16.2 C
Prizren
E shtunë, 19 Korrik, 2025

Veliu: Kryeministri i takon LDK’së

agim veliuAnëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka thënë se posti i kryeministrit i takon kësaj partie.
Veliu, duke iu kundërpërgjigjur anëtarit të Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, se kjo parti nuk ka hequr dorë nga posti i kryeministrit, ka thënë për “Epokën e re” se definitivisht ky post do t’i takojë LDK-së. “Posti i kryeministrit definitivisht duhet dhe do t’i takojë LDK-së. Nuk e di çfarë thonë në PDK, por posti i kryeministrit do t’i takojë LDK-së”, ka deklaruar Veliu.

Madje Veliu ka deklaruar se për shkak të drejtimit të qeverisë kanë hyrë në koalicion me PDK-në e Hashim Thaçit. “Ne e kemi edhe një vendim të Këshillit të Përgjithshëm dhe kemi hyrë në këtë variant qeverisës për ta udhëhequr Qeverinë e Kosovës. Natyrisht besoj se kështu do të jetë, LDK-ja do ta drejtojë qeverinë”, është shprehur Veliu. Në këtë kontekst, Veliu ka thënë se nuk zgjidhje tjetër, përpos që LDK-ja ta drejtojë qeverinë në mandatin e ardhshëm katërvjeçar. “Nuk mendoj variant tjetër, përpos se LDK-ja do të drejtojë qeverinë. Jam i bindur dhe optimist se LDK-ja do ta drejtojë qeverinë e re”, ka theksuar Veliu.

Agim Veliu, i cili është edhe kryetar i Komunës së Besianës, ka thënë se këtë javë duhet të nënshkruhet marrëveshja për bashkëqeverisje në mes të PDK-së dhe LDK-së. Ai ka vlerësuar se nuk ka asnjë arsye që edhe më tutje të shtyhet nënshkrimi i kësaj marrëveshje. “Marrëveshja duhet të përfundojë këtë javë. Nuk ka arsye që të shtyhet më tutje”, është shprehur Veliu, i cili nuk ka dashur të flasë nëse është biseduar brenda LDK-së për ndarjen e posteve ministrore dhe se cilat do të jenë shtyllat kryesore të programit qeverisës. “Nuk jam pjesë e grupit punues për hartimin e programit qeveritar, kështu që për këtë çështje më mirë është të konsultohet dikush tjetër”, ka thënë Veliu.

Ndërsa anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, të enjten në një intervistë për “Epokën e re”, ka deklaruar se kjo parti nuk ka hequr dorë nga posti i kryeministrit. “Ne si parti e kemi nominuar z. Thaçi. PDK-ja e ka autorizuar Thaçin dhe grupin që është duke zhvilluar negociata lidhur me këtë që të vendosin për gjithçka në raport me LDK-në dhe për të gjitha postet e mundshme. Ky është vendim i Këshillit Drejtues dhe kryesisë së partisë. Pra, vullneti ynë është që Thaçi të jetë kryeministër, por mundësia pastaj se kush do të jetë kryeministër i Kosovës, u mbetet negociatave që janë duke u zhvilluar. Kur ka negociata, ka edhe kompromise dhe varet se si do të arrihet marrëveshja, pra kush do ta marrë kryeministrin”, ka thënë Haliti. Ai ka deklaruar se nuk është në dijeni se kujt do t’i takojë posti i kryeministrit apo kush do të bëhet kryeministër por, sipas tij, kjo enigmë do të zgjidhet gjatë fundjavës. “Marrëveshja duhet të bëhet edhe për postin e kryeministrit. Besoj se të shtunën apo të dielën, me qëllim që javën tjetër ta kemi mundësinë t’i formojmë institucionet e reja”, është shprehur Haliti. Sipas Halitit, ka shumë faktorë të cilët janë të përfshirë në përzgjedhjen e kandidaturës për kryeministër. “Prandaj mbetet të shohim se kush do të dalë më i fortë. Por, nuk e di se kush do të jetë kryeministër”, është shprehur Haliti. Ai ka thënë se koalicioni PDK – LDK do të funksionojë, pavarësisht se kush do të jetë në krye të qeverisë. “Cilado marrëveshje që do të jetë në mes të PDK-së dhe LDK-së, koalicioni qeverisës do të funksionojë”, ka theksuar Haliti.

Më Shumë

Prizreni bëhet me qendër të inovacionit në shëndetin mendor

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, së bashku me nënkryetarin Kujtim Gashi, kanë pritur sot në takim themelueset e Institutit të Shëndetit Mendor...

Nait Hasani s’i beson fjalëve të Vjosa Osmanit për “parandalimin e konfliktit” nga Trump: Nashta hipotezë e saj

Nait Hasani i PDK-së nuk i besoi fjalëve të Vjosa Osmanit, Presidentes së Kosovës, se mund të ketë pasur një konflikt javëve të fundit...

Lajmet e Fundit