t’i dërgojnë tek qytetarët me kohë, fushata zgjedhore nuk do të duhej të shfrytëzohej për një gjë të tillë.

Votuesve në fushatën zgjedhore nuk iu duhen akuzat e ndërsjella. Ata nga partitë politike në tubimet elektorale, presin zbërthimin e programit të tyre zgjedhor.

Nuk duan tubime elektorale, të cilat i ngjajnë ceremonive rituale të vdekjes, ku në vend të shpalimit të ndonjë programi shpresëdhënës, dëgjojnë vaje për “jetën e zezë” të tyre! Fundja kjo nuk është as alternativë.

Votuesit janë mirë të informuar për “Qeverinë Muja”. Ata s’kanë nevojë që gjërat që kanë dëgjuar gjatë këtyre dy mandateve t’i dëgjojnë edhe gjatë fushatës zgjedhore. Nuk besoj se ka qytetar në Prizren, që nuk është i informuar për procesin gjyqësor të Mujës dhe pesë drejtorëve të tij. Ata i kanë parë dhe prekur të gjitha të mirat dhe të këqijat e këtij pushteti. Prandaj, fushata zgjedhore duhet të shfrytëzohet për shpalosjen e programit nga secila parti politike. Votuesit nuk kanë nevojë për akuza të ndërsjella. Ata po i presin platformat e tyre për Prizrenin.

* * *
Ndryshe nga partitë opozitare, partia në pushtet nuk po e praktikon vajtimin. Si kundërpërgjigje ndajë “ritit mortor” të kundërshtarëve ajo po e praktikon ngushëllimin. Edhe pozita njëjtë si në ceremonitë mortore të vdekjes, (ku vizitorët kërkojnë nga kryefamiljari i njeriut që është ndarë nga të gjallët, që të gjejë forcën për ta përballuar dhembjen dhe të vazhdojë jetën), ngushëllojnë qytetarët me punën që kanë bërë gjatë qeverisjes së tyre.

Përmendin projektet kapitale të cilat gjatë këtyre dy mandateve i kanë realizuar. Krenohen me investimet kapitale, që i kanë realizuar në ndërtimin e infrastrukturës në arsim, e sidomos në infrastrukturën rrugore. Premtojnë se investimet e tilla kapitale, do të ketë edhe në të ardhmen. Madje, kryeministri Hashim Thaçi u tregua dorëlirë në hapjen e fushatës zgjedhore të PDK-së. Ai premtoi hiq më pak se 100 milion eruro investime për Prizrenin.

Partitë politike në Prizren me këtë formë, vajtimin dhe ngushëllimin e kanë bërë pjesë e fushatës zgjedhore. Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do të shënojnë një pikë kthese në historinë e Prizrenit.

Prandaj, ato do të duhej të kalojnë pa konflikte dhe pa gjuhë nxitëse, ashtu siç organizohen në vendet me traditë të demokracisë. Pse të mos e marrin shembull, partitë tona, fushatat në SHBA, Angli…, të cilat janë shumë korrekte dhe shumë përmbajtjesore, pa dhunë dhe pa shtrëngime. Në këto shtete krijohet një ambient paqësor, në të cilën mund të shkëmbehen edhe mendime më një diversitet të ashpër, por shumë paqësor. Fushata agresive me “rite mortore”, sigurisht se do të reflektojë negativisht te votuesit.

Nuk do të ishte ndonjë e papritur dhe një lajm i keq, nëse ata (votuesit), do t’i bojkotojnë edhe kësaj radhe zgjedhjet. Për një bojkotim eventual, përgjegjësin kryesore do të duhej ta marrin vetë partitë politike, të cilat fushatën zgjedhore nuk po e përdorin për shpërndarjen e programit para qytetarëve në mënyrë që t’i bindin që të dalin në zgjedhje.

Zgjedhjet e 3 nëntorit të këtij viti, për shumë arsye, do të jenë më të rëndësishmet në Prizren.Qytetarët, me votën e tyre, do të kenë mundësi të përcaktohen për vajtuesit apo ngushëlluesit?!

Më Shumë

Ambasada britanike në Beograd e informuar për arrestimin e Sadik Durakut

Ambasada e Britanisë së Madhe në Beograd është e informuar për arrestimin në Serbi të shtetasit të saj Sadik Duraku, me origjinë nga Kosova. Siç...

Real Madrid e mposht Barcelonën, blindon kreun e La Liga-s

Real Madrid e ka mposhtur sërish Barcelonën, duke e blinduar kreun e La Liga-s. Skuadra madrilene triumfoi me rezultat të ngushtë 3:2, me anglezin që...

Lajmet e Fundit