Kryetari i komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, priti një delegacion të Bashkësisë Islame të Kosovës të udhëhequr nga myftiu Naim Tërnava. Në Rahovec, myftiu Tërnava tha se Bashkësia Islame e Kosovës ka bashkëjetuar me fatin e popullit të Kosovës dhe gjatë kësaj periudhe ka dhënë kontributin e vet në të gjitha proceset politike e historike të vendit.
“Edhe në të ardhmen ne do të vazhdojmë ta kryejmë obligimin tonë në shërbim të popullit dhe Kosovës, duke mos u pajtuar asnjëherë me zhvillime që janë të dëmshme për vendin”, tha ai.
Në këtë çështje myftiu Tërnava përmendi ndikimet negative që vijnë nga jashtë dhe që ndikojnë në indoktrinimin e disa të rinjve tanë.
“Si pasojë ne po përballemi me ngjarje të papëlqyeshme, pasi që disa njerëz tanë janë ndodhur në vende që nuk do të duhej të ishin”, tha Tërnava, me ç’rast përmendi ngjarjet në Turqi dhe në Irak.
“Luftimi i kësaj të keqeje të madhe është obligim i përbashkët i institucioneve dhe të gjitha hallkave të shoqërisë. Në këtë drejtim edhe BIK do të japë kontributin e vet. Ne kemi mënyrën tonë të sjelljes shoqërore dhe nuk kemi nevojë për të sjellë konfliktet e të tjerëve në vendin tonë. Shpresojmë që mosmarrëveshjet e të tjerëve nuk do të kenë ndikim në shoqërinë tonë”, shtoi myftiu Tërnava, duke u shprehur i gatshëm për thellim të bashkëpunimit me të gjitha hallkat e pushtetit, atij qendror dhe lokal.
Ndërkaq, kryetari Idriz Vehapi, falënderoi myftiun Tërnava dhe bashkëpunëtorët e tij për këtë vizitë dhe deklaroi gatishmërinë e tij për bashkëpunim të mëtejmë me përfaqësuesit fetarë. Vehapi tha se këtu ka ekzistuar një frymë e tolerancës fetare dhe kjo duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Ne do të ndihmojmë Këshillin e BIK-ut në Rahovec që të tejkalojnë vështirësitë eventuale dhe të bëjmë përpjekje të përbashkëta për ruajtjen e qetësisë publike. Komuna do të jetë partner i rëndësishëm dhe përherë të gatshëm për të vazhduar dialogun me Këshillin dhe me të gjithë përfaqësuesit tjerë fetarë në komunën e Rahovecit”, tha Vehapi.
Kurse, kryetari i Këshillit të BIK-ut në Rahovec Shani Sylka, tha se pushteti lokal ka pasur mirëkuptim për kërkesat tona dhe se shumë shpejt pritet të hapet qendra kulturore e Bashkësisë Islame në Rahovec. Për ç’gjë falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuuar për hapjen e kësaj qendre. /PrizrenPress.com/