11.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Vinca: Sonte ju qeras me poezi

kopertina-feniksi-300x210Poezia e librit “Feniksi” të promovuar pak ditë më parë në Prishtinë flet për brezin të cilit i përket autori i tij. Një brez i cili doli në skenë furishëm, si feniksi në vitin 1968, për të hyrë po ashtu furishëm në art dhe në jetë, në vitet shtatëdhjetë, me ëndrrën e madhe për ta ndryshuar botën dhe veten…

Krijimi i një libri i ngjan shtatzënisë, kurse akti i tij final, botimi, lindjes së fëmijës. Autori i gëzohet botimit të librit, ashtu siç i gëzohen prindërit ardhjes në jetë të foshnjës.

Ky libër lindi para 42 vjetësh dhe po të ishte njeri, tani do të ishte burrë i pjekur 42-vjeçar. Mirëpo, në qoftë se sot, në kohën tonë, botimi i librit, sikurse edhe lindja e fëmijës, në masë të madhe është çmistifikuar: autori, po qe se do, e di që më parë çdo gjë që ka të bëjë me librin e tij, ashtu sikurse edhe prindërit, nëna dhe babai, e dinë gjininë e fëmijës qysh para lindjes, madje edhe tiparet e tjera të tij, ne atëherë, sidomos krijuesit e rinj, fillestarë, nuk dinim si dukej libri deri ditën që na binte në dorë: as formatin, as kopertinën, as vëllimin, as tipin e shkronjave, as ngjyrën e letrës, asgjë. Dhe pikërisht këtu qëndronte bukuria dhe fshehtësia e botimit të librit atëbotë në krahasim me sot. Ne nuk e dinim çfarë sysh e flokësh do të kishte “fëmija” ynë i porsalindur, a do të ishte i plotë apo i hollë, asgjë prej gjëje. Prandaj, takimi i parë me librin, rënia në dorë e kopjeve të para, shkaktonte emocion shumëfish më të fuqishëm seç shkakton sot.

Poezia e këtij libri flet për brezin të cilit i përket autori i tij, brez të cilin ne, pjesëtarët e tij, e quajmë jo pa mburrje “brezi i ‘68”-s. Ky brez doli në skenë furishëm si feniksi në vitin 1968, për të hyrë po ashtu furishëm në art dhe në jetë, në vitet shtatëdhjetë, me ëndrrën e madhe për ta ndryshuar botën dhe veten. “Ne ishim bij të kësaj toke,/me plagë e halle shumë/lindëm në ditë të stuhishme/u rritëm në net pa gjumë”. Ne ishim brez me ideale të mëdha, por edhe me iluzione jo të pakta. Feniksi flet, natyrisht, kryesisht për të parat: për dëshirat, shpresat, ëndrrat, idealet, por jo edhe për iluzionet, të cilat do të shuhen me kohë “si zjarri i bamë me kashtë”. Dhe flet me një gjuhë poetike kryesisht të qartë e konkrete.

Kritika nuk e mirëpriti Feniksin, sepse ky lloj poezie nuk ishte në modë në atë kohë tek ne. Në Kosovë atëbotë shkruhej një poezi disi abstrakte e hermetike. Nuk preferohej qartësia dhe konkretësia. Në Shqipëri, ndërkaq, vargu shumë herë shndërrohej në trakt e propagandë. Kam bërë përpjekje që si poet, fillimisht me intuitë, kurse më vonë me vetëdije të plotë, të ndiqja një rrugë të mesme, duke shmangur, aq sa ishte e mundur, hermetizmin e së parës dhe pllakatizmin e së dytës. Se sa ia kam arritur këtij qëllimi, nuk më takon mua të flas; u mbetet të tjerëve ta vlerësojnë.

Kur në mars të vitit 1974, më pak se dy vjet pas botimit të këtij libri, unë shkova në Shqipëri për herë të parë, i mora disa kopje me vete dhe ua dhashë kolegëve që na shoqëronin, kryesisht studiues të letërsisë. Të nesërmen kur u takuam në bibliotekë, njëri nga ata, Ndue Zef Toma, më tha: “Shoku Agim, duhet të jeni shërbëtor i dy zotërinjve: i shkencës dhe i poezisë”.

Me njohuritë që kisha atëbotë nga letërsia botërore, unë nuk e dija se kolegu im nga Tirana sapo kishte parafrazuar titullin e një vepre letrare, të komedisë Shërbëtor i dy zotërinjve të shkrimtarit të njohur italian të shekullit XVIII, Karlo Goldoni. Mirëpo, pavarësisht nga ky fakt, unë e kuptoja se po më bëhej një kompliment. Kisha shkuar në Tiranë, bashkë me kolegët, si pedagog i Universitetit dhe si punonjës shkencor për të bërë hulumtime për temën e magjistraturës, pra si studiues i letërsisë dhe ja që, papritmas, me ato pak kopje të librit tim të parë e të vetëm deri atëherë, po identifikohesha edhe si poet. (Do të mbetem “shërbëtor i dy zotërinjve” gjatë tërë jetës: i zonjës lozonjare me emrin Poezi dhe i aktit racional të studimit të saj dhe të letërsisë në përgjithësi, me shpresë se u kam shërbyer me përkushtim edhe njërës edhe tjetrës, paçka se të parës, Poezisë, i kam hyrë në hak, duke u marrë detyrimisht më shumë me të dytën, Kritikën).

