17.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

Veseli: Heronjtë që i duhen sot Kosovës janë heronjtë që denoncojnë dhe luftojnë korrupsionin

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot mori pjesë dhe mbajti një fjalë rasti në takimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.
Në adresimin e tij para të pranishmëve, kryeparlamentari Veseli potencoi sfidat me të cilat po përballet vendi ynë, si në konsolidimin e brendshëm shtetëror, ashtu edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

Në rrafshin e brendshëm, theksoi kryetari Veseli, janë bërë hapa të rëndësishëm në konsolidimin e shtetit, por punët e pakryera ende janë shumë të mëdha.
“Fatkeqësisht, punët e mira që janë bërë, po errësohen nga një mori fenomenesh negative, sikurse janë korrupsioni dhe brishtësia institucionale. Të dy këto fenomene e ushqejnë njëra-tjetrën. Brishtësia institucionale krijon tokë pjellore për lulëzimin e korrupsionit. Dhe anasjelltas : korrupsioni i bën edhe më të brishta dhe më joefektive institucionet”, tha kryetari i Kuvendit.

Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari Veseli vuri në pah rëndësinë e ballafaqimit me faktin se perceptimi mbi korrupsionin në Kosovë është tejet i përhapur dhe raportet ndërkombëtare vazhdojnë ta theksojnë këtë perceptim, sikurse edhe mediat e opinioni publik.

Figura e zyrtarit shtetëror, në masë të madhe është diskredituar, duke krijuar kështu imazhin e një shoqërie të korruptuar. Pasojat prej kësaj, sipas kryetarit Veseli, janë tejet të mëdha: Kosova rrezikon të humbas kredibilitetin te mbështetësit dhe partnerët ndërkombëtarë, te të gjithë ata që mendojnë të investojnë kapitalin e tyre zhvillimor në Kosovë, si dhe te vet qytetarët tanë.

“Humbja e besimit të brendshëm dhe të jashtëm është lajmi më i keq për një shtet në zhvillim. Prandaj është urgjente që luftimin e korrupsionit ta ngrisim në prioritet nacional. Sot ne duhet që luftën kundër korrupsionit ta kuptojmë si akt patriotik. Sot, shteti i Kosovës ka nevojë për këtë lloj patriotizmi. Ky patriotizëm duhet të kultivohet së pari brenda vet institucioneve, duke filluar nga elitat politike. Kjo nuk bëhet përmes edukimit apo fushatave të vetëdijesimit, por përmes veprimit të pakompromis të ligjit. Heronjtë që i duhen sot Kosovës janë heronjtë që denoncojnë dhe luftojnë korrupsionin”, tha në fjalën e tij kryetari Veseli.

Kreu i legjislativit të vendit shtoi se përveç sundimit të ligjit, nuk ka formulë tjetër për të ecur përpara në zhvillimin ekonomik dhe konsolidimin demokratik të shtetit.

“Sot në botë janë përhapur shumë modelet politike që kombinojnë autoritarizmin politik me zhvillimin ekonomik. Ne kemi luftuar, kemi derdhur gjak, për t’i hequr qafesh këto modele. Rruga jonë është tjetër. Rruga jonë është modeli perëndimor i zhvillimit dhe mirëqenies. Duke luftuar korrupsionin ecim më shpejt drejt këtij modeli. Duke e luftuar përnjëmend, e jo duke bërë sehir me deklarata pompoze”, theksoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. /Telegrafi/

Më Shumë

Gruaja shtatzënë që vdiq në Spitalin e Prizrenit ishte 24-vjeçare

Një rast i rëndë ka ndodhur në Spitalin e Prizrenit, ku një grua shtatzënë ka humbur jetën.  Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e...

‘Rrufe në qiell të hapur’, Bayern refuzohet edhe nga Ralf Rangnick

Ralf Rangnick thuhet se ka refuzuar mundësinë për të zëvendësuar Thomas Tuchel-in si trajner i Bayern Munich-ut, duke e lënë klubin të përpiqet për...

Lajmet e Fundit