Ushtria Çlirimtare e Kosovës është krenaria e popullit kosovar dhe përmes Gjykatës Speciale ajo duhet të çlirohet nga hija e raportit të Dik Martin
I këtij mendimi është kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, si pas të cilit nuk ka kthim mbrapsht.
Në studion e RTV Ora News, përballë gazetares Ilva Tare, ai shprehu bindjen se luftëtarët e UÇK-së do ti tregojnë mbarë botës se as nuk kanë bërë trafikim organesh dhe as kanë vrarë popullësi civile.
I pyetur nëse ekziston mundësia që në bankën e të akuzuarve të shohim personalitete të lartë të politikës aktuale, apo dhe ish-drejtues të lartë të UÇK, Veseli dha këtë koment:
“E rëndësishme në radhë të parë është që në këtë sfidë të kemi konsensusin nacional, të jemi bashkarisht. Të mos lejojmë që kjo sfidë të na ndajë mes veti. Kjo është më kryesore. E rëndësishme në këtë sfidë është që të ruajmë partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare që është shumë domethënës në vetë lirinë dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë e rëndësishme është që në mënyrë dinjitoze të shkojmë në këtë proces për të dëshmuar lirinë tonë, të drejtën tonë dhe gjithsesi për të dëshmuar që në luftën e UÇK nuk ka ndodhur trafikim organesh, nuk kanë ndodhur dëmtime të civilëve që do të mund të na bënin ne të mos e ndienim veten rehat, edhe shpirtërisht”.
Për ngjarjen në Kumanovë, ku Kosova ishte e përfshirë direkt me qytetarët e saj në radhët e viktimave dhe të arrestuarve, Veseli thotë se shteti i tij u zu në befasi dhe se nuk kishin asnjë informacion.
Kreu i Kuvendit mbetet i mendimit se pjesa antishqiptare po përfiton nga kjo histori, duke e nxjerrë Kosovën si destabilizuese të rajonit. Andaj kërkon hetim ndërkombëtar dhe thekson se Kosova do të insistojë shumë në këtë drejtim.
Veseli mbështet familjarët e viktimave në kërkesën e tyre për të përsëritur autopsinë e trupave të pajetë. Ndërsa për të burgosurit në Maqedoni kërkon që të trajtohen nga autoritetet maqedonase sipas të drejtave të Organizatave Ndërkombëtare.
Një koment ka dhe për rolin e partive shqiptare atje:
“Ata duhet të jenë më afër qytetarëve njerëzve të tyre, sidomos në momente të vështira, dhe të mos lejojnë që të tjerët ti keqpërdorin. Nuk ka qenë shumë dinjitoze mosmundësia për të shkuar asnjë prej liderve shqiptarë dhe të shkojë lideri i opozitës maqedonase.