Të them se nga ajo kohë vargjet e mia filluan të botoheshin, pothuajse rregullisht, pos Prishtinë e në Shkup, edhe në Tiranë, te gazeta “Drita” dhe revista “Nëntori”, ndërsa pa kaluar as dy-tre vjet të plotë, shtëpia botuese “Naim Frashëri” do të botonte, në vitin 1977, librin tim të parë me poezi në Tiranë, të cilit do t’i vihej si titull titulli i vjershës së parë të Feniksit: Në vend të biografisë. Zgjedhjen e vjershave dhe redaktimin e librit e pat bërë redaktori i poezisë i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, poeti dhe kritiku Pandeli Koçi, i njohur ndryshe edhe si Sazan Goliku, i cili ishte i vetmi shkrimtar i gjallë në Shqipëri që shkruante dhe botonte me pseudonim. (Flitej se i qe lejuar ky “luks” si bir dëshmori).

Nuk kam pasur ndër mend ta ribotoj librin tim të parë, përmbledhjen Feniksi, së paku jo tani për tani. Ideja lindi rastësisht këtu e dy-tre muaj më parë, aty nga tetori i këtij viti, kur kryetari i KREK-ut, ma bëri ofertën që të ma ribotonte librin tim të parë, të botuar, siç u tha, plot dyzet e dy vjet më parë. E dija se ky asociacion i të rinjve tanë kishte botuar romanin Gjarpinjtë e gjakut të “bacës Adem”, Adem Demaçit, këtë vepër emblematike të letërsisë shqipe, si dhe një libër të politologut tonë të shquar, Ukshin Hotit: Çështja shqiptare – komponenti religjioz. I kisha parë që të dyja këto botime; kisha marrë pjesë edhe në promovimin e tyre, kështu që oferta ishte joshëse: do të isha në shoqëri të mirë po qe se do të realizohej ideja e ribotimit të Feniksit, libër që kishte pasur një histori pak a shumë të veçantë botimi, një histori ndalimi, qoftë edhe të një vjershe të vetme, në kohën kur kishte lindur, dyzet e sa vjet më parë.

E rimora nëpër duar librin nga i cili ruaj vetëm dy kopje; e rilexova në tërësi dhe pa humbur kohë fillova përgatitjet për ribotimin e tij: disa poezi i radhita vetë në kompjuter, disa m’i skanoi një miku im poet; bëra ndreqjen e gabimeve të shtypit, aty-këtu ndonjë retushim të vogël; e bashkëngjita vjershën e ndaluar Letër vëllait, të cilën e lashë në fund si cikël më vete, tok me dorëshkrimin në faksimile; vura si parathënie vështrimin e Saliut të shkruar dy vjet më parë; me kërkesën e botuesit shkova në Tiranë dhe kërkova nga miku im i vjetër, poeti Dritëro Agolli, që të shkruante një fjalë të shkurtër, qoftë edhe disa rreshta, për kopertinën e pasme. Ishte dëshirë e dyanshme, imja dhe e botuesit, që emri dhe firma e Dritëroit të figuronte në këtë botim. Disa ditë pas vizitës në familjen Agolli, ku kalova një mbrëmje të paharruar duke pirë raki e recituar poezi me të zotin e shtëpisë në apartamentin e tij që i ngjan një galerie arti, më erdhi teksti i Dritëroit në plot dy faqe të shkruara me dorë, me atë shkrimin e tij të pjerrët e të dridhshëm, tekst që e gjeni të plotë në brendi të librit, kurse pjesërisht në kopertinën e pasme.

Ja, kështu ndodhi. Kështu rrodhën punët gjersa erdhëm këtu tek jemi, pa harruar edhe disa peripeci, kryesisht të vogla e banale, por gjithsesi të lodhshme, të cilat për të mos e prishur atmosferën nuk po i zë në gojë.

Ka shkrimtarë, madje edhe të dorës së parë, që turpërohen nga libri i vet i parë. Unë jo vetëm që nuk turpërohem, por përkundrazi krenohem. Kam qenë 25 vjeç kur u botua ky libër, student i porsadiplomuar, kurse vjershat e përfshira në të i takonin një periudhe pesëvjeçare, nga viti 1968 deri në vitin e botimit të librit, 1972.

“Urdhëroni, miq, në zemrën time,/ju merr të gjithëve si në shtëpi,/në vend të birrës dhe rakisë,/sonte ju qeras… me poezi”. Me këto vargje hapej libri Feniksi këtu e 42 vjet më parë.

(Fjala e autorit në promovimin e librit ‘Feniksi’, ribotuar nga Këshilli i Rinisë Europiane të Kosovës, Prishtinë 2014).

Më Shumë

Kurti fton në darkë pune liderët e partive opozitare: Krasniqi, Abdixhiku dhe Haradinaj ende pa përgjigje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur t`i ul tensionet me opozitën. Ai i ka ftuar për të hënën në një darkë pune liderët...

Rikthehet Superliga: Ballkani kërkon fitoren për t’iu afruar titullit, Drita e Llapi presin ‘gabimin’ e suharekasve

Sot do të rikthehet Superliga, ku do të zhvillohet java e 34-të. Lideri Ballkani do të ketë punë në shtëpi me skuadrën që tashmë është...

Lajmet e Fundit